E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshojnë akcizat, qeveria synon të arkëtojë 50 milionë USD shtesë



Ervin KOÇI

Në kuadrin e ndërmarrjes së disa ndryshimeve në ligjin "Për Akcizat", Ministria e Financave ka parashikuar të rriste në mënyrë të ndjeshme nga 13 në 37 lekë nivelin e akcizës. Kryesisht kjo rritje është parashikuar për vajrat e rëndë si solari e mazuti, madje ishte hartuar edhe një draft me këtë nivel akcize i cili pritej t'i dërgohej Kuvendit për shqyrtim. Por në një kohë që biznesi priste shqyrtimin e projektligjit në Këshillin Konsultativ, në Ministrinë e Ekonomisë, qeveria e bën fakt të kryer, duke e miratuar më 5 maj, ndërsa pritet këto ditë finalizimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Projektligji i ri për akcizat parashikon zgjerimin e skemës për disa produkte të lëndës së parë, si qelqi apo plastika, si dhe rritjen për nënproduktet e naftës, me efekt total 50 milionë dollarë minus për privatin. Kryetari i Këshillit Konsultativ të Biznesit, ministri Dritan Prifti, i kishte dërguar një letër ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku i kërkonte të merrte shqyrtimin e projektligjit në Këshill, pasi efektet negative për biznesin ishin shumë të mëdha. Në pritje të përgjigjes, Prifti dhe bizneset anëtare të Këshillit Konsultativ kanë marrë reagimin e qeverisë, që ka votuar projektligjin, duke anashkaluar propozimet. E vetmja masë e marrë nga Financat është futja në skemën e rimburrsimit të plastikës dhe qelqit, në nivel 50 për qind, ndërsa propozimet e tjera nuk janë marrë fare në konsideratë, siç janë nënproduktet e karburanteve, çmimi i pullave fiskale etj.

Projektligji
Industria është sektori që pritet të goditet më tepër nga projektligji i ri për akcizat, e cila tashmë ka mbërritur për miratim në Parlament, kurse në qeveri ka kaluar në mënyrë të fshehtë më 5 maj. Sipas projektligjit, propozohet të futet në listën e produkteve me akcizë ambalazhi i ri plastik me 100 lekë/kilogrami, ambalazhet e qelqit me 10 lekë/kilogrami, si dhe gomat e mjeteve të transportit, të ndara sipas përdorimit, nga 20 deri në 100 lekë/kilogrami. Propozime ka edhe për lëndët e këtyre produkteve që janë të përdorura, me një masë tatimi akoma dhe më të shtrenjtë, si dhe disa mallra të tjera, si bateritë, fishekzjarrët, etj., me një efekt total plus në buxhet prej 4.5 milionë dollarësh. Bizneset e industrisë që përdorin ambalazhet e përziera, plastikën dhe qelqin i kishin kërkuar ministrit të Financave të rishikonte masën e akcizës, pasi rritja e taksës pengonte aktivitetin, rrezikonte planin e investimit, ulte konkurrencën si dhe tkurrte aktivitetin. Si përgjigje ndaj këtyre propozimeve, Financat kanë përcaktuar në projektligj (neni 19) se, “ambalazhet e qelqit, plastikës dhe të përzierat, të përdorura si lëndë të parë, industrive vendase të riciklimit të këtyre materialeve u rimbursohet 50 për qind e akcizës së paguar për këto ambalazhe”.

Karburantet
Në projektligj është vendosur rritja dhe vendosja me akcizë e disa nënprodukteve të naftës, me efekt plus në buxhet rreth 45 milionë dollarë, ose anasjelltas negativ për biznesin apo konsumatorin. Kështu, vendoset për herë të parë akcizë për produktet si nafta virgine me 70 lekë/litri, si dhe karburantet, tip vajguri me 20 lekë/litri. Ndërsa rritet shkalla tatimore për vajrat e rënda, si lëndë djegëse (solar, mazut) nga 13 lekë/kg në 20 lekë/kg, dhe për hidrokarburet aciklike dhe ciklike (përfshirë etilen, benzen, tuluol, ksilol) nga 5 lekë/kg në 37 lekë/kg. Pra, përzierësit do të kenë të njëjtën shkallë tatimore tek akciza me naftën dhe benzinën, duke shmangur në njëfarë mënyre abuzimin në treg. Sa i takon këtyre ndryshimeve, Shoqata e Hidrokarbureve është pro pozitivisht, madje ka kërkuar, nëse do të jetë mundësia, për t’i rritur dhe më shumë. “1. Taksa e akcizës të mos jetë më e ulët se 50 lekë për litër për të gjitha llojet e gazoilit me përbërje të squfurit me tepër se 350 mg/kg. Po kështu për vajgurin, vajrat e rënda që përdoren si lëndë djegëse si solar, mazut etj., vajrat lubrifikante, gjithë hidrokarbureve aciklike dhe ciklike. Ndërsa për naftën virgine akciza të mos jetë më e ulët se 70 lekë/litër”,- deklaron Shoqata e Hidrokarbureve, në letrën dërguar Kryeministrit në fund të muajit prill. Sipas shoqatës, nëse merret parasysh ky sugjerim nga ligjvënësit, është e sigurt që në tregun shqiptar të tregtimit të hidrokarbureve do të ketë karburante të cilësisë së lartë.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›