Rriten taksat për makinat e përdorura, qeveria vepron kundër BE-së
Ervin KOÇI
Nëse keni menduar të blini një makinë të përdorur është koha për ta bërë tani këtë veprim, pa hyrë ende në fuqi, ligji i ri i Ministrisë së Financave. Ky ligj parashikon rritjen e mëtejshme të taksave për të gjitha llojet e makinave të përdorura që rishiten brenda vendit. Përpjekjet e qeverisë për të rritur nivelin e të ardhurave në arkën e shtetit në kohë krize, kanë prekur edhe nivelin e taksave kombëtare. Qeveria ka planifikuar të heqë taksën e importit, për automjetet dhe ta zëvendësojë atë me taksë mjedisi, duke e shtrirë pagesën edhe në shitjet brenda vendit. Kjo do të thotë, që një makinë edhe pse e ka paguar një herë këtë taksë në doganë, sa herë të shitet brenda vendit, pronari i saj do ta paguajë sërish. Por në çdo shitje do të paguajë vetëm shtesën që llogaritet pas shtimit të viteve të punës së automjetit. Taksa e mjedisit do të vijojë të llogaritet në bazë të formulës që zbatohet sot në doganë për zhdoganimin e automjetit, pra vit prodhimi, koeficientët përkatës si dhe taksa fikse në varësi të llojit të karburantit. Nëpërmjet këtij drafti Financat kërkojnë të dekurajojnë blerjen e makinave të vjetra, pasi sipas të dhënave automjetet që vijnë në vend kanë mesatarisht 17 vite përdorim. Por jo vetëm, kjo është edhe një masë që të mbrojë mjedisin.
Drafti
Një projektvendim i Ministrisë së Financave parashikon rritje të mëtejshme të taksave për importimin e mjeteve të përdorura dhe për karburantet. Projekti i cili është ende në draft megjithëse po diskutohet nga MF-ja, parashikon rritjen e ndjeshme të taksave për makinat e përdorura që importohen në vend, si dhe trefishimin e taksës për karburantet, naftë dhe benzinë. Formula e re e MF-së për taksën e importit të automjeteve të përdorura, parashikon shumëzimin e cilindratës së mjetit me një koeficient fiks 0,5 për çdo vit përdorimi, si dhe me një tarifë fikse 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Sipas relacioneve që shoqërojnë projektvendimin e MF-së, qeveria parashikon rritjen e të ardhurave me këto ndryshime të taksave edhe pse bëhet fjalë për të njëjtin numër automjetesh. Kështu taksat vazhdojnë të rriten për karbonin, taksë kjo që shkon nga shifra aktuale 0,5 për çdo litër në 1,5 lekë për çdo litër benzinë ndërsa për naftën nga një lekë që është aktualisht bëhet 3 lekë për çdo litër. Ministria propozon heqjen e taksës një euro në ditë për makinat me targa të huaja dhe futjen e saj në akcizë.
Komisioni
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar një ligj që e detyron qytetarin të paguajë taksë edhe kur shet makinën brenda vendit. Deputeti demokrat në Komision, Florion Mima theksoi se: “parimi është i njëjtë me atë të TVSH-së, ndërsa sipas tij shifra është e përballueshme si për ata që i importojnë makinat, si për ata që vendosin t’i shesin”. Ligji prek qytetarët që blejnë një makinë, si kur paguajnë në doganë ashtu edhe kur e shesin, pasi do të kenë një detyrim të ri. Për automjetet deri në 5 vite përdorimi, taksa do të ketë një ulje të lehtë. Për ato nga 6 deri në 10 vite përdorimi, taksa ka një rritje të vogël, ndërsa për automjetet mbi 10 vite përdorimi, taksa rritet në proporcion me rritjen e viteve të përdorimit. Por ndryshimi më i rëndësishëm i ligjit të ri ka të bëjë me shtrirjen e taksës edhe në shitjen e automjeteve brenda vendit. Nëse dikush vendos të rishesë automjetin, për të cilin e ka paguar njëherë taksën në import, gjatë shitjes taksa për këtë automjet do të rillogaritet sërish. Për shkak të vjetrimit të makinës, vlera e taksës në shitje do të dalë më e lartë se sa ajo që është paguar në import. Ligji i ri detyron shitësin, që të paguajë diferencën e kësaj vlere në shtet.
Ndryshimet
Nga llogaritjet për taksën e ndotjes, rezulton se për makinat me moshë mbi 7 vjet, do të paguhet 22 mijë lekë më shumë taksa. Por skema e re ligjore sjell edhe taksimin më të lartë të makinave të vjetra që shiten brenda vendit. Kështu, nëse një makinë shtatëvjeçare me motor 1.9 naftë, importohet sot dhe paguan në çastin e importit taksë ndotjeje në masën 173 mijë lekë, kur të rishitet pas tre vjetësh në tregun e brendshëm do të paguajë një taksë ekstra prej 74 mijë lekësh. E njëjta gjë ndodh në rast se e njëjta makinë është importuar para tre vjetësh, ka moshë shtatëvjeçare dhe shitet brenda vendit. Në këtë rast, paguhet një taksë shtesë prej afërsisht 50 mijë lekësh. Thelbi i ndryshimit ligjor është që taksa e ndotjes të mos paguhet më vetëm nga makinat e importuara, por edhe nga makinat e tregtuara brenda vendit. Zgjidhja e zakonshme për të shmangur këtë taksë ekstra është shitja e makinave përmes akteve të përdorimit. Qeveria do të dalë me të ardhura shtesë nga taksa e re, por ekspertët e MF-së nuk kanë dhënë një parashikim se sa do të jenë fitimet e shtetit, për shkak se nuk janë në gjendje të parashikojnë numrin e makinave të tregtuara brenda vendit.
Bllokim i tregtisë
Projektligji pritet të sjellë telashe të mëdha për shqiptarët që kanë një makinë të vjetër dhe që synojnë ta shesin për të blerë një më të re. Kjo për faktin se, në këtë rast, ata do të duhet të paguajnë taksë ekstra për ndotjen, e cila në rastet e makinave mbi dhjetë vjet të vjetra, mund të arrijë në 25-30 për qind të vlerës së përfituar nga shitja. Për pasojë, tregu i makinave të përdorura pritet të kufizohet ndjeshëm. Në Shqipëri qarkullojnë aktualisht rreth 220 mijë makina, gjë që do të thotë se më pak se një e pesta e familjeve shqiptare zotërojnë një të tillë.
19 Maj 2010