E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE shqyrton në maj dosjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave

Liberalizimi i vizave dhe aplikimi i statusit për vendin e kandidatit në BE do të jenë dy "armët" me të cilat shefi i qeverisë, Sali Berisha, do të mbrohet në fushatën elektorale për zgjedhjet e qershorit. Megjithëse samiti i përvitshëm për çështjet ekonomike, që zhvillohet në Zvicër, kishte si synim krizën ekonomike, Kryeministri nuk ka humbur rast pa shfrytëzuar

edhe takimet me zyrtarët e lartë të KE-së, për të negociuar mbi liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat në BE.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe komisioneri për Drejtësinë dhe Sigurinë, Jacques Barrot, u takua dje me Kryeministrin Berisha, i cili e njohu me dy kërkesat e Shqipërisë ndaj faktorit ndërkombëtar.

Vizat

Muaji maj i këtij viti ka shumë gjasa të jetë vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave për vendin tonë drejt Bashkimit Evropian. Liberalizimi i vizave dhe statusi i vendit kandidat për vendin tonë ishin dy nga temat kryesore që shefi i qeverisë zhvilloi me numrin dy të Komisionit Evropian. "Në muajin mars, një grup ekspertësh do vijnë në Shqipëri për të parë të gjitha përpjekjet tona dhe nga muaji maj Komisioni Evropian do të shqyrtojë dosjen e secilit vend për kriteret e vendosura. Jam i bindur se po ecet në rrugë të mbarë dhe zv/presidenti më siguroi për mbështetjen e tij të plotë në këtë proces", tha Berisha.

Statusi i kandidatit

Për sa i përket aplikimit për statusin e vendit kandidat për në BE, Kryeministri Berisha tha se gjatë konsultimit me zëvendëspresidentin e KE, Barrot, ky i fundit nuk ishte shprehur kundër këtij hapi.

"Paraqita arsyet se pse Shqipëria, një vend i cili ka siguruar ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nga të 27 vendet e BE dhe që ka pasur suksese të qarta në reformat që i njeh tashmë edhe raporti i KE, do të aplikojë gjatë presidencës çeke për statusin e vendit kandidat", u shpreh Kryeministri.

Takimi

Kryeministri e njohu zv/presidentin Barrot me përpjekjet e qeverisë shqiptare për arritjen e kritereve dhe standardeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha e njohu numrin dy të KE-së veçanërisht me mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftim dhe pasaporta biometrike të standardeve të kërkuara nga BE-ja, dixhitalizimin e regjistrave të gjendjes civile, përpjekjet për një kontroll rigoroz të kufijve, luftën dhe arritjet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zëvendëspresidenti i KE-së, Barrot, u shpreh se "komisioni mirëpriti progresin e Shqipërisë". Duke vlerësuar arritjet e deritanishme të Shqipërisë në procesin e reformave, Barrot siguroi për mbështetjen e Komisionit Evropian në përpjekjet e qeverisë shqiptare për konsolidimin e këtyre reformave. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha u shpreh se "Shqipëria, pasi ka realizuar ratifikimin e MSA-së nga 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe me suksese të qarta në reformat e njohura edhe nga raporti i KE-së, do të aplikojë gjatë presidencës çeke për statusin e kandidatit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›