Shekulli i përgjegjësisë
Historinë e botës perëndimore historianët e ndajnë në epokën që për një kohë identifikon vlerat kulturore, ekonomike e politike. E njohim edhe Mesjetën e errët, Renesancën, reformat dhe kohën e arsyes. Mirëpo, çfarë emri do t‘i japin shekullit 21? A do të jetë "koha e kthimit në të vjetrën", ku shtetet mundohen që problemet nacionale t‘i zgjidhin brenda kufijve, duke tërhequr pas vetes ëndrrat për begatinë? A do të jetë "koha e jo tolerancës", ku të huajt dhe emigrantët i fajësojnë për rritjen e papunësisë ? Apo shekulli 21 do të jetë i shkurtër dhe "epokë e dështimit"? Ndoshta më e mira është që të emërtohet si "epoka e përgjegjësisë", si e ka cilësuar kryetari amerikan, Barak Obama. Për të arritur këtë duhet që SHBA-ja, por edhe e tërë bota të ndryshojnë qëndrimet dhe të krijojnë politikë që bazohet në bashkëpunim. Të marrim me mend tash se si mund të duket "epoka e përgjegjësisë". Së pari do të jetë koha e globalizimit të përgjegjshëm, ku konsistenca dhe inkuadrimi do të jenë më të rëndësishme se pasurimi. Kjo nënkupton realizimin e rritjes që ofron shanse të reja për të varfrit, për zhvillim teknologjik, mikro-financime dhe hua për ndërmarrësit e vegjël, që marrëveshjet tregtare të jenë frytdhënëse për dy palët dhe ndihma për vende në zhvillim të jenë të mjaftueshme, ashtu që të plotësohet qëllimet zhvillimore të mileniumit. Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte përfundimi i marrëveshjes për tregti të Doha-s dhe përkushtim shumë më i madh në dhënien e ndihmës së premtuar. Vendet e zhvilluara duhet të bëjnë hapin që 0,7% të pakos të tyre stimuluese ta ndajnë në fond për të varfrit, i cili do të shfrytëzohej për t‘u ofruar ndihmë njerëzve nga vendet në zhvillim, të cilëve u duhet aq shumë. E dyta, kjo duhet të jetë epoka e përgjegjësisë për ambientin në përmasa globale. Marrëveshja për ndryshimet klimatike, me zbatimin e së cilës synon zvogëlimin e emisionit të dyoksid karbonit, duke shfrytëzuar teknologjitë e reja, e cila duhet të nënshkruhet sivjet, mund të jetë një hap i madh në këtë drejtim. E treta, do të jetë kohë e përgjegjësisë financiare si në rrafshin individual, ashtu edhe në atë të përgjithshëm. Fillimi do të duhej të ishte në samitin e ekonomive udhëheqëse G20 në Londër, në mbështetje të të cilit qeveritë do të bashkëpunonin rreth çështjeve të ekspansionit fiskal në kontest të disiplinës për llogaritë. Njëkohësisht duhet harmonizuar planin me zbatimin e të cilit do të hapeshin tregjet kreditore dhe të zgjidhet problemi i huave që vështirë do të kthehen, ashtu që bankat të arrijnë të rikapitalizohen dhe të anashkalojnë proteksionizmin. E katërta, do të ishte kohë e multilaterizmit të përgjegjshëm, ku vendet dhe institucionet do të kërkonin zgjidhje praktike për problemet që janë të lidhura ndërmjet vetes, si marrëveshja për stoqet humanitare të ushqimit, çmimi i energjisë dhe tatimet, që duhet të nxisin investimet për burime ekologjikisht të pastra. E pesta, do të ishte kohë e pjesëmarrjes së përgjegjshme, ku përmes veprimit për ekonominë globale, jo vetëm që do të krijohej fitim, por zbatohen edhe përgjegjësi të caktuara. Në këtë ambient G-grupacionet e vjetra do të zgjeroheshin duke u mbështetur në gjendjen reale të ekonomisë botërore. Këto grupacione duhet të jenë në gjendje që të përballen duke provokuar dialog, por edhe veprim të përbashkët, meqenëse koha e përgjegjësive nuk guxon t‘i takojë vetëm Perëndimit, por ka rëndësi globale. Rrugën tonë në përballje me krizën do të përcaktojnë reagimet përmes të cilave duhet të japim përgjigje. BB, OKB dhe bankat për zhvillim rajonal mund të marrin në përgjegjësi menaxhimin e parave që të pasurit i ndajnë për të varfrit. Mund të shfrytëzojmë mekanizmin ekzistues, ashtu që paratë në mënyrë të sigurt dhe fleksibile të shkojnë atje ku e kanë destinimin, por edhe duke përcjellë mënyrën e shpenzimit të tyre. Parashikimet se rënia e shkallës së zhvillimit në një për qind në vendet në zhvillim do të fusë në varfëri 20 milionë njerëz. Për shkak të zhvillimeve të vitit të kaluar tanimë kemi 100 milionë varfanjakë. Pas stresit që vjet ka shkaktuar çmimi i ushqimit dhe i naftës, lajmërimi i krizës financiare edhe më shumë ka shtuar rrezikun para të cilit gjinden vendet më të varfra dhe banorët e tyre. Kriza e kredive dhe recesioni global po gërryejnë të hyrat e shteteve dhe zvogëlojnë aftësitë e tyre në përmbushjen e synimeve në arsim, shëndetësi dhe për barazi gjinore. Dërgesat nga jashtë janë në rënie. Kanë ngecur investimet vendore dhe të brendshme. Tregtia po zvogëlohet. Janë të pranishme tensionet sociale. Vendeve të varfra u duhen tri mënyra intervenuese: programi i rrjetit të sigurimeve me të cilin do të zbutej ndikimi i krizës; investimet në infrastrukturë si bazë për produktivitet dhe rritje, por edhe punësim; mjete financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për krijimin vendeve të reja të punës. Kjo qasje ka funksionuar në mënyrë të mrekullueshme kur Gjermania dhe Japonia i dhanë mbështetje projektit me të cilin BBB/////////-ja ka udhëhequr rikapitalizimin e bankave në vendet e varfra. Ky plan është i realizueshëm. OKB-ja ka caktuar si qëllim që të gjitha vendet e pasura për të varfrit të ndajnë nga 0,7% të mjeteve për pakon stimuluese. Kjo sasi e parave është shumë e vogël në krahasim me shumën prej qindra miliardëve që jepen për shpëtimin e bankave, mirëpo me to do të ndihmoheshin miliona njerëz të varfër që nuk janë shkaktarë të krizës. Më me rëndësi është të theksohet se tregon që bota ka vendosur ta fusë nën kontroll krizën e të mos ndodhë që ajo ta kontrollojë botën. A do të zgjedhim politikën e veprimit ndërkombëtar, ose atë për shfrytëzimin e të tjerëve për përfitime personale? Kohën e përgjegjësisë apo të kthimit në të vjetrën? Zgjedhja është shumë e thjeshtë.