E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Ligji s‘dënon krimet e komunizmit, mbulon dosjet e korrupsionit

Pro ankimimit për ligjin e dosjeve është shprehur dje edhe kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, gjatë një konference për shtyp. Sipas Gjinushit, ky ligj konflikton hapur Shqipërinë, institucionet e shtetit shqiptar me partnerët e integrimit në BE dhe NATO. Sipas kryetarit të PSD-së, ky ligj i duhet patjetër Berishës, sepse ky ligj nuk dënon krimet e komunizmit, por mbulon krimet e Sali Gërdecit, mbulon korrupsionin dhe krimin shtetëror të qeverisë aktuale. "SHBA-ja dhe BE vazhdojnë të na bëjnë të qartë që nuk janë ata më prokomunistë se Berisha, nuk kanë qenë kurrë ata në krah të komunizmit, por janë ata partnerët kryesorë që do ta çojnë Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë; dhe Berisha arrin t‘i quajë edhe ata në krah të komunizmit vetëm që të mbrojë gjoja ligjin e pastrimit të figurave", është shprehur Gjinushi. Sipas tij, ligji i pastrimit merret vetëm me ish- pushtetarët pensionistë dhe të vdekur, e sigurisht merret dhe me goditjen e gjyqësorit shqiptar, për të mbrojtur pikërisht korrupsionin qeveritar. Ky, tha kryetari i PSD-së, është vlerësimi i BE-së, ky është vlerësimi i departamentit të shtetit, ky është vlerësimi i institucioneve, në të cilat ne jemi tashmë vend anëtar, apo kërkojmë të bëhemi vend anëtar. Gjinushi ka theksuar më tej se "për dosjet ka një konsensus për hapjen e tyre. Ne denoncojmë faktin që qeveria aktuale nuk i ka hapur dosjet as në 1992, as në 2006, edhe pse p/ligji ka 3 vjet në Parlament. Ne deklaruam atëherë që po të hapeshin dosjet, me ndershmëri dhe transparencë, bie qeveria e ja ku jemi që kjo qeveri nuk guxoi ta votojë ligjin këto 3 vjet, sepse gjysma do i dilnin spiunë, duke filluar dhe nga vetë Kryeministri". Gjithë kjo zhurmë, tha kryetari i PSD-së, bëhet për dosjet dhe jo më për pjesën që ka të bëjë me institucionet e pavarura të shtetit. Për kreun e PSD-së, rruga drejt BE-së, rruga drejt NATO-s, bëhet vetëm duke ngritur një demokraci të vërtetë dhe jo me propaganda, jo me ligje antikushtetuese. Ato luftohen vetëm me një model më të mirë; vetëm duke treguar dallimin real mes demokracisë dhe ish-diktaturës, e jo me ligje demagogjike, dhe aq më tepër me ligje të qëllimshme, që synojnë vetëm paralizimin e Gjyqësorit për të mbuluar krimin dhe korrupsionin e qeverisë, për të mbuluar zhdukjen e dëshmitarëve që vazhdon edhe sot, ku promovohen persona të implikuar drejtpërdrejt në këto afera. Në lidhje me pyetjen se si e komenton presionin që mazhoranca po i bën Gjykatës Kushtetuese, Gjinushi është shprehur se është një presion i dështuar, që tregon pikërisht çoroditjen e shumicës. "Berisha kështu i mbyll gjithmonë qeverisjet e veta në luftë me institucionet, si Don Kishoti, gjithmonë ngelet i vetëm, gjithmonë prishet në fund, edhe me SHBA, dhe me Evropën, për të mbrojtur korrupsionin e vet. Atëherë për të mbrojtur korrupsionin e piramidave, tani për të mbrojtur korrupsionin e ARMO-s, korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës, të Fazlliçit dhe klaneve të tij", është shprehur Gjinushi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›