Belgjika ratifikon anëtarësimin e Shqipërisë për në NATO
Ministria e Jashtme ka përshëndetur vendimin e djeshëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Belgjikës, e cila pas Senatit belg ka ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Jashtme, bëri të ditur se Belgjika është vendi i 19-të anëtar që ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Ky vendim është shprehje e mbështetjes së vazhdueshme të Belgjikës për procesin e integrimit Euroatlantik të Shqipërisë dhe i shërben konsolidimit të mëtejshëm të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor", thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Gjithashtu, Ministria e Jashtme ka përshëndetur edhe ratifikimin me unanimitet nga Asambleja Kombëtare e Francës për Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, më 29 janar, i cili i hap rrugën ratifikimit nga ana e Senatit francez në datë 4 shkurt. Ministria përshëndet gjithashtu edhe inicimin e procedurave të ratifikimit të këtij protokolli, po më datë 29 janar, nga ana e Parlamentit të Sllovenisë.