E Diel, 1 Nëntor 2026

"Spiunët" rrezikojnë integrimin në BE

Kristina Nagy, zëdhënëse e Olli Rehn, komisionerit për zgjerimin e BE, në një deklaratë ekskluzive për "DW" tha dje në Bruksel: "BE do të shprehë qëndrimin e tij ndaj ligjit të ri të lustracionit pas bisedimeve që do të zhvillojë së shpejti me qeverinë e Tiranës. BE është i prirur t‘i shohë këto bisedime në një dritë pozitive. Pa ditur rezultatin e këtyre bisedimeve, nuk mund të flitet nëse shqetësimet e BE-së për ligjin e lustracionit do të ndikojnë në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë". Në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, të titulluar "2009- viti i Ballkanit Perëndimor", nuk përjashtohet përshpejtimi i ritmeve të afrimit të tyre drejt BE-së, nëse plotësohen disa kushte të cilësuara në këtë raport "të domosdoshme". Në krye të tyre qëndron plotësimi i kriterit politik për integrimin në BE, ku një pikë themelore është funksionimi i dialogut politik në gjithë spektrin politik.

Për BE, ligji i ri i lustracionit, i sapo hyrë në fuqi, përbën një argument të freskët për moszbatimin e këtij kriteri. Ligji në fjalë është miratuar vetëm me votën e mazhorancës së djathtë dhe palët dështuan të ndërtonin një konsensus të gjerë politik për këtë ligj, të kërkuar nga BE dhe faktori ndërkombëtar. Opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar ligjin e lustracionit dhe refuzon prerë të ketë përfaqësuesit e saj në komisionin që po ngrihet në Tiranë për pastërtinë e figurave, duke rrezikuar që ai të përbëhet vetëm nga përfaqësues të mazhorancës. Në një situatë të tillë, Kristina Nagy, zëdhënësja e komisionerit për zgjerim, Olli Rehn, i deklaroi "DW" se "funksionimi i dialogut politik është i një rëndësie të dorës së parë për BE". Vetëm pak muaj më parë, në raportin e progresit për Shqipërinë për 2008-ën, Komisioni Evropian i tërhiqte vëmendjen spektrit politik të Tiranës për domosdoshmërinë e konsolidimit të kulturës së dialogut, "për të lejuar sistemin politik të funksionojë në mënyrë efikase". Në bisedimet e pritshme mes BE dhe qeverisë së Tiranës për ligjin e lustracionit, një nga çështjet që do të bëhet objekt diskutimesh është edhe ajo e cenimit që ky ligj i bën pavarësisë së sistemit gjyqësor nga politika. "Për BE është shumë i rëndësishëm një gjyqësor i pavarur politikisht", tha Kristina Nagy. Deklarata e saj vjen pas dorëheqjes së një prokurori në Tiranë, që deri dje drejtonte grupin hetimor për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Opozita në Tiranë konsideron se Zamir Shtylla dha dorëheqjen si pasojë e presionit politik që i bën ligji i ri i lustracionit mbi prokurorë, që po hetojnë çështje të rëndësishme, ku akuzohen për korrupsion zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale. Sepse ky ligj përfshin në procesin e pastrimit të figurave edhe ata prokurorë dhe gjykatës profesionistë, që kanë punuar në organet e drejtësisë edhe gjatë regjimit të kaluar, siç është rasti i prokurorit të dorëhequr të dosjes së Gërdecit, Zamir Shtylla.

Mesazhi i BE përmes zëdhënëses Kristina Nagy është i qartë: Qeveria e Tiranës duhet të reflektojë shqetësimet e BE-së për të plotësuar ato që ky Bashkim i konsideron "kushte të domosdoshme" për progres drejt anëtarësimit. Reflektimi sugjerohet kur qeveria e Tiranës kërkon të bëjë një hap domethënës: të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›