E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dosjet", opozita ankimon në Kushtetuese

Ditën kur ligji i "dosjeve" ka hyrë në fuqi, PS-ja ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin e saj. Veprimi është kryer nga deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, i cili në emër të 36 deputetëve të opozitës i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të marrë në shqyrtim kërkesën e tyre prej 25 faqesh, në të cilat opozita ka argumentuar pse ligji duhet të pezullohet, pasi bie ndesh me të paktën 28 nene të Kushtetutës. Pas depozitimit të kërkesës, e cila ka zgjatur vetëm pak minuta, Xhafa është shprehur se "shpresojmë që gjykata ta marrë shumë shpejt në shqyrtim, së pari të vendosë pezullimin e këtij ligji me pasoja të mëdha ligjore, politike, sociale". Deklaratës së PD-së, që nuk do të njohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të konfliktit të interesit të anëtarëve të tij, Xhafa i është përgjigjur: "Ne kemi parashtruar në kërkesë shkaqet që argumentojnë plotësisht që nuk jemi përpara një konflikti ndërmjet detyrimit që i jep Kushtetuta, Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar dhe për të marrë vendime lidhur me këtë kërkesë dhe ligjit në fjalë. Përveç kësaj, kemi argumentuar në kërkesë se është në detyrimin kushtetues të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të marrin pjesë në gjykimin e kësaj çështjeje. Çdo largim nga gjykimi i kësaj çështjeje është me pasoja për gjyqtarin kushtetues". Xhafa u ka kujtuar deputetëve të mazhorancës, por edhe vetë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet medias, se detyrimi për ta gjykuar buron nga vetë Kushtetuta, nga vetë ligji organik i Gjykatës Kushtetuese, por është edhe në precedentët e Gjykatës Kushtetuese. "Ka të paktën 2 raste, tha Xhafa, kur Gjykata Kushtetuese para vitit 1997 ka shqyrtuar pikërisht ligje të kësaj natyre. Ka dy praktika, të cilat ne i kemi cituar konkretisht edhe në ankimimin që kemi bërë". Më tej, deputeti i PS-së ka theksuar se dërgimi i çështjes në Gjykatë Kushtetuese dhe shqyrtimi i saj duhet të shërbejë si moment reflektimi për mazhorancën dhe veçanërisht për Kryeministrin Berisha, të cilët duhet të heqin dorë nga ushtrimi i dhunës publike ndaj institucioneve të gjyqësorit dhe në mënyrë të veçantë, në rastin konkret ndaj Gjykatës Kushtetuese. Është i pafalshëm, tha Xhafa, ky lloj brutaliteti i mazhorancës ndaj Gjykatës Kushtetuese. Duke i kërkuar të reflektojë për këtë ligj mazhorancës, Xhafa ka deklaruar se "reflektimi më i mirë i saj është që ajo duhet të heshtë dhe të presë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Kështu funksionon një shtet normal demokratik dhe ligjor. Duhet të heshtë edhe për një arsye tjetër, sepse kjo nuk është thjesht një kërkesë e opozitës, por është një kërkesë e Kushtetutës, është kërkesë e ligjit dhe kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë". Deputeti socialist e ka quajtur të patolerueshme arrogancën e mazhorancës ndaj partnerëve ndërkombëtarë, sepse, tha ai, nuk është një arrogancë me pasoja individuale, por mbi të gjitha është një arrogancë që sjell pasoja për fatet e integrimit të vendit.

Firmave të PS-së u bashkohen dhe Bejtaj, Milo, Solis e Peçi

Kërkesa e PS-së, e cila është depozituar në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar rrëzimin e ligjit për dosjet, është firmosur nga 36 deputetë të opozitës. Përveç deputetëve të PS-së, kësaj liste i janë bashkuar edhe deputeti i PSD-së, Engjëll Bejtaj; kryetari i PDS-së, Paskal Milo; si dhe deputetët e PBDNJ-së, Spiro Peçi dhe Leonard Solis. PS-ja ka depozituar një kërkesë prej 25 faqesh, ku janë të renditura arsyet pse ata e kundërshtojnë këtë ligj. Sipas socialistëve, mazhoranca nëpërmjet këtij ligji ka shkelur 28 nene të Kushtetutës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›