E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: Ankimimi i PS-së nuk pengon zbatimin e ligjit

Pas depozitimit të PS-së së ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese ka reaguar menjëherë PD-ja, nëpërmjet deputetit të saj, Aldo Bumçi. Duke mos bërë asnjë koment për qëndrimet e BE-së ndaj këtij ligji, mazhoranca ka vijuar të hedhë akuzat e saj ndaj kryetarit të opozitës. Demokratët i janë përgjigjur vendimit të marrë nga opozita nëpërmjet zëdhënësit të grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, i cili gjatë një konference për shtyp ka deklaruar se ankimimi i PS-së në Gjykatën Kushtetuese nuk do të pengojë zbatimin e këtij ligji. Sipas tij, ligji është në fuqi, dhe për sa kohë do të jetë në fuqi, ai do të zbatohet. Ai tha se ne nuk jemi në konflikt me askënd, pasi po zbatojmë një standard të pranuar në gjithë Evropën Lindore. "Çfarë ka bërë Çekia, Hungaria, Polonia shumë vite më parë, atë po e bën Shqipëria sot", është shprehur Bumçi. Zëdhënësi i grupit të PD-së ka rikonfirmuar edhe njëherë qëndrimin e mazhorancës, duke theksuar se përmes këtij ligji synohet vendosja e një standardi të munguar në shoqërinë shqiptare, që është dënimi dhe distancimi nga krimet e diktaturës. Mazhoranca është më se e bindur se me këtë ligj ata do të ndajnë njëherë e mirë Shqipërinë nga e kaluara e errët nën diktaturë. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, sipas demokratëve po e mban peng gjithë opozitën, duke marrë përsipër krimet monstruoze kundër njerëzimit, të cilat në asnjë rast dhe rrethanë nuk mund të parashikohen. "Me këtë akt, Rama faktoi se u rikthye në identitet dhe se e drejta e morali nuk kanë për të asnjë vlerë përpara mbylljes së arkivit familjar, të firmave që kanë vendosur i ati dhe daja i tij, të cilët persekutuan me dhjetëra intelektualë dhe shqiptarë të pafajshëm, që nga viti 1946 deri në vitin ‘90", ka deklaruar Bumçi. Ligji "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", i quajtur ndryshe ligji i ‘dosjeve‘, është miratuar nga Kuvendi më 22 dhjetor 2008, vetëm me votat e mazhorancës së djathtë. Opozita socialiste e kundërshtoi këtë ligj, duke mos marrë pjesë në votim. Pas miratimit në Kuvend, ai kaloi për dekretim te Presidenti i Republikës, i cili e mbajti në tryezën e punës deri në limitet e fundit që i parashikon ligji dhe më pas lejoi që ai të hynte në fuqi pa firmën e tij. Pra, kreu i shtetit abstenoi duke mos hedhur as firmën mbi këtë ligj, por as nuk e ktheu mbrapsht në Kuvend për ta rishikuar. Presioni mbi kreun e shtetit nga mazhoranca dhe disa shoqata të ish të përndjekurve gjatë ditëve të para të vitit të ri ka qenë i madh, presion të cilin kreu i shtetit nuk e mbështeti me formën e tij mbi këtë ligj. Tashmë kanë kaluar dy javë nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare dhe mazhoranca kërkon zbatimin e tij.

Antikushtetutshmëria

Antikushtetutshmëria e dispozitave të ligjit për çështjen e mbarimit të mandateve kushtetuese
Antikushtetutshmëria e dispozitës ligjore për çështjen e konfliktit të interesit
Cenimi i parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve
Cenimi i të drejtës për punë
Cenimi i dinjitetit njerëzor dhe i jetës private
Cenimi i ndalimit të dënimit më shumë se një herë për të njëjtën vepër

Dëmet që shkakton

Bllokimin e institucioneve kushtetuese, nëpërmjet përfundimit antikushtetues të mandateve kushtetuese, largim apo moskualifikim në pozicione të emëruara apo të zgjedhura, si dhe pamundësi për të kandiduar, është i domosdoshëm pezullimi i tij
Interesave të rëndësishme shtetërore u shkaktohet një dëm shumë serioz dhe vështirësisht i riparueshëm
Krijohen dukshëm mosmarrëveshje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese dhe një autoriteti të krijuar nga një ligj i zakonshëm
Cenohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe të gjitha institucioneve të tjera të administratës publike, nga veprimtaria e Autoritetit të Kontrollit të Figurave
Krijohet vakum institucional deri në bllokim të veprimtarisë kushtetuese të organit shtetëror
Përfundojnë marrëdhëniet e punës për funksionarët e lartë të shtetit, të cilët kanë status kushtetues
Akti i ndërprerjes së marrëdhënieve të punës është i vetekzekutueshëm dhe nuk mund të pezullohet, pavarësisht ankimimit gjyqësor

Nenet e Kushtetutës, të shkelura

1. Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (përkatësisht shkelen nenet 3, 4, 7, 30, 34, 45, 49, 71, 81, 87, 90, 92, 98, 115, 116, 124, 127, 128, 131, 135, 137, 138, 139, 140, 145, 147, 149, 169, të saj) të ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008, "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›