E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Është ende herët për një datë për Shqipërinë

Autori i Lajmit: Redaksia
Është shumë herët të flitet për një datë kur Shqipëria mund të liberalizojë vizat. Kështu ka deklaruar kreu i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin pranë Komisionit Evropian, Luixhi Soreka në një intervistë për BBC. Sipas tij çdo gjë do të varet nga progresi që duhet të bëjë Shqipëria në realizimin e standardeve. “Ajo çka është e qartë është se Komisioni po punon me autoritetet shqiptare që këto arritje të realizohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, - theksoi Soreka. Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria, me gjithë progresin e rëndësishëm, ende ka punë për të bërë për të plotësuar standardet e caktuara për heqje të vizave. “Besoj se duhet bërë ende punë dhe ne jemi në kontakt me autoritetet shqiptare çdo ditë që të përmirësojnë aftësinë e zbatimit të ligjit, shkëmbimin e të dhënave midis tyre, si dhe të përmirësojnë kapacitetin e menaxhimit të kufijve, nga njëra anë. Nga ana tjetër, në fushën juridike, natyrisht aftësia e autoriteteve juridike të Shqipërisë që të hyjnë në asistencë të dyanshme ligjore me autoritetet e shteteve anëtare, ka gjithashtu rëndësi”, - theksoi Soreka. Ai shtoi gjithashtu se uron që të gjitha partitë politike në Shqipëri të mund të marrin pjesë në përpjekjet që vendi dhe autoritetet po bëjnë që shtetasit shqiptarë të marrin atë që meritojnë që do të thotë- liri e lëvizjes drejt shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit.

Ky lajm është publikuar: 19/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›