E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE shtyn diskutimin për Shqipërinë, Barrot: Liberalizimi, perspektivë e prekshme

Komisioni evropian ka përcaktuar datën 2 Qershor për të dhënë zyrtarisht vlerësimet për liberalizmin e vizave me Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që diskutimi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë është shtyrë nga vendet anëtarët të Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit e 27 vendeve kanë kërkuar më shumë kohë për njohjen me raportin mbi Shqipërinë, duke e cilësuar si të pamjaftueshme kohën e përcaktuar më parë. Sipas raportit të delegacionit të vëzhguesve të Komisionit Evropian, Shqipëria nuk i përmbush për momentin kriteret për heqjen e regjimit të vizave. Komisioni ka prezantuar tek shtetet anëtare të BE-së vlerësime të përditësuara mbi zbatimin e udhërrëfyesve për liberalizimin e vizave nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Ish-Republika e Maqedonisë, Mali i zi dhe Serbia. Zëvendës Presidenti Jacques Barrot, i ngarkuar me çështjet e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë, ka theksuar se shumë shpejt do të prezantoj në Kolegj propozimin për të hequr detyrimin e vizave për vendet që kanë arritur objektivat e udhërrëfyesit. Jam shumë i kënaqur nga përpjekjet e bëra nga vendet e rajonit në zbatimin e udhërrëfyesve dhe nga bashkëpunimi i tyre i shkëlqyer në organizimin e misioneve të ekspertëve, si dhe pres me padurim komentet dhe pikëpamjet e shteteve anëtare. Duke konsideruar këtë, unë do të prezantoj sa më shpejt ne Kolegj një propozim për të hequr detyrimin e vizave për shtetasit e vendit/vendeve të cilat do të kenë arritur objektivat e udhërrëfyesit. Kam besim se liberalizimi i vizave me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është një perspektivë e prekshme, ka theksuar Barrot. Vlerësimet e përditësuara të zbatimit të udhërrëfyesve lidhur me liberalizimin e vizave përfaqësojnë një hap më tej në procesin e dialogut të vizave që Komisioni ka filluar me pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor në fillim të vitit 2008. Vlerësimet e para u prezantuan në Nëntor 2008. Dorëzimi i kësaj pakete të dytë vlerësimesh të Komisionit drejtuar Këshillit, përfaqëson përfundimin e një faze intensive të aktivitetit. Gjatë muajve të parë të vitit 2009, Komisioni organizoi një numër vizitash në terren dhe takimesh me ekspertë të vendeve përkatëse. U mbajtën 15 misione ekspertësh, të cilat mbuluan fushat e identifikuara në udhërrëfyesit e vendeve përkatëse. Vlerësimet e përditësuara bazohen në informacionin e marrë gjatë misioneve në terren, të mbledhura nga Delegacionet e Komisionit si dhe të siguruara nga Shtetet Anëtare të BE-së. Komisioni ka marrë dje komentet e para nga Shtetet Anëtare lidhur me vlerësimet e tyre. Duke pasur parasysh këtë, Komisioni do të përfundojë raportet dhe do t'ua kalojë më pas shteteve përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›