E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO dërgon vëzhgues për zgjedhjet në Shqipëri

Asambleja Parlamentare e NATO-s, e cila po zhvillon punimet në Oslo të Norvegjisë, ka vendosur të sjellë vëzhguesit e saj në Tiranë për zgjedhjet e 28 qershorit. Vendimin sipas të cilit vendet e NATO-s do të monitorojnë procesin elektoral të vendit më të ri anëtar të Aleancës, Shqipërisë, ia bëri të njohur kreu i Asamblesë, pasi kryeparlamentarja shqiptare Jozefina Topalli përsëriti kërkesën për monitorim sa më të gjerë. Po e shfrytëzoj këtë mundësi për tju informuar ju zonja kryetare dhe Asamblenë se Komiteti i Përhershëm i kësaj asambleje ka vendosur të pranojë ftesën e qeverisë shqiptare për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare muajin e ardhshëm, ka deklaruar Johner Tanner, president i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ndërsa nga ana e saj, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka vlerësuar anëtarësimin në NATO si një kapitull të ri detyrimesh dhe sfidash. Sfida kryesore që Shqipëria ka përpara në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Ndihem shumë mirë që për herë të parë shqiptarët do të shkojnë në këto zgjedhje me një infrastrukturë tërësisht të re dhe moderne ndaj dhe ju ftoj të jeni monitorues të tyre, theksoi Topalli. Këtë deklaratë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ka dhënë në punimet e Samitit të Asamblesë Parlamentare të Aleancës dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut. Topalli dhe Kryetari i Parlamentit kroat, Luka Bebic, përfaqësues të dy vendeve të reja anëtare të NATO-s, morën pjesë si të ftuar specialë në punimet e Samitit të Asamblesë Parlamentare të Aleancës dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, që u mbajt ditën e hënë në Oslo të Norvegjisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›