E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, "shuplakë" qeverisë për prokurorinë

Faktori ndërkombëtar reagoi fort në mbështetje të pavarësisë së institucioneve dhe konkretisht organit të akuzës. Një ditë pas alarmit që lëshoi ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, reaguan dje edhe vendet e Bashkimit Evropian. Përmes një deklarate për shtyp, ambasadorët e shteteve kryesore evropiane të akredituar në Tiranë shprehën shqetësim nga zhvillimet e fundit në lidhje me sistemin e drejtësisë në Shqipëri. "Këto zhvillime mund të sjellin ndërhyrje të tepërta dhe konflikte të mundshme mes institucioneve në vend", thuhet në deklaratë. Krerët e diplomacisë evropiane i bëjnë thirrje të fortë të gjithëve, kryesisht qeverisë, të respektojnë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes, pjesë e të cilave është edhe llogaridhënia përballë ligjit. Një ditë më parë, diplomatët kryesorë evropianë zhvilluan takime të përbashkëta konsultimi rreth situatës më të fundit politike. Njoftimi zyrtar u shpërnda prej ambasadës së Francës në Tiranë, vend që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Vetëm një ditë më parë, reagoi diplomacia amerikane në kryeqytetin shqiptar. Përmes një deklarate të zëdhënësit të ambasadës, Biks Aliu, shprehej hapur shqetësimi. "Ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e Prokurorisë gjatë një hetimi në vazhdim", nënvizohej në deklaratë. Më tutje theksohej se të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore, dhe të pavarur pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve. Ndërsa vlerësohej se respektimi i të gjitha institucioneve të pavarura është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme. Këto qëndrime të kancelarive kryesore perëndimore duket të jenë mesazh i qartë për mazhorancën në qëndrimin e saj përballë organit të akuzës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers, deklaroi pak kohë më parë në një intervistë për "Shqip" se "do të donim të shihnim një ligj që e forcon Prokurorin e Përgjithshëm dhe jo që e dobëson institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm". Sipas tij, do të duhet t‘i jepet fund politizimit të institucioneve të ndryshme, si për shembull shërbimet e policisë dhe ato sekrete. "Si gjithmonë, kemi të gjithë vullnetin për të punuar me autoritetet shqiptare, grupet private, institucionet ndërkombëtare, për ta ndihmuar Shqipërinë t‘i arrijë ato standarde. E di që janë standarde të larta, por mendoj se nuk janë thjesht për anëtarësimin në NATO, por për të ardhmen e një Shqipërie demokratike", qe shprehur Uidhers.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›