E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria bllokon llogaritë bankare të Erion Isufit

Bllokohen llogaritë bankare të Erion Isufit, kunatit të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Urdhri është lëshuar nga Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimeve për shtetasin Damir Fazliç, i cili akuzohet për "pastrim të produkteve të veprës penale". Hetues të çështjes thanë për gazetën "Shqip" se kanë dyshime se serbo-boshnjaku ka transferuar kapitale nga firmat e tij në drejtim të shtetasit Erion Isufi. "Kemi dyshime se personi nën hetim, Damir Fazliç, ka transferuar shuma të konsiderueshme në drejtim të shtetasit Erion Isufi, duke konsumuar disa elementë të veprës penale. Kapitalet e lëshuara nga Fazliç kanë përfunduar në kompanitë e drejtuara ose të administruara nga shtetasi Erion Isufi", thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, dyshimet konsistojnë edhe nga disa dokumente të marra nga bankat që flasin për një gjë të tillë. "Kemi urdhëruar bankat e nivelit të dytë për bllokimin e pasurive të Erion Isufit. Bllokimi do të jetë disaditor, deri në hetimin dhe verifikimin e plotë të informacioneve. Nëse nuk vërtetohet se ‘pasuria‘ e Isufit nuk është transferuar nga Fazliç apo nga kompanitë që ai ka në pronësi, atëherë pasuria do të zhbllokohet. Në rast të kundërt, prokuroria pritet t‘i kërkojë gjykatës sekuestro paraprake" vijojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Të njëjta burime saktësojnë se verifikimi do të zgjasë disa ditë, deri në kthimin e përgjigjeve zyrtare nga bankat. Hetues të çështjes konfirmojnë se krahas Isufit, akuza ka bllokuar llogaritë edhe të disa personave të tjerë, të cilët dyshohen se kanë vënë kapitalin me "ndihmën" e Fazliçit. "Hetimet janë në fazë të mbledhjes së dokumenteve nga bankat, hipotekat dhe nga Qendra e Kombëtare e Regjistrimit të Pasurive", pohojnë të njëjtat burimet të akuzës.

Ndërkohë, nga hetues të prokurorisë, pohohet, se po përgatisin edhe thirrjen e personave që mund të japin shpjegime për dosjen "Fazliç". Ndërkohë, në lidhje me largimin e shtetasit serbo-boshnjak nga Shqipëria, prokuroria ka marrë në pyetje shefin e policisë së Rinasit. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë urdhër me shkrim për "ndalimin" e shtetasit të huaj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›