E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi në Itali, takon Xhorxho Napolitanon

Presidenti shqiptar, Bamir Topi, është pritur dje nga Presidenti italian, Xhorxho Napolitano. Në bisedën e tyre, dy presidentët kanë vlerësuar këtë vizitë si një moment kulmor dhe shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e çmuar nivelin e këtyre marrëdhënieve si të shkëlqyer, çka buron nga lidhjet historike dhe tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë. Në këtë takim, kryetari i shtetit e njohu homologun italian me disa prej zhvillimeve më të fundit të brendshme në vend, duke vënë theksin në ecurinë pozitive të reformave kushtetuese, zgjedhore, në drejtësi, ekonomi, etj., si faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Duke folur më tej mbi bashkëpunimin dypalësh, Presidenti Topi vuri në dukje klimën e favorshme që ofron Shqipëria ndaj investimeve të huaja. Në këtë takim, Presidenti nënvizoi se zgjerimi dhe forcimi i marrëdhënieve me Italinë, si dhe synimi për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes vendeve tona, përqendron domosdoshmërisht vëmendjen drejt çështjes së qarkullimit të lirë të njerëzve, për të cilën shprehu mendimin se është e nevojshme të krijohen lehtësira të mëtejshme. Gjithashtu, gjatë bisedës, kryetari i shtetit shprehu dhe mirënjohjen për kujdesin e treguar nga qeveria italiane, si dhe për mbështetjen që ajo u ka dhënë dhe u jep emigrantëve shqiptarë, duke nënvizuar rëndësinë e veçantë që do të kishte dhe krijimi i kushteve më të favorshme për arsimimin në gjuhën shqipe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›