E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, sot emri i Presidentit dhe ministrit të Jashtëm

Autori i Lajmit: Redaksia
Bruksel - Udhëheqësit e BE-së do të zhvillojnë sot samitin e tyre të jashtëzakonshëm, për të zgjedhur presidentin dhe shefin për politikë të jashtme, që të dy këto funksione të krijuara me Traktatin e Lisbonës. Reinfeldt, i cili po kryeson procesin për emërimin e presidentit, zbuloi se vendimi do të merret ditën e sotme, gjatë takimit të presidentëve dhe të kryeministrave të 27 shteteve anëtare të BE-së, i cili do të zhvillohet në Bruksel. Presidenca është një prej dy funksioneve të reja të larta të unionit, të cilat BE-ja i ka krijuar, për të ushtruar në mënyrë më efektive ndikimin e vet në arenën ndërkombëtare dhe për të përmirësuar procedurat politike. Funksioni tjetër është ai i përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme, i cili do të ketë kompetenca të shtuara. Zyrtarët qeveritarë në kryeqytetet e BE-së kanë theksuar se gara për këto dy funksione mbetet e hapur, por si kandidat i fuqishëm për funksionin e presidencës mbetet kryeministri i Belgjikës, Herman Von Rompuy, i cili ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të mbuluar këtë funksion.

Ish-presidentja

Ish-presidentja e Letonisë, Vaira Vike Freiberga, kandidate për t’u bërë presidentja e parë e BE-së, përshpejtoi dje sulmet e saj ndaj procesit të përzgjedhjes dhe sfidoi rivalët e saj që të përfshihen në një garë të hapur. Vike Freiberga, e cila ishte presidentja e parë femër në Evropën Lindore, pas shembjes së bllokut sovjetik, theksoi se është gjithashtu e shqetësuar për shkak të sugjerimit se funksioni i presidentit duhet të mbulohet nga një mashkull. “Ata njerëz që e thonë këtë, duhet ta pastrojnë gojën e tyre me sapun”, - tha zonja Freiberga. “Sipas mendimit tim, ata po shprehin paragjykimet më të thella për femrat. Ata po kërkojnë të nënvizojnë se nuk kemi femra të kualifikuara dhe kjo më hidhëron. Kjo është një gënjeshtër dhe të gjithë duhet të protestojmë, sepse lë të kuptojë se talenti u është dhënë vetëm atyre që kanë kromozome mashkullore”, - theksoi me ton ironik Vika Freiberga. Vika Freiberga theksoi se për këto funksione do të vendoset me dyer të mbyllura, në stilin sovjetik të të mbuluarit të gjërave. “Procesi duhet të jetë më transparent. Programi im për presidente do të jetë i hapur. Kandidatët nuk duhet të fshihen prapa ithtarëve të tyre, duhet të dalin publikisht dhe të thonë se janë të gatshëm për të ushtruar këtë funksion”, - tha Vika Freiberga.

Rompuy

Zyrtarët qeveritarë në kryeqytetet e BE-së kanë theksuar se gara për këto dy funksione mbetet e hapur, por si kandidat i fuqishëm për funksionin e presidencës mbetet kryeministri i Belgjikës, Herman Von Rompuy, i cili ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të mbuluar këtë funksion. Van Rompuy, udhëheqës i qendrës së djathtë, ka më pak se një vit që ushtron funksionin e Kryeministrit të Belgjikës, por ai ka arritur që të mbajë në këmbë qeverinë aspak të lehtë të koalicionit në vendin e tij. Dalja e tij në sipërfaqe si favorit lë të kuptojë se udhëheqësit e BE-së dëshirojnë një president, i cili është i aftë që të sigurojë një konsensus, e jo ndonjë burrë shteti me përvojë, i cili është në gjendje të hapë dyert në kryeqytetet e botës. Britania ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga mbështetja për ish-kryeministrin Toni Bler.

David Miliband

Tërheqja e parë zyrtare

Ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, e ka përjashtuar zyrtarisht veten nga gara për funksionin e ministrit të Jashtëm të BE-së dhe mbështeti fushatën e ish-kryeministrit të Britanisë, Toni Bler, për t’u bërë presidenti i parë i unionit. Duke qenë se në të ardhmen Miliband synon të drejtojë Partinë Laburiste, shefi i diplomacisë britanike theksoi se e ardhmja e tij është e lidhur me Britaninë, duke theksuar se ai dëshiron të qëndrojë dhe të luftojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të cilat pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm në Britani. Një emër i lakuar së fundmi për këtë post është dhe ish-ministri i Jashtëm italian, Massimo d’Alema.
Ky lajm është publikuar: 19/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›