E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e PPSH, shfaqet Jing numri 2 i ri i Kinës

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Pekin, 12 nëntor 1971 - Eklipsimi i dukshëm i marshallit Lin Biao, ministrit kinez të Mbrojtjes dhe trashëgimtarit kushtetues të Mao Ce Dunit, ka sjellë në krye një figurë që tani mund të jetë ushtari udhëheqës i Kinës. Marshalli Jeh Çien Jing ka fituar qartazi një rëndësi shumë të madhe në Pekin brenda këtyre javëve të fundit dhe sipas specialistëve kinezë këtu, ai mund të propozohet për të ardhur në pushtet në vend të Lin Biaos si ministër i Mbrojtjes. Për shkak të moshës së tij të madhe, Jeh ka shumë gjasa që të jetë një pasardhës i përkohshëm i Biaos. Ashtu si Çu En Lai, ai është 73 vjeç. Pozita e lartë e Jehut u bë e dukshme gjatë një ceremonie në kryeqytetin kinez ditën e hënë, kur festohej themelimi i Partisë së Punës (Komuniste) së Shqipërisë. Rreshtimi në ceremoni tregoi fare qartë se marshalli Jeh qëndronte i katërti në radhë në hierarkinë e Pekinit, pas Maos, Çusë, dhe gruas së Maos, Çian Çin. Megjithatë, radha në të cilën Çin ndodhej më shumë se sa hierarkike dhe e vërtetë, ishte simbolike. Jeh mori pjesë gjithashtu dhe në bisedimet e mbajtura në Pekin mes Çusë dhe asistentit të Shtëpisë së Bardhë, Henri Kisinger, në qershor dhe sërish një muaj më parë. Ngritja e tij në përgjegjësi shihet nga shumë ekspertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një shenjë që udhëheqja e Partisë Komuniste në Pekin ka arritur të rivendosë autoritetin e saj mbi komandantët rajonalë kinezë, të cilët erdhën në pushtet gjatë Revolucionit të vrullshëm Kulturor të Maos. Ndonëse ai është një oficer veteran, Jehut i është afishuar posti i zëvendëskryetarit të Komisionit të Çështjeve Ushtarake, (një organ partiak) gjatë deklaratave publike të Pekinit. Ky titull besohet se i është akorduar me shumë kujdes qëllimisht për të treguar se Jeh është një vartës i batakçinjve të udhëheqjes së partisë. Analistët këtu janë të bindur se debati ka arritur kulmin me përjashtimin e Lin Biaos dhe nëpunësve të tjerë të vjetër kinezë që ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e luftës për pushtet mes ushtarëve dhe civilëve. Lini, i cili ka qëndruar jashtë syve të popullit që prej fillimit të muajit qershor, mendohet nga disa burime se ka vdekur. Ngritja e Jehut shikohet gjithashtu dhe si një fitore për Çu En Lain. Këta dy burra kanë qenë shumë të lidhur në pikëpamjet e tyre prej 40 vitesh. I lindur në provincën jugore të Kvangtungut, Jeh i përket etnitetit “Haka”, i edukuar nga kinezët veriorë, të cilët janë endur prej shekujsh në jug dhe tani banojnë në shumë zona të Azisë Jugore. Një burrë me pamje të qetë, me flokë të bardha dhe syze, Jeh është një njeri me reputacion që ka pasur një jetë mondane në vogëli. Një amerikan që e njihte atë në vitet ‘30 e përshkroi Jehun si një “person të çiltër dhe shpërthyes” dhe si një “punëtor të palodhshëm”. Sipas disa informacioneve, Jeh është martuar katër herë. Burime, të cilat e kanë njohur marshallin thonë se Jeh nuk ka shfaqur asnjëherë më shumë se sa një interes të vakët për ideologjinë komuniste, megjithatë ai ka spikatur si një strateg ushtarak i shkëlqyer dhe një negociator diplomat. I përgatitur si ushtar, Jeh iu bashkëngjit komunistëve në mesin e viteve ‘20. Ai u bë instruktor në Akademinë Ushtarake “Vhampoa”, që drejtohej nga Çan Kai Shia, gjatë periudhës kur nacionalistët komunistë bashkëpunonin me profecitë e Bashkimit Sovjetik. Ishte pikërisht në Vhampoa ku Jeh u takua me Çu En Lain, atëherë një komisar politik në Akademi. Gjatë fillimit të viteve ‘30 Jeh mori anën e Çusë kundër Maos. Ata përkrahën profesionalizmin ushtarak, ndërsa Maoja ishte një përkrahës i fortë i luftës guerile. Pikëpamja e Mao Ce Dunit triumfoi, por Jeh thuhet se e përçmoi një qasje guerile në vitet që do të vijonin. Jeh punoi së bashku me Çu En Lain gjatë Luftës së Dytë Botërore në misionin ndërlidhës komunist në Çungking, kryeqytetin e kohës së luftës të Kinës. Gjatë kësaj periudhe, marshalli Jeh Çien Jing u njoh me shumë amerikanë, mes të cilëve dhe me shkrimtarët Teodor H. Uajt dhe Edgar Snou. Pas luftës, Jeh drejtoi grupin komunist në Pekin që u përpoq të negocionte me nacionalistët, së bashku me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që shërbenin si negociatorë. Me sa duket, pikërisht për shkak të origjinës së tij gjeografike, Jeh u caktua që të shërbente në vende në jug të Kinës menjëherë pasi komunistët erdhën në pushtet. Mes dhjetë oficerëve që u graduan me titullin “Marshall” në vitin 1955, marshalli Jeh Çien Jing, u shndërrua në një përkrahës të zhurmshëm të politikave për të modernizuar ushtrinë kineze. Jeh udhëtoi gjithashtu gjerësisht dhe si kryetar delegacionesh ushtarake në shtete si Burma, Indi, Poloni dhe Bashkimin Sovjetik. Gjatë Revolucionit Kulturor të Maos, Jeh, së bashku me Çu En Lain, bënë përpjekjet maksimale për të kufizuar Rojet e vrullshme të Kuqe. Sipas një raporti, të rinjtë maoistë i thyen gishtat dhëndrit të tij, një pianist shumë i talentuar. Jeh, ashtu si edhe Çuja, ishte në krye të atyre, të cilët punuan për të vendosur rendin në Kinë menjëherë mbas Revolucionit Kulturor. Vitet tashmë kanë kaluar dhe për Çu En Lain, i cili veprimin e fundit të rëndësishëm e ka marrë me shpalosjen e planit të ri ekonomik gjatë Revolucionit Kulturor. Ligji i ri ekonomik i jepte fund shtetit që shpërblen ish-kapitalistët kinezë, prona e të cilëve u është marrë pasi komunistët erdhën në pushtet. Çu En Lai premtoi se shpërblimet do të përfundojnë pasi të ketë përfunduar Revolucioni Kulturor. Komunistët që shtetëzuan sipërmarrjen private, shpesh i lejuan pronarët e tyre t’i punonin ato, ndërsa u paguanin shuma subvencionuese për t’i kompensuar. Kohët e fundit, Bashkimi Sovjetik, me sa duket, i ka sulmuar këto mbetje kapitaliste. Për Çu En Lain, fundi i subvencioneve dhe shtyrja e zbatimit të kësaj lloj praktike deri në një kohë të papërcaktuar, do t’i përputhej imazhit të tij perëndimor si një pragmatist, që di kur u përkulet erërave politike pa humbur sensin ekonomik.

Ky lajm është publikuar: 19/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›