E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, të hënën mbledhje urgjente për Ballkanin

Presidenca suedeze e Bashkimit Europian ka avancuar mbledhjen e grupit të punës për Ballkanin Perëndimor, nga zhvillimet e reja politike në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri. Ministria e Jashtme e Suedisë ka ndryshuar axhendën, duke e afruar takimin e grupit konsultativ jo të hënën e ardhshme më 30 nëntor siç ishte planifikuar, por nesër, më 23 nëntor. Ky ndryshim i axhendës, sipas burimeve diplomatike të BE-së në Tiranë, mësohet se ka marrë shkas nga zhvillimet e reja politike në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ku u zhvilluan zgjedhjet lokale. Pritet që protestat e opozitës dhe mundësia e përshkallëzimit të situatës politike në Tiranë të jetë pjesë e diskutimit në Bruksel. Ky komision, që drejtohet nga ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, pritet të informohet nga diplomatët në lidhje me zhvillimet e fundit. Sipas të gjitha gjasave do të ketë një konferencë shtypi të Bildt dhe komisionerit Rehn për të bërë të ditur qëndrimin e Bashkimit Europian. Sipas axhendës së caktuar në fillim të nëntorit,
grupi konsultativ për Ballkanin Perëndimor do të duhej të mblidhej më datën 30 nëntor në Bruksel, ku grupi i diplomatëve dhe ekspertëve të Bashkimit Europian, i cili do të përgatisë draftin përkatës për mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave të BE. Njoftimi ishte bërë i ditur nga axhenda e Presidencës suedeze të BE-së, por në këtë dokument nuk bëhet e ditur axhenda. Në njoftimin përkatës, theksohet se më 30 nëntor do të mblidhet grupi i punës për Ballkanin Perëndimor, i cili është përgjegjës për çështjet shqetësuese për Ballkanin Perëndimor që përfshin: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën. Ky takim do të vërtetojë procesin e stabilizim-asociimit, strumentin e parafinancimit, por edhe zhvillimet politike dhe ekonomike në vend.

Y. Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›