E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Po na përgjohen telefonat"

Deputetët e Partisë Socialiste deklaruan dje se telefonat e tyre po përgjohen nga një makinë që qëndron në oborrin e Kryeministrisë. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, vuri në dijeni protestuesit për përgjimin. "Do doja t‘ju ftoja të zhvendosemi në cepin tjetër të selisë së Kryeministrisë për të qëndruar aty derisa makina e përgjimit të telefonave të deputetëve, kryetarëve të partive politike që ndodhen këtu, që përgjohen në mënyrë të paligjshme, të largohen nga ai shesh", tha ai. Më pas, protestuesit qëlluan me vezë godinën e Kryeministrisë. Në këtë moment u shtuan menjëherë radhët e policisë përgjatë gjithë murit të Kryeministrisë dhe është dashur ndërhyrja e deputetëve për normalizimin e situatës. Deputeti socialist, Fatmir Xhafa, tha se në oborrin e Kryeministrisë ndodhej një makinë që survejonte gjithë protestën. Madje, sipas tij, survejoheshin edhe celularët e opozitës. "Kjo është qeveria e çimkave", ka deklaruar deputeti Xhafa, ndërsa ish-shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi, tha se në makinë ndodheshin dy antena që përgjonin telefonata të caktuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›