Senati voton hapin e parë të reformës shëndetësore
Senati Amerikan ka hedhur dje në votë në orët e vona reformën për kujdesin shëndetësor me demokratët që priten të kapin 60 votat e duhura për të kundërshtuar opozitën e republikanëve. Vota e senatorëve ka të bëjë me planin 2.5 trilionë dollarësh për sistemin shëndetësor, që është edhe hapi i parë procedural për ligjin me 2074 faqe. Demokratëve u duhen 60 vota për të aprovuar mocionin në Senatin me 100 anëtarë dhe do t‘ia dalin mbanë duke qenë se kontrollojnë pikërisht 60 vota. Ky ligj është prioriteti kryesor i Obamës për sa u takon çështjeve të vendit dhe qëllimi i ligjit është shtrirja e shërbimin te miliona qytetarë të pasiguruar. Republikanët e kanë cilësuar këtë ligj si të superkushtueshëm dhe të paefektshëm dhe si një ndërhyrje e qeverisë në sektorin privat që do të rrisë premiumet e sigurimeve dhe do të shtojë taksat.