E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, tre kushte për heqjen e vizave

 

ADI SHKEMBI

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në KE, Pierre Mirel, tha dje në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha se, Shqipëria duhet të vazhdojë reformat e qëndrueshme dhe të bindshme në zbatimin e MSA-së. "Dua t`i referohem në veçanti nevojës për të vazhduar përpjekjet e qëndrueshme për reformën zgjedhore, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, ndaj të cilës tashmë janë marrë një sërë masash. Gjithashtu, në lidhje me klimën e biznesit, dua të theksoj nevojën për zgjidhjen e çështjes të së drejtës së pronës, me qëllim rritjen e mëtejshme të investimeve", u shpreh zyrtari i lartë nga Brukseli. Në këtë kontekst, mesazhi kryesor i Bashkimit Evropian është pikërisht konsensusi politik mbi reformat prioritare, duke vlerësuar në të njëjtën kohë marrëdhëniet e mira ndërpartiake në vend gjatë viteve të fundit. Duke u përgjigjur për secilën nga kushtet e theksuara nga Mirrel, kryeministri Berisha tha se, qeveria është e vendosur në luftën kundër korrupsionit. "Me opozitën ka një dialog konstant. Ne jemi të vendosur të punojmë bashkërisht për Kodin Zgjedhor. Ekspertët tanë kanë kontakte të vazhdueshme dhe unë jam i bindur se ata do të gjejnë gjuhën e përbashkët për t'i dhënë bazën më të mirë ligjore procesit zgjedhor, ashtu sikurse e gjetën për ndryshimet kushtetuese dhe për të lënë mbrapa Dushkun", deklaroi kreu i qeverisë. Duke iu referuar reformës në drejtësi, ku përfshiu edhe Prokurorinë, Berisha u shpreh se, nuk mund të ketë qëndrime të ndryshme përsa i përket këtyre institucioneve, pavarësisë së tyre dhe përgjegjësisë së tyre ligjore. Ndërsa për luftën kundër korrupsionit kreu i qeverisë bëri të ditur se në tre vjet janë arrestuar 160 punonjës të administratës, nga zv.ministra në drejtorë të përgjithshëm, si dhe 110 policë. I pyetur nga gazetarët nëse ka një afat konkret për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Mirrel vijoi se, "udhëzuesi është pak a shumë një listë kushtesh që duhen përmbushur. Heqja e aplikimit të vizave nuk ka për shtysë një kalendar, por ka reformat".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›