LSI: Berisha dështoi me shëndetësinë
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje ndaj raportit të “World Vision” lidhur me performancën e sistemit shëndetësor dhe vdekshmërinë foshnjore. Sipas sekretarit të Përgjithshëm, Petrit Vasili, ky raport duhet konsideruar si denoncim i një situate tepër të rëndë dhe të pashembullt të shëndetësisë shqiptare. “Kaosi, papërgjegjshmëria, spontaniteti dhe empirizmi klientelisto-politik janë tiparet e menaxhimit të një sistemi jetik për çdo qytetar si shëndetësia dhe që po i largohet gjithnjë e më shumë qytetarit dhe personelit mjekësor”, theksoi Vasili. Sipas tij, “qeveria e “Berishës” e drejtuar për herë të parë në historinë e Shqipërisë nga një mjek ka dështuar si asnjë qeveri tjetër me shëndetësinë. Në mënyrë të pacipë kjo qeveri ka folur vazhdimisht për shëndetësinë si prioritet të saj, por në vend të saj dështimi dhe mosbesimi i thellë i qytetarëve ndaj saj, kanë qenë arritjet e saja më të mëdha”.