E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE, vleresime për drejtësinë shqiptare

27/05/2005  Priebe dhe Salzman në nënshkrimin e projektit "Euralius" në Ministrinë e Drejtësisë

TIRANË - Drejtësia shqiptare do të asistohet në rrugën e saj të reformave nga Komisioni Evropian. Një gjë e tillë mundësohet nga nënshkrimi i djeshëm në ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë të projektit EURALIUS, misioni i asistencës së BE për sistemin e Drejtësisë në Shqipëri. Ky projekt mundësohet nga fondacioni CARDS. Ndërkohë që kohëzgjatja e tij do të jet për dy vjet, me një fond prej rreth 4.5 milionë euro. Në ceremoninë e nënshkrimit të bashkëpunimit për këtë projekt, morën pjesë Ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafaj, Drejtori i Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian Reinhard Priebe, Ministrja e Integrimit Evropian Ermalinda Meksi, ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian Lutz Salzman, zv.ministri i Drejtësisë së Austrisë Ë. Fellener, përfaqësues i shtetit që do të drejtojë edhe projektin. “Sistemi ynë i drejtësisë, në sajë të punës sonë të përbashkët, edhe me partnerët ndërkombëtarë ka kaluar nga faza e ringritjes së institucioneve dhe emergjencës në politikat e implementuara, në fazën e konsolidimit të institucioneve dhe hartimit dhe zbatimit të politikave shtetërore afatmesme e afatgjata në fushën e drejtësisë. Reformat shumëpalëshe, të ndërmarra në fushën e drejtësisë si dhe hartimi dhe zbatimi i planit kombëtar të përafrimit janë dëshmi e drejtpërdrejtë e procesit pozitiv në të cilin është futur zhvillimi i sistemit të Drejtësisë në vendin tonë” tha Ministri Xhafaj gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të këtij projekti. “Ne sot jemi përballë sfidës për të realizuar përafrimin e legjislacionit tonë me standartet e BE për të siguruar qëndrueshmëri dhe konsolidimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë për të arritur cilësisht performancën e tyre në procesin e zbatimit të ligjit me synimin e vetëm forcimin e cilësisë në dhënien e drejtësisë dhe rritjen e besueshmërisë së qytetarit taksapagues ndaj tyre” vijoi Xhafaj. “Ne besojmë se të gjitha këto iniciativa do të pasohen nga shumë të tjera ndoshta edhe më të vështira, por që shumë shpejt do të përkthehen në një zhvillim konkret të sistemit ligjor dhe gjyqësor në Shqipëri si dhe luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ju siguroj se kjo ndërmarrje kaq e madhe nuk do t’ju lërë ju të dështoni” tha Priebe. Zv.ministri i Drejtësisë së Austrisë, në emër të institucionit të tij dhe të ministres austriake, garantoi suksesin e këtij projekti, i cili do të drejtohet nga Austria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›