"Mjeshtri" vjedh sërish 4 dyqane, ka në dosje 13 grabitje
27/05/2005 TIRANË- Në dosjet e Policisë Kriminale i numëroheshin 9 grabitje, ndërsa dy ditë më parë komisariati numër 1 e akuzoi edhe për 4 vjedhje të tjera. Bëhet fjalë për një të mitur, 12 vjeç, me inicialet S.S, i cili tashmë është bërë mjeshtër i grabitjeve. Së fundmi akuzohet se në bashkëpunim me Klevis Celën që tashmë ndodhet i arrestuar në Durrës, kanë vjedhjur një dyqan në rrugën "Bajram Curri", një tjetër dyqan me kozmetike në këtë rrugë, një farmaci në të njëjtën rrugë e së fundmi një dyqan kompjuterash në rrugën "Bajram Curri". Tashmë numri i grabitjeve ka shkuar në 13. Nga burime të kriminalistikës mësohet se, tashmë "stili" i tij i vjedhjes është ngulitur mirë në mendjen e tij, pasi ai arrin që, mjeshtërisht, pa dhunë, pa thyerje të grabisë të gjitha materialet e çmuara që mund të ndodhen në objektet ku ai synon. Në listën e gjatë të vogëlushit që banon sa herë në Tiranë, më pas në Korçë, e më në fund në Elbasan, pasi nuk ka asnjë nga prindërit, përmenden grabitje spektakolare të parukerisë "Beauty", të disa dyqaneve ushqimore, etj. Ndërkaq, paradoksi i arrest-lirimit të tij përsëritet një herë në dy a tri ditë, pasi agjentët fillimisht i vënë prangat, mirëpo mosha e tij minorene e favorizon të lirohet menjëherë dhe përgjegjësia t’i kalojë prindërve.