E Diel, 1 Nëntor 2026

BE vlerëson maturinë e shqiptarëve, zgjedhjet e 8 majit ishin konstruktive

12-05-2011 / Gazeta 55

Zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin Natasha Butler

Bashkimi Europian shprehu dje vlerësime për pjesëmarrjen masive të qytetarëve shqiptarë në procesin demokratik të zgjedhjeve vendore të 8 majit, ndërsa e cilësoi ditën e zgjedhjeve një ditë të qetë edhe pse në një atmosferë polarizuese. Pas publikimit të raportit paraprak një ditë më parë të ODIHR për zgjedhjet vendore, në një prononcim për mediat, zëdhënësja e Komisionit Europian, Natasha Batler, përcolli mesazhin e BE-së ndaj partive politike në Shqipëri që të mbajnë një atmosferë konstruktive dhe të vazhdojnë me procesin elektoral për të përmbushur standarde europiane. “Ne mbajmë shënim se këto zgjedhje u mbajtën në një atmosferë të tensionuar, me polarizim të lartë. Siç nënvizohet në raport, qëndrimi do të varet nga sjellja deri në përfundim të procesit, ndaj sot ju them se ne po monitorojmë sesi i gjithë ky proces po mbahet, duke përfshirë numërimin sigurisht, shpalljen e rezultatit dhe menaxhimin e ankesave të mundshme. BE konsideron se qytetarët shqiptarë kanë marrë pjesë qetësisht në këto zgjedhje e në disa zona strukturat administrative garantuan që procesi të vijonte pa pengesa në ditën zgjedhore”, deklaroi Butler. “E vlerësojmë shumë pjesëmarrjen qytetare në një proces të tillë demokratik. Presim që sjellja në këto zgjedhje të jetë në përputhje me standardet europiane e demokratike, pasi ky është prioritet kyc për hapat e mëtejshëm të procesit integrues të Shqipërisë, siç nënvizoi Komisioni në Opinionin për Shqipërinë nëntorin e kaluar”, theksoi ajo.
E pyetur disa here mbi një qëndrim më të plotë të Komisionit mbi këto zgjedhje, Butler përsëriti se nuk mund të kishte komente nga BE, kur deri 24 orë më parë, 50 për qind e votave të shqiptarëve nuk ishin numëruar ende nga autoritetet vendase. Komisioni Europian u kërkon aktorëve politikë dhe institucioneve vendase që të vijojnë fazat e tjera të procesit nën një atmosferë konstruktive.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›