E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE zgjeron “listën e zezë” për shqiptarët

01/02/2005  Nëntë emrave të rinj u ndalohet të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian zgjeroi dje listën e zezë për shqiptarët. Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, kanë vendosur të shtojnë edhe nëntë emra të tjerë në listën e zezë, e cila nënkupton në veçanti sanksione ndaj shqiptarëve që konsiderohen ekstremistë në Republikën e Maqedonisë. Emrave që janë ndodhur më parë në listën e zezë, u shtohet edhe një afat tjetër 12-mujor, në të cilin ata ndalohen të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian. Ndërsa lista është zgjeruar dje edhe me nëntë emra të rinj shqiptarësh. Mes tyre, sipas Radiotelevizionit të Kosovës, janë Idajet Beqiri, Lirim Jakupi, Agim Krasniqi, Fatmir Limani, Ruzhdi Matoshi, Naser Misimi, Taip Mustafaj, Emrush Suma dhe Sami Ukshini. Emrat e parë shqiptarë kanë hyrë në listën e zezë në muajin shkurt të vitit 2004.

Vendimi

Në vendimin e marrë dje nga Bashkimi Evropian, thuhet se këto masa kanë për qëllim të parandalojnë pranimin në territorin e BE-së personave, të cilët në mënyrë aktive promovojnë apo marrin pjesë në veprime të dhunshme. Këto veprime cilësohen nga BE-ja si një sfidë ndaj Marrëveshjes së Ohrit, parimeve bazë të stabilitetit dhe integritetit territorial si dhe të karakterit multietnik të Republikës së Maqedonisë. Sipas vendimit të firmosur dje nga ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, të gjithë personat që kanë hyrë në listën e zezë, në mënyrë të qëllimshme i bëjnë rezistencë dhe pengesë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›