E Hënë, 2 Nëntor 2026

GTZ, 20 mijë euro për studentët e Hidroteknikës

01/02/2005  

Të punosh në një ndërmarrje ujësjellësi, nuk duhet vetëm të kesh shkollën e duhur. Tregu i punës për këtë sektor ka nevojë për forca të afta dhe të profesionalizuara, që njohin nga afër problemet dhe sfidat që ka puna në një ndërmarrje ujësjellësi. Për këtë qëllim, Fakulteti i Mjedisit dhe Hidroteknikës, në Bashkëpunim me Shoqatën e Ujësjellësave dhe GTZ-së, ka mundur të nënshkruaj një marrëveshje bashkëpunimi, e cila i hap rrugën trajnimit të studentëve në ndërmarrjet e Ujësjellësave gjatë verës 2005. “GTZ-ja do të financojë me 20 mijë euro për Programin e Praktikës së Punës gjatë verës 2005”, ka thënë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes përfaqësuesja e GTZ-së, Anula Guda, duke deklaruar se programi është një mundësi shumë e mirë trajnimi për këta studentë. “Shqipërinë do ta bëjmë ne shqiptarët me kulturën dhe nivelin tonë profesional dhe moral”, tha Guda. Kështu për t’i dhënë jetë kësaj marrëveshjeje, në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë, përfaqësues të tre institucioneve, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof.as.Forcim Softa, përfaqësuesja e GTZ-së, Anula Guda, si dhe kryetari i Shoqatës së Kanalizim-Ujësjellësave, Petrit Tare, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit. “Programi i praktikës është planifikuar që të mund të realizohet në dy muajt e sezonit veror 2005, me një grup prej 24 studentësh të vitit të pestë”, tha dekani i Fakultetit, prof.as.Forcim Softa. Ndërkaq, kreu i Shoqatës së Ujësjellës–Kanalizimeve, e ka quajtur këtë program një urë lidhëse mes teorisë dhe praktikës. “Nëpërmjet këtij programi, ne do t’ju ofrojmë studentëve një mundësi praktike, një eksperiencë pune për të investuar në fillim të karrierës së tyre”, tha Petrit Tare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›