E Hënë, 2 Nëntor 2026

Si t’i investosh lekët që ke në shtëpi

01/02/2005  

Nga interesat bankare deri te aksionet, kush janë kushtet më të leverdisshme

Metoda tradicionale e shqiptarëve e fshehjes së parave në një cep të shtëpisë, është një zakon i harruar. Por, edhe pse kanë kaluar 15 vjet tranzicion, duket se ekonomia nuk ofron alternativa të mira, për ata që kanë para të kursyera në shtëpi. Mënyra e vetme dhe e vjetër që njohin shqiptarët është depozita, ndërkohë që kohët e fundit ka filluar të aplikohet dhe blerja nga individët e bonove të thesarit. Ndryshe nga qytetarët në vendet e zhvilluara, që i investojnë paratë e tyre duke luajtur në bursë, shqiptarët nuk e kanë akoma këtë fat. Edhe pse bizneset do të donin t’i përdornin paratë e qytetarëve me „qira“, moslistimi i tyre në bursë ua heq këtë privilegj. Për 2005-ën, Banka e Shqipërisë ka filluar fushatën për të rritur interesin e bankave të nivelit të dytë për depozitat në lekë. Aktualisht, tregu financiar shqiptar ofron interes depozitash me një mesatare prej 6 për qind, ndërkohë që vlera më e lartë e depozitave në lekë shkon deri në 9 për qind. Blerja e bonove të thesarit apo depozitimi në lekë ofrojnë përfitueshmëri më të lartë se sa depozitimi në valutat kryesore, kryesisht euro dhe dollarë. Një vështrim mbi tregun bankar në Shqipëri, të tregon se interesat në lekë fillojnë me 4 për qind dhe përfundojnë me 9 për qind. Banka Popullore ka aktualisht interesin më të lartë për depozitat me afat 24-mujor, duke ofruar 9 për qind, në një kohë që bankat e tjera për këtë nivel maturimi japin 7 për qind. Por në rastin kur nuk mund të presësh dy vjet për të marrë interesat, por kërkon një kohë më të shkurtër, bankat të ofrojnë interesa që variojnë nga 5.5 deri në 8 për qind për depozita 3-mujore deri në 1-vjetore. Leku ka interesin më të lartë në tregun bankar, ndërkohë që valutat “luajnë” në treg me interesa që variojnë nga 1 për qind deri në 3.6 për qind. Eshtë sërish Banka Popullore ajo që ka nivelin më të lartë të interesave të depozitave në valutë. Kështu nga një bankë në një tjetër, interesat e depozitave në lekë luajnë me të paktën 0.2–0.7 për qind. Interesat gjashtë mujore fillojnë me 5.26 për qind për të përfunduar në 5.9 për qind. Në këtë pikë depozitat konkurrojnë denjësisht me bonot e thesarit, interesat 3-mujore të së cilave janë 5.9 për qind. Ndërkaq, kur vjen puna për interesat vjetore, ka banka që e tejkalojnë me 1 për qind interesin vjetor të bonove të thesarit, duke dhënë 9 për qind interes në raport me 0.08 për qind që japin bonot e thesarit.

BANKA

Me depozitat në banka klientët kanë mundësi të fitojnë duke mbyllur paratë e tyre në llogaritë bankare, sipas afatit të përzgjedhur në fillim. Depozitat mund të jenë me afat 1-mujor, por dhe me afat 24-mujor. Sa më e gjatë të jetë koha e depozitimit, aq më e lartë është norma e interesit. Kështu interesat e depozitave fillojnë me 5 për qind për të përfunduar me 9 për qind, madje ka banka që kanë interesa për 24 muaj deri në 10 për qind të vlerës së depozitës. Norma e interesit e depozitës merret pasi mbyllet afati i caktuar d.m.th., pas 3 ose gjashtë muajve. Shumës bazë i shtohet dhe vlera e interesit e fituar nga depozita bankare. Në rast se depozituesi nuk e tërheq shumën, atëherë vlera e fituar i shtohet shumës së depozituar në fillim, për t’u vendosur sërish me interes.

BONOT

Bonot e thesarit janë letrat me vlerë që Qeveria shpërndan për të marrë borxh paratë e privatëve nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Banka organizon herë pas herë, sipas nevojave që ka Qeveria për para, ankandin e bonove të thesarit, duke treguar vlerën e letrave me treg për të cilat do të konkurrohet në ankand. Personat e interesuar paraqiten në Bankën e Shqipërisë dhe vendosin vlerën e parave që janë në gjendje të investojnë, duke blerë bono thesari. Avantazhi i bonove të thesarit, është në faktin se normën e interesit që është po aq e lartë sa dhe depozitat, e merr menjëherë dhe në fund të kohës së maturimit ke të drejtë të tërheqësh dhe paratë e investuara.

BURSA

Eshtë forma më riskioze e investimit, që për fatin e keq në Shqipëri ekziston vetëm de juro, por jo de fakto. Askush deri më sot nuk ka mundur të blejë aksione në burse, pasi nuk ka asnjë kompani të listuar që të mund të shesë aksionet e saj. Loja në bursë është më e rrezikshme se loja me depozitat ose bonot e thesarit. Në bursë qytetarët informohen për vlerën e aksioneve që kanë nxjerrë në treg kompanitë e ndryshme dhe vendosin të blejnë ato aksione që mendohet se do të kenë rritje të vlerës së tyre. Kjo varet dhe nga fakti se sa është e suksesshme në aktivitetin e vet kompania. Kështu dhe aksionet e blear, jo vetëm që do të sjellin një fitim mujor nga fitimet e kompanisë, por në rast se shiten do të kenë vlerë më të lartë se fillestarja.

INTERESAT VJETORE NË LEKË

Banka Raiffeisen

5.8 për qind

Banka Amerikane e Shqipërisë

6.0 për qind

Tirana Bank

6.25 për qind

Alpha Credit

5.9 për qind

Banka Italo-Shqiptare

6.0 për qind

Pro Credit Bank

6.35 për qind

Banka Kombëtare e Greqisë

6.2 për qind

Banka Popullore

8.0 për qind

Banka Kombëtare Tregtare

6.05 për qind

Banka Credins

7.5-7.8 për qind

8.08 për qind

bonot e thesarit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›