E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gati strehimi në pallatet shtetërore

01/02/2005  

Do të përfitojnë familjarët që kanë të ardhura të ulëta si dhe ata që janë me aftësi të kufizuara

Brenda 6 muajve do të miratohet lista e parë me përfituesit e ligjit të ri

Qeveria ka miratuar kriteret bazë që duhet të plotësojë një familje për të përfituar nga strehimet në banesat sociale me qira. Për të marrë të drejtën e aplikimit, së pari, një familje duhet të regjistrohet në njësinë bashkiake ku kërkon të përfitojë strehim. Përfituesit me pikë më të larta do të jenë familjet që kanë në përbërje individë me aftësi të kufizuara që kanë të ardhura të pakta. Ndërsa dhe të punësuarit me të ardhura minimale që vlerësohet se kanë nevojën e shtetit do të jenë të preferuarit për strehime në banesat sociale. Për të nisur procedurat, bashkitë përkatëse do të publikojnë pranë zyrave të strehimit formularin tip, që duhet të plotësojnë nevojtarët.

Aplikimi

"Një familje ka të drejtë që të paraqesë kërkesën për strehim në bashki dhe në zyrat e strehimit, vetëm kur është banor i njësisë vendore si dhe kur është banor i një njësie tjetër, por që vërteton se është i punësuar në njësinë vendore ku ai paraqet kërkesën", thuhet në projektligjin e miratuar nga qeveria. Sipas këtij vendimi, çdo familje ka të drejtën e aplikimit me anë të formularit tip. Do të jenë zyrat e strehimit në Bashki që do të bëjnë seleksionimin e formularëve të vlefshëm, që më pas ia kalojnë për shqyrtim komisionit të strehimit, që ngrihet me vendim të Këshillit Bashkiak. Në këtë komision do të bëjnë pjesë dhe anëtarë të shoqatave jofitimprurëse si dhe përfaqësuesit e njësisë përkatëse. Duket se nga Këshilli i Ministrave është kërkuar nisja e punës me përparësi, pasi në draft theksohet se komisioni i strehimit brenda një afati kohor prej 6 muajsh, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të shqyrtojë të gjitha kërkesat e dorëzuara. Ndërsa pas përzgjedhjes do të bëhet publikimi i vendimeve. Komisioni i merr vendimet për familjet që do të trajtohen brenda vitit me banesë me qira, duke u bazuar në pikët maksimale të aplikantëve, "në numrin e banesave sociale të ndërtuara, numrin e banesave që do të blihen në treg, numri i banesave, për të cilat shteti ka marrëveshje, si dhe të ardhurat neto të familjes dhe të aftësisë përballuese që ka ajo". Zyra e strehimit në Bashki njofton brenda 10 ditëve nga seleksionimi përfituesit si dhe familjet që kanë të drejtën e riaplikmit.

Dokumentet

Kërkesa e aplikantëve duhet të përmbajë: identitetin e kërkuesit, përbërjen familjare, gjendjen me strehim, të ardhurat neto të familjes, formën e trajtimit sipas njërit nga programet sociale të strehimit, kërkesa të veçanta për statusin e njërit prej anëtarëve të familjes, deklaratën e vërtetësisë së informacionit paraprak të dhënë prej tij. Në rast se komisioni do të vërtetojë se deklarata është e rreme, atëherë aplikantit do të humbasë përgjithnjë të drejtën për të rikërkuar strehim nga banesat sociale.

Publikimi

Organet e qeverisjes vendore janë të detyruara që të bëjnë publike çdo vit, nëpërmjet mjeteve të informimit publik dhe afishimit në vende të dukshme, kërkesat që duhet të plotësojnë aplikantët. Gjithashtu, çdo vendim për përfitim nga strehimi i programeve publike bëhet publik si në botime në media ashtu dhe në vende të dukshme. Zyrat e regjistrimit në bashki hartojnë, administrojnë dhe përditësojnë regjistrin e familjeve dhe listat pritëse.

Dokumentet për aplikim

Certifikata e lindjes dhe certifikata e gjendjes familjare

Vërtetim për vendbanimin në bashkinë ku kërkohet strehimi

Vërtetim të të ardhurave neto të familjes

Dokumentacionin përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune

Vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesit pranë bashkive, për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuara

Vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse, për personate përfshirë në programin e pagesës së papunësisë

Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension

Vërtetim që aplikanti apo anëtarët e familjes nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si i tillë

Dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja

Vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara

Vendim i komisionit mjekësor të përcaktimit të verbërisë ose të atësisë në punë për individët me aftësi të kufizuara

Vërtetimin nga institucioni ku ka qenë strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›