E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shefi i Krimeve: Bombën e hoqi projektuesi i saj

01/02/2005  

TIRANË – "Të gjitha veprimet që kryheshin nga grupi i Lushnjës ndodhën për shkak se policia po grumbullonte prova për asgjësimin e tyre. Drejt personave të këtij grupi, ne na çoi një informator, fytyrën e të cilit unë nuk e kam parë, por në errësirë e kam inçizuar dhe, gjithçka është në dosje". Të pandehurit e bandës së "Aldo Bares" u ndodhën dje përballë ish-shefit të policisë kriminale në Lushnjë, Albert Nushi, tashmë me detyrë në Vlorë. Nushi sqaroi me detaje momentin e vendosjes së bombës, vrasjen e oficerit të tij, Klendi Banos dhe disa vepra të tjera të kryera nga pjesëtarët e grupit. Sipas dëshmitarit, në vitin 1999 dhe 2000 situata në qytet ishte e tensionuar. Grupi vepronte kryesisht kundër policisë,e cila kishte nisur një operacion për eliminimin e tyre. Ai tha se herë pas here ndodheshin para ekzekutimit të dëshmitarëve për eliminimin e provave. Objektivi i këtij grupi, sipas Nushit, ishin shefi i komisariatit të Lushnjës, Sinan Meta dhe oficeri i policisë kriminale, Klendi Bano. Si Meta dhe Bano ishin organizatorë të operacionit kundër grupit kriminal.

Eksplozivi

Ishte mëngjesi i një dite të shtunë 25 mars 2000, kur u njoftuam nga policia rrugore se në afërsi të stadiumit të Lushnjës, në krahun e djathtë të portës kryesore, ishte diçka e dyshimtë. Të gjithë shkuam në vendin e ngjarjes. Por askush nuk arriti të fuste duart për të çaktivizuar bombën me telekomandë. Binte në sy një fill i lidhur me nastro të zezë dhe dy llampa, njëra e ndezur dhe tjetra herë fikej dhe herë ndizej. Kërkuam teknik për çaktivizim. Por as ata që erdhën nga ministria nuk arritën të bënin gjë. Thanë se ishte sasi e madhe dhe personi që e kishte vendosur ishte shumë i specializuar. Madje, edhe forcat e KFOR-it në Durrës nuk na ndihmuan. Më pas një polic na tha se njihte një xhenier të ushtrisë, i cili merrej me çaktivizimin e minave. Ishte nga Elbasani. Quhej Riza Balla. Për pak kohë, Balla, sipas dëshmitarit, arriti të çaktivizonte bombën. Por më parë na porositi të largonim njerëzit. Ne pamë dhe u habitëm të gjithë, që shumë shpejt Balla e largoi dinamitin copa–copa. Pasi Balla u mor në pyeje nga drejtori e Policisë Kriminale në Ministrinë e Rendit Publik, mësuam se ishte ky personi që na dha gjithë informacionin për bombën, madje ishte ky ai që e kishte projektuar këtë bombë, i detyruar nga krerët e grupit. Fillimisht, Nushi tha se nuk e dinte që Balla kishte bërë projektimin dhe aktivizimin e bombës. Një kundërshtim i Prokurorisë me thëniet e mëparshme, reflektoi kujtesën e Nushit, për të treguar se Balla ish-oficer xhenier në ushtri, kishte prodhuar bombën me telekomandë, i paguar nga grupi i Lushnjës. Ishte 5 kg eksploziv. 4 kg ishte jashtë pakos dhe 1 kg brenda saj. Eksplozivi ishte vendosur pikërisht në vendin ku parkohej makina e shefit të komisariatit, Sinan Meta. I binte që goma e pasme e makinës të qëndronte sipër eksplozivit. Balla u mor në pyetje nga ministria. Unë vetë nuk e kam takuar. Por di që më pas ai është vrarë. Në këtë kohë dua të kujtoj se ishin në kërkim katër persona, të quajtur të rrezikshëm, Alfred Shkurti, Erjon Cici, Enver Dondollaku dhe Maksim Çela. Pikërisht këta katër persona, sipas Nushit, kanë organizuar të gjitha vrasjet dhe vëniet e bombave në banesat e policëve, siç është rasti i vënies së bombës në banesën e policit Arben Boçi, ndihmës i Klendi Banos. Një gjë, sipas Nushit, mbeti e pasqaruar. Polici që solli Riza Ballën, nuk e mësuam dot se ku e kishte njohur si të tillë. Por akuza tha se polici që solli Ballën kishte dijeni për aktivitetin e grupit dhe ndërmjetësoi për të dhënë informacion.

Vrasja e Banos

Oficeri i Policisë Kriminale, Klendi Bano, një muaj para ngjarjes, kishte vënë në dijeni se po pregatitej një sasi eksplozivi. Nga informacionet, Bano tha se kjo bombë po bëhej gati për t'u vendosur në Fier, ku dy fise, një çam dhe një tjetër kosovar, kishin hesape për të larë. Pas disa kohësh nga ministria na lajmëruan se bomba nuk ishte për në Fier, por kundër Sinan Metës. Klendi Bano dhe ndihmësi i tij, Arben Boçi, kishin dijeni për veprimtarinë e grupit. Pikërisht zbulimi i emrave bëri që Bano të vihej në shënjestër. Mësuam se me pregatitjen e armëve për grupin merrej një çift maqedonas, emrat e të cilëve nuk i kujtoj. Ata u arrestuan së bashku me Maksim Çelën. Ata që pregatitën dhe vendosën bombën, u arrestuan pas vrasjes së Klendit, me urdhër të ministrisë. Klendi Bano u vra me silenciator nga ora 10.00-12.00 të mbrëmjes së 12 prillit 2000. Fillimisht arrestuam Maksim Çelën dhe çiftin maqedonas për vënien e bombës, por më pas mësuam se vrasja u krye nga Leonard Prifti. Ky i fundit ishte strehuar në Fier dhe me shumë dinakëri i shpëtoi rrethimit të policisë. Më pas, gjatë një kontrolli rutinë për armë, arritëm të kapnim Erjon Cicin dhe një person tjetër, që na u paraqitën me emra të tjerë. Pra, të gjithë oficerët e mi që u morën me zbulimin e grupit të Alfred Shkurtit, u vunë në shënjestër. Klendi Bano dhe Ardian Gashi u vranë, ndërsa Arben Boçit iu hodh shtëpia në erë, e më pas iu vra vjehrri me të cilin jetonte.

Të pandehur

Dritan Vila

Petrit Liçi

Erjon Cici

Maksim Çela

Enver Dondollaku

Leonard Prifti

Erjon Kashai

Elton Mermali

Mbetet ende në kërkim nga policia kreu i grupit Alfred Shkurti

Akuzat

Dritan Vila, i dënuar edhe më parë për krimin e vrasjes, akuzohet se në datën 13 nëntor 1998, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë shtetasit Bledar Haxhiu dhe Artan Sulçe. Në datën 14 prill 2000, Dritan Vila ka vrarë oficerin e policisë gjyqësore, Klendi Bano. Në 19 prill 2001 akuzohet se ka vrarë shtetasin Nosh Gjelaj. Në datën 16 prill 2002 tentoi të vrasë shtetasin Bernard Gjini. Në datën 23 prill 2002 akuzohet se ka vrarë Alfred Pirrën.

Petrit Liçi, i dënuar më parë, akuzohet se ka vrarë në bashkëpunim me Dritan Vilën e të tjerë, Bledar Haxhiun dhe Artan Sulçen, në datën 23 nëntor 1998. Ndërkohë, akuza e dytë e tij, të cilën edhe e ka pranuar se ka qenë ndihmës, është ajo e vënies së bombës në stadiumin e Lushnjës, në datën 25 mars 2000. Në datën 27 mars 2003, në bashkëpunim me Erjon Cicin tentuan të vrasin shtetasin Bardhyl Kurti.

Maksin Çela, i dënuar më parë. Akuzohet se në 14 prill 2000, në bashkëpunim ka vrarë Klendi Banon.

Enver Dondollaku, i dënuar më parë për vrasje. Në 14 prill 2000 akuzohet se në bashkëpunim ka vrarë Klendi Banon, oficer i policisë kriminale Lushnjë.

Leonard Prifti, i dënuar më parë për vrasje. Akuzohet se ka vrarë në 14 prill 2000, Klendi Banon.

Erjon Cici, i dënuar më parë për vrasje, akuzohet se në datën 27 mars 2003 ka tentuar të vrasë shtetasin Bardhyl Kurti.

Erjon Kashari, i padënuar më parë. Akuzohet se në bashkëpunim ka vrarë shtetasit Bledar Haxhiu dhe Artan Sulçe, në datën 23 nëntor 1998.

Elton Mermali akuzohet se në bashkëpunim ka vrarë Bledar Haxhiun dhe Artan Sulçen, në 23 nëntor 1998

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›