Buxheti, Berisha: 5 miliardë dollarë për shqiptarët
Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje buxhetin 2009, i cili kap shifrën e rreth 5 miliardë dollarëve dhe sipas tij, përbën buxhetin më të madh në historinë e vendit. Në mbledhjen e djeshme të komitetit të planifikimit strategjik Kryeministri vuri në dukje se në buxhetin 2009 janë ruajtur të gjitha linjat programore të qeverisë dhe se ai garanton stabilitetin makroekonomik të vendit dhe rritjen ekonomike që 6-mujorin e parë të këtij viti, ishte dyshifrore. Ndërkohë, rritja vjetore do të dalë përfundimtare në muajt e parë të vitit që vjen. Ky buxhet, - evidentoi Berisha, - i jep mundësi qeverisë që të përmbushë premtimin e rritjes së pagave dhe pensioneve. Kryeministri bëri të ditur se rritja e pagave dhe pensioneve është një ndër prioritet madhore edhe në buxhetin për vitin e ardhshëm. “Buxheti i jep mundësi qeverisë të realizojë rritjen e premtuar të pagave dhe pensioneve, një rritje unike në mbarë Evropën. Asnjë vend tjetër jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, nuk ka bërë në 4 vjet, dyfishim të pagave të mësuesve, infermierëve dhe mjekëve, siç do të bëjmë ne, nuk ka bërë një rritje me mbi 60 për qind të pagës mesatare të administratës, nuk ka bërë dyfishim të pensionit minimal, nuk ka bërë rritje me 50 për qind, ashtu siç do të bëhet, të pensioneve në qytet dhe pensioneve të tjera”. Kryeministri e vlerësoi politikën e qeverisë në drejtim të rritjes së pagave dhe pensioneve, tepër efikase dhe jetike për përmirësimin e jetesës së familjeve shqiptare. “Përpjekja jonë për rritjen e pagave dhe të pensioneve, me gjithë peshën shumë të rëndë që ka pasur, ka qenë jetike dhe jashtëzakonisht pozitive si për administratën, pensionistët dhe vendin në tërësi. Nga kjo politikë kanë përfituar në mënyrë të ndjeshme 800 mijë familje shqiptare, të cilat kanë pasur një përmirësim thelbësor të buxhetit të tyre familjar”. Kryeministri Berisha, duke u ndalur në drejtimet kryesore të buxhetit për vitin e ardhshëm, tha se ai përqendrohet në investimet e mëdha publike, si në akset e rëndësishme rrugore: Përfundimin e autostradës Durrës-Morinë; përfundimin e autostradës Bllatë-Bulqizë; përfundimin e autostradës Korçë–Qafë-Plloçë; përfundimin e punimeve në rrugën Vlorë-Sarandë. Buxheti përqendrohet gjithashtu në shndërrimin në 4 korsi të autostradës Fushë-Krujë – Milot; në fillimin e punimeve për ndërtimin e segmentit të rrugës së Arbrit, Bulqizë-Klos. Sapo të mbarojë projekti, fillon ndërtimi në Tiranë, nga Shkalla e Tujanit, drejt Klosit; në projektimin dhe fillimin sa më të shpejtë të autostradës Plloçë-Qukës që, sipas të dhënave paraprake, është fizibël dhe shumë e nevojshme; në ndërtimin, në një pjesë të mirë të saj, në një aks të ri të rrugës Krumë-Kukës, e cila shkurton distancën midis këtyre dy rretheve; në fillimin e punimeve të aksit Kardhiq-Delvinë, nga ana e Delvinës; në përfundimin e rrugës së Prespës, që lidh aksin kombëtar me liqenin e Prespës; në segmentin e Valbonës, të Qafë Prushit; avancimin e punimeve të rrugës Kukës drejt Kalasë së Dodës, të Peshkopisë në drejtim të Kalasë së Dodës; të rrugës Steblevë në drejtim të Orenjës dhe Peshkopisë etj. V. M.