E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj, letër Ahstisarit: Ndikoni për ta ndalur ndarjen e Kosovës

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i ka dërguar një letër fituesit të Nobelit për Paqen, Mati Ahtisari, me të cilën ai e uron për çmimin e madh, ndërkohë i rikujton edhe një herë vlerësimin e madh për atë çfarë ai ka bërë për Kosovën.

Ndërkaq Mustafaj thekson se ende rreth Kosovës po shihet rreziku i ndarjes de facto duke i kërkuar zotit Ahtisari të vazhdojë të ngrejë zërin kundër kësaj ndarjeje.

Më poshtë po botojmë tekstin e plotë të kësaj letre:

“I dashur Zoti President! E kam pritur me shumë gëzim lajmin që ju morët sivjet çmimin “Nobel” për Paqen. Është një nder i merituar për punën e jashtëzakonshme, që ju keni bërë prej shumë vitesh dhe vazhdoni të bëni me një besim dhe këmbëngulje shembullore në shërbim të paqes.

Si ministër i Jashtëm i vendit tim, kam pasur privilegjin të bisedoj disa herë me ju gjatë 2006-ës e deri në pranverë 2007 lidhur me të ardhmen e Kosovës. Kam çmuar gjithmonë lart në personalitetin tuaj vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje të drejtë, ku askush të mos ishte as triumfator dhe as i humbur. Shumica shqiptare si dhe pakica serbe dhe pakicat e tjera, në vizionin tuaj për Kosovën e të ardhmes do të duhej të kishin të njëjtat liri dhe të drejta. Ju kishit marrë përsipër edhe një herë të bënit drejtësi dhe për këtë ju takon mirënjohja e të gjithë qytetarëve të lirë të botës.

Me zgjidhjen që propozuat për Kosovën, ju i bëtë një shërbim të çmuar paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin e Ballkanit. Por, fatkeqësisht, për arsye që nuk vënë në dyshim drejtësinë e gjykimit tuaj, ne po shohim se pavarësia e Kosovës ende nuk është bërë plotësisht funksionale. Unë vlerësoj me shqetësim se rreziku i ndarjes de facto i Kosovës së Veriut po rritet. Përfitoj nga rasti të shpreh besimin tim se ju, me autoritetin e rritur që keni tashmë si laureat i çmimit “Nobel” për Paqen, do të vazhdoni ta ngrini zërin kundër kësaj ndarjeje, e cila, siç e dini shumë mirë, do të krijonte një gjendje pasigurie për të gjithë kufijtë e vendeve fqinje me Kosovën.

Më lejoni, Zoti President, t’ju shpreh edhe një herë konsideratën time më të lartë dhe t’ju uroj shëndet të plotë. Paqja në planetin tonë ka ende nevojë për kontributin tuaj.”

Besnik Mustafaj

Ish-ministër i Jashtëm

Anëtar i Parlamentit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›