E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet formula, një deputet për çdo 20 mijë votues



Numri i deputetëve për çdo qark do të rregullohet përmes një ligji të veçantë. Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, shpjegoi dje formulën që do të përdoret për përllogaritjen e numrit të deputetëve që i takon çdo qarku të vendit. Ai sqaroi se merret për bazë numri i përgjithshëm i votuesve që pjesëtohet me numrin e mandateve të Parlamentit, që është 140. Del se të paktën për çdo 20 mijë votues duhet të ketë një mandat deputeti. “Llogaritja bëhet duke marrë numrin total të votuesve dhe ai pjesëtohet me numrin 140. Të themi se nëse janë 2.8 milionë votues, do të dilte një kuotë prej 20 mijë votuesish. Më pas shkohet në çdo qark dhe kalohet në pjesëtimin e numrit të votuesve të këtij qarku me këtë kuotë që doli, duke shkuar më tej, në përllogaritjet e numrit të deputetëve për çdo qark. Formula në tërësi është e njëjtë, veçse këtu merret për bazë numri i votuesve të X qarku, pjesëtuar me rezultatin që doli nga llogaritja e numrit të përgjithshëm të votuesve, pjesëtuar me numrin e vendeve në Kuvend. Islami mori për shembull qarkun e Fierit. “Të themi, në qarkun e Fierit janë 325 mijë votues dhe pas pjesëtimit do t’i binte 16.3 të themi mandate deputetësh. Fillimisht, ndahet pjesa e plotë për çdo qark dhe më pas ajo që mbetet shpërndahet duke pasur për bazë mbetjen dhjetore”, - shpjegoi sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste. Njëkohësisht Islami konfirmoi se përllogaritja e votave do të bëhet përmes formulës D’Hondt e njohur si formula e zbatuar në sistemet proporcionale. Islami konfirmoi se partitë që do të jenë pjesë e koalicioneve të njohura tashmë do të marrin emrin koalicione të përbëra. Sipas tij, do të hartohet edhe ligji i ri i cili do të sanksionojë numrin e deputetëve për secilin prej 12 rajoneve elektorale. Komisioni për Reformën Zgjedhore është ende duke diskutuar pikërisht formulën për ndarjen e mandateve si dhe përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe pritet të mbyllet brenda pak ditëve. Në lidhje me formulën e llogaritjeve të votave, LSI-ja ka shfaqur rezerva duke kërkuar korrektim kombëtar. Ngërçi është te presjet dhjetore. Formula D’Hondt parashikon që këto presje dhjetore kalojnë në favor të dy partive që renditen të parat në çdo qark, ndërsa sipas propozimit të LSI-së, korrektimi kombëtar bën që çdo votë e dhënë nga votuesit llogaritet për atë parti që ka votuar. Njëkohësisht problem mbetet edhe çështja e koalicioneve të përbëra, të cilat LSI-ja i ka kundërshtuar duke e konsideruar atë koalicion bishtash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›