E Shtunë, 31 Tetor 2026

“BERALB” sh.a, 12 milionë dollarë investime në miniera

• 

Industria minerale ka nisur të gjallërohet. Shoqëria “BERALB” ka marrë me koncesion disa miniera të vendit dhe ka kryer goxha investime për ringritjen e tyre.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, drejtori i shoqërisë koncesionare “BERALB” sh.a, Murat Mercimek ka sqaruar në detaje të gjithë aktivitetin e kësaj shoqërie në Shqipëri. Sipas tij, janë investuar 12.14 milionë USD për makineri-pajisje, ndërtime, punime minerare, studime e projektime në objektet minerare e në fabrikë etj., ku vetëm në vitin 2007 u investuan për minierat Munellë, Lak Roshi e fabrikën Fushë-Arrëz 3.2 milionë USD, prej të cilave 1.53 milionë USD makineri-pajisje për mekanizimin e plotë të proceseve të hapjes të minierave.
Ju jeni drejtor i shoqërisë “BERALB” sh.a, që zhvillon aktivitet minerar në Shqipëri, me pak fjalë çfarë përfaqëson kjo shoqëri?
Shoqëria “BERALB” sh.a është themeluar si person juridik në Shqipëri, në bazë të marrëveshjes së koncesionit të lidhur midis shtetit shqiptar dhe shoqërisë turke “BER-ONER MADENCÝLÝK SANAYÝ VE TÝCARET A.Þ”, aktualisht “NESKO”.
Kjo marrëveshje koncesioni është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. nr. 8761 datë 02.04.2001.
Sipas kësaj marrëveshjeje koncesioni, shoqëria “BERALB” sh.a ushton aktivitetin në minierat e bakrit Munellë, Lak-Roshi, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz etj.
Paraprakisht, për periudhën që punoni këtu, cili është mendimi juaj për industrinë nxjerrëse e përpunuese në Shqipëri?
Gjatë këtyre viteve kam parë në terren pjesën kryesore të minierave të bakrit, kromit, hekur-nikelit etj., dhe me këtë rast jam takuar me specialistë të fushave të ndryshme, që kanë punuar në këto objekte prej shumë vitesh. Pra, në përgjithësi kam marrë gati të gjithë informacionin, në të gjitha mënyrat, në lidhje me këtë industri dhe mbi këtë bazë mund të them se industria nxjerrëse e përpunuese e mineraleve në Shqipëri, që nga viti 1992 e deri përpara pak viteve pësoi një kufizim apo dhe në jo pak raste, mbyllje të degëve të saj. Shkaqet kanë qenë objektive dhe subjektive.
Në industrinë e bakrit, rënia e rezervave minerare të minierës Gjegjan-Kukës, solli mbylljen e uzinës në Rexhepaj dhe kufizimin e kapacitetit të uzinës Rubik. Fabrikat e pasurimit të bakrit në Fushë-Arrëz, Golaj Has, Mjedë Shkodër, Reps Rrëshen, Kurbnesh, me gjithë kujdesin e treguar deri në vitin 1998 për t’i mbajtur në punë pjesërisht e për t’i konservuar, me qëllim riaktivizimi në pritje të konjukturave favorizuese, degraduan në mbylljen e plotë të tyre. Paralel me uzinat e fabrikat u mbyllën minierat e bakrit, që ishin në aktivitet në zonën e Fushë-Arrëzit si Lak Roshi, Munella, në zonën e Hasit minierat Golaj, Nikoliq, Sallah, Krumë, në Kukës, minierat Shemri e Gdheshtë, Palaj në Shkodër, Kurbnesh, Spaç e Repse në Mirditë etj., e disa të tjera që sapo ishin aktivizuar.
Di që nga viti 1991 e në vazhdim, me dhjetëra përfaqësues të shoqërive nga vende të ndryshme të botës, njohës të mirë të aktiviteteve minerare, amatorë e gjuetarë të ekonomisë së tregut, tregtarë lejesh e të licencave iu afruan minierave shqiptare, vetëkuptohet së pari për interesat e tyre, por edhe për të investuar me risk e pa risk, ashtu si do të vazhdonte veprimtaria. Në zonat bakërmbajtëse të Munellës shoqëria kanadeze “NEBEX” bëri disa shpime gjeologjike mbi zonën mineralmbajtëse të zbuluar nga gjeologjia shqiptare, nuk zbuloi asgjë më shumë nga të dhënat që disponoheshin që para vitit 1990.
Në bashkëpunim me gjeologë shqiptarë e të shoqërisë e me specialistë të fushave të ndryshme, shoqëria turke “BERONER Madencilik sanayi ve ticaret”, sot “NESKO”, me qendër në Stamboll u orientuan drejt zonës së Pukës, Mirditës e Hasit. Pas verifikimeve të dokumentacioneve që disponoheshin në bashkëpunim me specialistë shqiptarë të minierave, që kishin njohuri të mjaftueshme në këtë fushë, bëmë plotësimin e dokumentacioneve sipas ligjit minerar shqiptar.
Shoqëria juaj parashikoi të investojë me risk, apo e bindur nga të dhënat që dispononte?
Çdo shoqëri planifikon edhe rrezikun kur investon. Çdo ditë lindin e falimentojnë shoqëri. Risku është risk, e shërbimi duhet t’i kryhet konform ligjeve. Por askush nuk dëshiron riskun. Mbas investimeve që mund të kryhen, po rezultuan efektive, të tjerët kujtohen se edhe ata mund të drejtonin këtë apo atë aktivitet, po falimentove sigurisht do të thonë, “Pse më të mençur se ne ishin këta që investuan”, e lind retorika e mendimeve sipas ecurisë.
Pra, theksoj se, minierat e bakrit, kromit, hekurit e hekur-nikelit etj., e fabrikat e pasurimit në të gjithë territorin e Shqipërisë që prej vitesh presin investitor të mirëfilltë, e jo teorik e shitës të lejeve minerare.
Aty ku fillojnë investimet, investohet, kryhen studime e zbatohen ato, me t’u vënë në eficencë, dalin studiues e teoricientë, që pavarësisht se kompjuteri ju ka mbetur në vitet e kaluara, japin të dhëna e mendime që nuk munden të na i jepnin në kohën që duhet t’i kishin dhënë.
Konkretisht, ku është investuar deri tani?
Shoqëria jonë koncesionare ka një eksperiencë të mirë në disa miniera e fabrika pasurimi në Turqi, Iran etj. Duke pasur specialistët e drejtuesit e saj me njohuri mbi aktivitetin minerar, njohjen e objekteve kryesore mineralmbajtëse në Shqipëri e duke bashkëpunuar kryesisht me specialistë shqiptarë, pasi morëm me koncesion minierat e bakrit e fabrikën e pasurimit në Fushë-Arrëz Pukë, etj., filluam rihapjen e punimeve kapitale të minierës Munellë, me teknologji bashkëkohore e në vitin 2007 edhe në minierën Lak Roshi. Miniera Munellë filloi nga ristrukturimi në vitin 2002 të traverbankeve bazë 875, 725, e 675, punime të cilat kishin filluar nga hapja rreth vitit 1987-1988 nga Ndërmarrja e Ndërtim-Minierave Tiranë. Për 12 vjet ishin hapur 3200 m galeri gjithsej, ku shoqëria “BERALB” sh.a vetëm për vitin 2007 ka hapur të njëjtin volum punimesh.
Për vitet 2005-2006 shoqëria pati kufizime të investimeve. Pse?
Po, është e vërtetë. Shoqëria kufizim e ndërprerje të aktivitetit në hapjen e punimeve kapitale, e investimet në minierë e fabrikë për 15 muaj si rezultat i problemeve të brendshme të shoqërisë, ku gjykata luante lojën e kalimit të topit nga njëra anë në anën tjetrën, duke zvarritur zhbllokimin e aktivitetit. Po kështu, influencë ka pasur edhe nga ndërprerja 7 muaj e energjisë elektrike për këta tre vjet, ku nga mungesa e saj e njëanshmëria në trajtimin e rëndësisë së aktivitetit, sollën ndikimin e tyre në ngadalësimin e kryerjes së investimeve.
Sa është vlera e investimeve të kryera deri më tani?
Pavarësisht nga kjo për rreth 4 vjet e gjysmë u hapën 10.3 km galeri e janë kryer 6100 ml shpime nëntokësore për sqarimin e situatave gjeologjike. Në total u investuan 12.14 milionë USD makineri-pajisje, ndërtime, punime minerare, studime e projektime në objektet minerare e në fabrikë etj., ku vetëm në vitin 2007 u investuan për minierat Munellë, Lak Roshi e fabrikën Fushë-Arrëz 3.2 milionë USD, prej të cilave 1.53 milionë USD makineri-pajisje për mekanizimin e plotë të proceseve të hapjes të minierave.
Këto miniera janë tërësisht të mekanizuara në procesin e shpimit të birave në të gjitha punimet kapitale e përgatitore, në procesin e mbushjes së birave me lëndë eksplozive, në procesin e ngarkimit të transportit të mineralit e të sterileve nga frontet e minierës për në sipërfaqe. Po kështu, është mekanizuar procesi i troketimit e të betonimit të punimeve kapitale, duke siguruar një normalitet në zhvillimin e aktivitetit të tanishëm e në perspektivë.
Si është ecuria e investimeve e realizimi i treguesve teknologjikë në fabrikën Fushë-Arrëz?
Duke parë që ka interes për vetë shoqërinë, si dhe nga detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e koncesionit për përmirësimin e treguesve teknologjikë e rritjen e kapaciteteve prodhuese e përpunuese në minierat e bakrit e fabrikën Fushë-­Arrëz, krahas studimeve të kryera në vitin 2003 në Bullgari e në vitin 2005 në Shqipëri, gjatë vitit 2006-2007 u bashkërendua puna me një nga shoqëritë më të mëdha në botë “KAZZINC JSC” në Kazakistan për konkretizimin e studimeve të bëra, e ato që u bënë në këtë vit për këtë tip minerali të patrajtuar më parë në Shqipëri. Kjo shoqëri merret me aktivitetin e hapjes e të shfrytëzimit të mineraleve të plumb-zinkut, bakrit, arit etj., polimetalor, pasurimin e shkrirjen e tyre, kryerjen e studimeve në kushte laboratorike, impiante gjysmë industriale e industriale. Me marrjen e tre kampioneve përfaqësuese të zonave minerare të hapura deri tani, u realizuan studimet përkatëse teknologjike, mbi bazën e të cilës është hartuar projekti i rikonstruksionit të plotë në dy faza të fabrikës, pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz që filloi në vitin 2007, vazhdon aktualisht e do përfundojë në vitin 2008, me synim vazhdimin e investimeve të planifikuara në vitet 2010-2011. Për hartimin e këtij projekti në kushte konkrete, nga ana e palës së “KAZZINC”, krahas studimit të kryer në ambientet e saj në Kazakistan, punuan gati 4 javë rreth 22 specialistë të profesioneve të ndryshme të kësaj shoqërie, në realizimin e këtij studimi në kushte industriale në fabrikën Fushë-Arrëz. Aktualisht edhe sot janë pranë fabrikës në përmbushjen e studimeve.
Cilat janë studimet konkrete që janë kryer?
Kanë përfunduar studimet teknologjike dhe janë hartuar projektet e anës ndërtimore e teknologjike, ku krahas investimeve paraprake në dambë e në repartet ekzistuese, si sheshet e depozitimit të mineralit, repartin e thyerjes e në flotacion, ka filluar puna ndërtimore e bazamenteve të mullinjve të bluarjes, me kapacitet bluarje nga 100000 tonë/vit në 240000 tonë/vit, me synim që mbi bazën e ecurisë së kapaciteteve prodhuese të mineralit të bakrit në minierat respektive, realizimit të treguesve teknologjikë, të shihet mundësia e rritjes së prodhuese e përpunimit, nga 240000 deri në 500000 tonë/vit në vitin 2011 e në vazhdim.
Pra, po investohet?
Me projektin e ri të hartuar, kjo bazuar edhe në të dhënat e studimeve teknologjike të deritanishme të shkallës së pasurueshmërisë së mineralit të minierës Munellë e të parashikuara për Lak Roshin etj., do të vazhdojë të bëhet rikonstruksioni i plotë i linjave e reparteve ekzistuese të thyerjes, bluarjes, flotimit në të gjithë objektin ekzistues të fabrikës së pasurimit. Vetëm në repartin e thyerjeve, dekantimit, flotimit, filtrave po investohen 3 milionë USD, në repartin e thyerjes 1 milion USD, në laborator e impiantin pilot 0.82 milion USD. Eshtë projektuar e është rënë dakord me KESH-in ndërtimi i linjave paralele të reja të furnizimit me energji elektrike, nga nënstacioni Fushë-Arrëz për në fabrikë, me një vlerë rreth 1 milion USD, duke zgjeruar fuqinë instaluese të nënstacionit. Nga ana e KESH-it është premtuar fuqizimi i nënstacionit për të përballuar rritjen e kapaciteteve prodhuese e përpunuese. Investimet kryesore në nënstacion e linjën së re deri në fabrikë me dy qarqe do të kryhen nga shoqëria, aq sa e lejon legjislacioni shqiptar. Në total investimet për periudhën 2007-2008 që po kryhen për rritjen e kapaciteteve përpunuese, realizimin e treguesve teknologjikë e fuqizimin e mekanizimit të proceseve të punës në hapjen e shfrytëzimin e minierave, do të arrijnë rreth 8 milionë.
Po treguesit teknologjikë?
Faktikisht në periudhën 2004-2006 në fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz, treguesit teknologjikë, si rikuperimi etj., nuk u realizuan në marrjen e mineralit të bakrit e të zinkut, për vetë karakteristikat e veçanta që pati trupi xeheror në Munellë, mineral për të cilin nuk ka pasur të dhëna të mëparshme teknologjike. Po kështu, skema teknologjike kishte mangësi.
Luhatja e rikuperimit 65 deri 70 % në vitet e para, nga mbi 80 % të parashikuar, u shoqëruan me pasoja të rënda ekonomike për shoqërinë. Për këtë, që në fazën e parë u bë depozitimi i veçantë i sterileve në dambën e re, e cila u rikonstruktua për së dyti në vitin 2007, me qëllim garantimin e ruajtjes të sigurt të këtyre mbetjeve dhe të ambientit. Gjatë fundit të vitit 2006 e në fillim të vitit 2007, teknologët ndërhynë në përmirësimin e shkallës së bluarjes së mineralit, u dyfishuan numri i çelave efektive. Treguesi i rikuperimit të mineralit e bakrit është realizuar me këto ndërhyrje teknologjike e rritjen e kërkesës së llogarisë në 84.1%.
Çfarë mund të na thoni mbi kushtet e trajtimit të punonjësve, a janë ata të sigurt?
Pavarësisht nga mekanizimi i plotë i proceseve kryesore, puna në miniera të çdo lloji, kërkon një kujdes të veçantë në lidhje me krijimin e kushteve sa më të mira për punonjësit. Bëhet trajtimi falas në mensat pranë objekteve, ku të gjitha ushqimet, fruta-perimet etj., dërgohen një herë në javë nga Tirana të freskëta, që të bëhet një kompensim i kalorive të shpenzuara. Rrobat e punës e të mbrojtjes janë të siguruara në kohë. Objektet janë pajisur me dushe, gardëroba funksionale për ata që duan të kryejnë shërbimet me përfundimin e punës. Miniera ka një ajrosje qendrore e lokale të të gjithë fronteve të punës. Punonjësit lëvizin me mjete të kontraktuara nga shoqëria, nga shtëpitë e tyre pranë objekteve minerare e në kthim. Të gjithë punonjësit janë të siguruar dhe sigurimet e tyre paguhen rregullisht. Për periudhën e ndërprerjes së aktivitetit në vitin 2006, periudhë gjatë së cilës shoqëria nuk ushtronte aktivitetin e saj për arsye të bllokimit nga ana e vendimeve gjyqësore, shoqëria ka marrë përsipër kompensimin në lekë të sigurimeve shoqërore të secilit punëtor për periudhën në fjalë. Në të ardhmen kushtet do të jenë edhe më të mira.
Po niveli i pagave, si është?
Aktualisht kemi pagat më të larta në Shqipëri nga simotrat e tjera të së njëjtës kategori. Në muajin shkurt 2008 pagat u rriten 30 %, duke rritur interesin e specialistëve të mirëfilltë për të punuar në objektet minerare. Për vitin 2009 parashikuam një rritje 20 %. Kemi mjaft kërkesa për punë për të gjitha llojet e specialistëve nga inxhinierët e minierave, gjeologë, teknikë, specialistë të ndryshëm. Shqipëria ka pasur një nivel të mirë të përgatitjes së kuadrove të fushave minerare e teknologjike. Kanë një inteligjencë teknike të lakmueshme nga shumë vende të tjera që kam parë.
Si janë marrëdhëniet dhe raportet me institucionet shtetërore?
Shteti është shtet. Ai ka ligje, ka detyrime. Së pari kur pranon  të jesh pjesë e ekzistencës së saj, duhet të ndërgjegjësohesh për zbatimin e tyre. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet që të jemi korrekt në çdo aktivitet. Shteti ka një organizëm mbikëqyrës në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë e Energjetikës, që është OSHA-ja. Në shumicën e rasteve kur ka pasur pengesa brenda ligjeve, ndihma ka qenë konkrete. Jashtë ligjeve nuk kemi pasur asnjë ndërhyrje. Kontrollet kanë qenë serioze, dhe kanë pasur një influencë pozitive në investimet që po kryhen. Pa kërkesën këmbëngulëse të kësaj ministrie për të investuar konform marrëveshjes koncesionare, do na kishte pëlqyer për të zgjatur periudhën e investimeve. Faktikisht po investojmë.
Energjia elektrike është një nyjë kyçe për ju. Theksuat një ndërprerje 7-mujore nga kufizimi apo ndërprerja e plotë e saj, çfarë mund të na thoni për këtë?
Kushdo në Shqipëri e përjeton mungesën e energjisë elektrike. Aktualisht, energjia elektrike këtu është e lidhur edhe me forcën madhore, pra natyrën. Shpresojmë që KESH-i do të ndërhyjë në kohë këtë vit për vendosjen e transformatorit të ri 6.3 kV në nënstacion, në mënyrë që investimet që po kryejmë, të mos penalizohen duke mos u vënë në eficencë për mungesë burimi-furnizimi.
Kthehemi nga e para. Këto investime, e gjithë problematika që trajtuat në përgjigje të pyetjeve, a do të kenë ecuri?
Jeni të mirëpritur të shikoni situatën në vend gjatë gjithë vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›