E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria punë për privatin:Gëzhoja tunxhi në Gërdec

• Shtatori i 2007-ës duket se ka qenë momenti kur filloi të gatuhet katastrofa e Gërdecit.

Trazhgim Sokolaj

Në origjinën e shpërthimit, aty ku ndodhej një fabrikë demontimi e zhdukur krejt tashmë,  bashkë me 25 jetë njerëzish, duket se ishte ngritur në fakt një qendër biznesi nga firma private,  që për interesa përfitimi financiar kishin diktuar vendimet e strukturave shtetërore. Shtatori i vitit 2007 është koha kur po përgatitej dërgimi në Gërdec i predhave të artilerisë së rëndë, të kalibrave nga 20 mm deri në 152mm, municione me fuqi të lartë shkatërruese dhe me sasi të mëdha baruti. Gazeta “Panorama” publikon sot një dokument që tregon se kompania amerikane SAC, e cila futi në lojën e çmontimit të predhave firmën e Mihal Delijorgjit, kishte kërkuar paraprakisht që të blinte vetëm municione, gëzhojat e të cilave përbëheshin nga metali i tunxhit. Një kërkesë e tillë, sipas hetimeve të Prokurorisë, është bërë për shkak se tunxhi është metali nga përpunimi i të cilit nxirret skrapi, objekti kryesor i aktivitetit të kompanisë së Mihal Delijorgjit,  e cila ishte vendosur në Gërdec të Vorës. Dokumenti zyrtar që publikohet sot, mban datën 17 shtator 2007. Eshtë një shkresë që shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i dërgon ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ky i fundit kishte kërkuar mendim nga shtabi lidhur me municionet me gëzhojë tunxhi, të cilat ishin kërkuar për çmontim në kuadër të një kontrate të dytë nga kompania amerikane SAC. Pas verifikimeve të ushtrisë, shtabi i kthen përgjigje ministrisë duke i thënë se, identifikimi i municioneve me gëzhojë tunxhi, ishte i vështirë pasi ato nuk ishin inventarizuar në ushtrinë shqiptare në bazë të materialit të gëzhojës, por në bazë të fuqisë së veprimit dhe karakteristikave të predhës e barutit. Që në këtë moment bie në sy diferenca mes interesave të kompanive private dhe mënyrës se si operonte në të vërtetë sistemi i ushtrisë shqiptare. Në këtë kohë në ish-repartin ushtarak të tankeve në Gërdec vazhdonte punën drejt fundit të kontratës së parë për fishekët kompania amerikane “Southern Ammunition Co.”. Në shkurt 2006 kjo kompani u kontraktua nga ndërmarrja MEICO e Ministrisë së Mbrojtjes, për demontimin e fishekëve të ushtrisë shqiptare të destinuar për asgjësim. Në shtator të 2007-ës kontrata për fishekët ishte drejt fundit dhe kompania amerikane SAC, ka paraqitur një kërkesë të dytë në Ministrinë e Mbrojtjes për nënshkrimin e një kontrate të re, kësaj radhe me qëllim asgjësimin industrial të municioneve të kalibrave më të rëndë. Megjithëse lloji i municionit që do të çmontohej nuk varej aspak nga kërkesat e kompanive apo interesat e tyre, ato duket se kanë arritur të përmbushin qëllimet e tyre, duke diktuar vendimet e strukturave shtetërore. Lloji i municioneve që shiste ndërmarrja MEICO për demontim si rregull varej nga ai lloj municioni që ushtria shqiptare i klasifikonte për nxjerrje nga përdorimi. Sipas ligjit, vetëm pasi ushtria nxirrte nga inventarët e përdorimit një municion të caktuar, në lojë hynte ndërmarrja MEICO, e cila nxirrte në shitje për përdorim të mëtejshëm, relike apo për demontim, municionin në fjalë. Por edhe pse në dukje gjithçka varej nga ushtria dhe më pas zbatohej nga ndërmarrja MEICO, dokumentet tregojnë të kundërtën. Shkresat zyrtare në fakt, tregojnë se në reparte dhe në depo ushtarake shqiptare qëndrojnë edhe aktualisht mijëra tonë armë dhe municione që duhej të ishin asgjësuar, ndërsa ndërmarrja MEICO shiste municionet e kërkuara nga firma të caktuara private. Rasti i kompanisë së Delijorgjit në Gërdec cilësohet jo vetëm si një precedent i favorizimit në llojin e municionit të shitur, por edhe në faktin se transporti dhe disa procese të tjera brenda në fabrikë bëhej me shpenzimet dhe mjetet shtetërore të ushtrisë që i kërkonte ndërmarrja MEICO e që në fakt, viheshin në përdorim të privatit.

152 milimetra
ishte kalibri maksimal i predhave, që përbëheshin nga gëzhoja me material tunxhi, përpunimi i të cilit sillte sasinë më të lartë të skrapit, krahasuar me të gjitha llojet e tjera të municioneve

2 kontrata
ka nënshkruar me ndërmarrjen MEICO, kompania amerikane SAC, e cila rezulton të ketë bashkëpunuar ngushtë dhe të ketë lidhje aksionere me firmën shqiptare të Mihal Delijorgjit, “Alb Demil”

3 ditë
pasi nënshkroi kontratën për çmontimin e predhave me gëzhojë tunxhi, kompania amerikane SAC ia transferoi të gjitha të drejtat e saj përmes nënkontraktimit, firmës “Alb Demil”, pronë e Mihal Delijorgjit
 

MEICO, favor Delijorgjit për kontrollin

TIRANE – Në dosjen penale të Prokurorisë lidhur me tragjedinë e Gërdecit shkruhet qartë se ndërmarrja MEICO ishte ngarkuar nga Ministria e Mbrojtjes, jo vetëm për të pasur marrëdhënie me firmën që ngriti fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec, por edhe për të verifikuar e mbikëqyrur në vazhdimësi gjithçka ndodhte me municionet e dorëzuara aty, me qëllim që të respektoheshin rregullat e sigurisë dhe çmontimi i municioneve të rrezikshme të kryhej në kushte të larta sigurie të monitoruara rreptësisht. Hetimet e Prokurorisë nuk kanë vërtetuar asnjë rast të vetëm kur MEICO të ketë bërë qoftë edhe një kontroll apo verifikim në fabrikën e Gërdecit përgjatë dy viteve, lidhur me kushtet e trajtimit të qindra tone municioneve që shkonin aty apo mënyrën se si ato demontoheshin nga fëmijë të mitur, apo punëtorë të patrajnuar për këtë lloj veprimtarie të rrezikshme.

Zbulohet nën rrënoja viktima e 25-të e Gërdecit

Zbulohet në kraterin e shpërthimit në Gërdec kufoma e Shqipe Alhasës, ish-punëtores së fabrikës së çmontimit të predhave që humbi jetën më 15 mars.

 Mëngjesin e djeshëm, ashtu siç kanë vepruar prej 21 ditësh, pjesëtarët e familjes së Shqipe Alhasës, kanë lënë shtëpinë dhe janë nisur sërish në drejtim të Gërdecit. Kërkonin trupin e Shqipes, e cila nuk gjendej prej mesditës së tragjedisë. Ka qenë ora 09:40 që ka shënuar fundin e kalvarit të kërkimeve nga të afërmit për Shqipe Alhasën. Skrepi i ushtrisë ka ngulur ndoshta për të mijtën herë kovën në thellësi të dheut të shkriftuar nga katastrofa pranë vendit, ku dikur ishte vendosur fabrika e çmontimit të predhave. Rreth një orë pasi kishin nisur kërkimet, një prej efektivave të ushtrisë që ishin angazhuar në kërkime në gërmadhat e shpërthimit, ka vënë re se një copë e terrenit nuk ishte si të tjerat. “Ndaloni ka diçka këtu”, thirri një prej njerëzve me uniformë kamuflazhi. Më tej ai bëri shenjë për të ndaluar punën me ekskavator dhe për të parë çfarë ishte ai objekt i nxirë që ngecej pas veshëve të kovës së ekskavatorit. Të tjerët janë afruar me lopata të heqin dheun dhe më pas kanë nisur të pastrojnë aty me shpresë se kishin gjetur trupin e Shqipe Alhasës, njeriut të fundit të deklaruar të humbur në shpërthimin e 15 marsit. Me kujdes ushtarakët pastruan dheun, gëzhojat, predhat e sendet e tjetra të përziera me copa betoni e blozë. Pak nga pak gërmimet kanë nisur të nxjerrin në sipërfaqe trupin e Shqipes. Një orë pasi kishin gjetur kufomën, që besohet se është i Shqipes, pjesa më e madhe e të afërmve të gruas, janë larguar nga efektivët e ushtrisë për të mos shkaktuar reagime emocionale tek të afërmit e viktimës. Gërmimi më pas ka vazhduar nga efektivët e ushtrisë, të cilët kanë kryer të gjithë veprimet e nevojshme duke larguar mbetjet inerte me ekskavator. Rreth orës 12:00, në vendin ku u gjet trupi që mendohet të jetë i Shqipe Alhasës, ka mbërritur një grup hetimor që ka kryer këqyrjen e vendit ku u gjet kufoma e njeriut të fundit që kërkohej në rrënojat e ish-fabrikës së Gërdecit. Trupi i Shqipe Alhasës ishte i copëtuar tërësisht, i dekompozuar dhe i vështirë për t’u njohur së paku me sy të lirë prej të afërmve. Për më tepër gjendja e trupit në një ambient ku ka qëndruar më tepër se tri javë, ka bërë që ekspertët mjeko-ligjorë të nisin trupin e gjetur në morgun e Tiranë, për të kryer analizat përkatëse. Një autoambulancë e ushtrisë transportoi trupin, në drejtim të morgut të Tiranës. Kreu i Komandës Mbështetëse, Gjeneral Zija Bahja, pas gjetjes së trupit tha se, tashmë ushtarakët ndihen më të lehtësuar pasi kishin përfunduar një veprim human kundrejt familjes dhe një njeriu që humbi jetën në katastrofën e Gërdecit. “Tashmë pas gjetjes së trupit, për ne fillon operacioni i vërtetë ushtarak, pasi duhet të pastrojmë zonën nga mbetjet apo sendet e rrezikshme që mund të kenë mbetur në vendet ku janë rrethuar”, tha Gjenerali. Sipas tij, ky operacion do të kërkojë kohë dhe nëse ushtria do të ndihmohet me teknikë dhe logjistikë nga ushtritë e vendeve partnere ky operacion mund të përfundojë së paku për një vit.

Flet i shoqi i viktimës: S’mendoj se kufoma mund të jetë e dikujt tjetër
TIRANE - Dilaver Alhasa, bashkëshorti i Shqipe Alhasës, gjithashtu po gërmonte me mjete rrethanore edhe paraditen e djeshme në kohën kur është gjetur trupi i bashkëshortes së tij. Në këtë kohë atë e larguan nga vendi i ngjarjes kur kufoma po nxirrej pak nga pak nga masivi i predhave e dherave. “Ndjehem së paku i qetësuar që kam arritur të gjej trupin e Shqipes. Dua të falënderoj të gjithë efektivët e ushtrisë dhe të gjithë njerëzit që më kanë ndihmuar”, thotë Dilaver Alhasa. Ndërsa flet, tregon se në mëngjes kishte ardhur si çdo ditë duke shpresuar që së paku do të gjente trupin e të shoqes, dhe se do të dinte ku ishte varri i saj. “Kjo na lehtëson pak dhimbjen e gjithë asaj që ka ndodhur, thotë Dilaveri. Ai tregon se, për 22 ditë nuk i është ndarë këtij vendi, deri ditën e djeshme kur edhe u gjet trupi i Shqipe Alhasës. “Gjatë gjithë kësaj kohe kam ardhur me shpresë se do ta gjeja trupin dhe s’do të isha larguar këtej pa e gjetur. Nuk di ç’të them. Ndihem më i lehtësuar për këtë”, pohon Dilaveri. Daja i tij, Hasan Boja, thotë se, të paktën ata do të kenë një varr, ku të qajnë njeriun e tyre dhe se do të jenë më të lirshëm për të dalë përballë njerëzve të tyre të afërt. “Fëmija ta dijë së paku ku e ka varrin nëna e tij, të dijë ku ta qajë. Prindërit dhe njerëzit e tjerë. Për të gjithë ne është një lehtësim”, pohon Hasani, ndërsa shton se kjo ishte një fatkeqësi që askush nuk do ta kishte dashur. “Së paku kemi trupin e saj dhe kjo na e bën dhimbjen disi më të lehtë, sepse nuk do të dinim ku ta kërkonim”. Meqë ishte vetëm ajo që kërkohej, edhe familja dhe të afërmit e Shqipe Alhasës, thuajse nuk e mendojnë se trupi i gjetur mund të mos jetë i saj. “Trupi i saj do të jetë, e kujt tjetër”, thotë me siguri Dilaveri, që duket se nuk e mendon që trupi t’i përkasë ndonjë njeriu tjetër. “Nuk ka të humbur tjetër dhe për këtë s’mund ketë dyshime”, përfundon ai.                       d.b

“Të pakënaqurve, ua ndërtojmë ne shtëpitë”
Kryeministri Sali Berisha, u është përgjigjur dje shqetësimeve të banorëve të Gërdecit, lidhur me shumën e pamjaftueshme që kanë marrë për rindërtimin e shtëpive të prishura më 15 mars. Duke folur në një konferencë për shtyp kryeministri tha se, të gjithë ata banorë që mendojnë se shuma është e pamjaftueshme, të mos i marrin paratë dhe qeveria do të kontraktojë kompani private për të bërë rikonstruksionin e shtëpive në çdo rast. Sipas kryeministrit pas vlerësimeve të bëra, shumat e deklaruara për çdo shtëpi konsiderohen të mjaftueshme nga ana e qeverisë, por u ka lënë edhe këtë mundësi të fundit të dëmtuarve, të cilët janë deklaruar kundër masës së dëmshpërblimit që u është akorduar. “Por janë konstatuar edhe një sërë ankesash, në të cilat nuk bihet dakord me shumën, ose konsiderohet e pamjaftueshme për të meremetuar dëmtimin. Në këtë rast qeveria do të marrë përsipër tërësisht meremetimin e ndërtimin. Ne jemi angazhuar për mbështetje të plotë të këtyre banorëve, por paratë janë të taksapaguesve dhe ne jemi të detyruar të bëjmë administrimin më të mirë të tyre, sepse ne kemi bërë një vlerësim. Në vlerësimin tonë ato para janë plotësisht të mjaftueshme, por ai që dëshiron që nuk janë, le të mos i marrë paratë, ne me ato para do të kontraktojmë kompani private për të bërë meremetimin”, u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, nga informacionet e deritanishme janë rreth 40 raste, të cilave po u bëhet rivlerësimi i dëmit. “Nga ankesat e paraqitura dhe rivlerësimet janë rreth 40, në të cilat ka çështje thelbësore dhe i garantoj të gjithë ata se, qeveria nuk ka asnjë hezitim për shqyrtimin e plotë të tyre”, tha më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›