E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO TECH

• Edison Ypi

NATO na duhet ! Për
    disa qëllime. Së pari që, me përvojën, mjetet, teknologjitë, shkathtësitë dhe aftësitë që ka, të na ndihmojë t’i shkulim gjuhën. Me ndihmën e NATO-s, gjuha e gënjeshtrave, shpifjeve, intrigave, mburrjeve, t’i lidhet me një kavo të trashë çeliku dhe t’i tërhiqet me një çikrik gjigant nga ata që NATO ka plot. Pasi të jetë shkulur, që gjuha e madhe si pasuri kombëtare gjithsesi të mos harrohet por trashëgohet, t’u hidhet kopesë së zagarëve ta lëpijnë me gjuhët e tyre më të vogla dhe më pak të rrezikshme. Menjëherë pas gjuhës, përmes disa teknikave minatore, t’i krrehen sytë. Sytë t’u flaken tufave të maceve të kazanëve të plehrave. Zemra dhe mushkëritë gjithashtu; T’i shkulen edhe ato, t’i hidhen në hale’. Pastaj, me mjete që NATO i përdor në raste fatkeqësish natyrore, pompa të fuqishme thithëse dhe tuba të trasha gome, të cilat tuba do t’i futen nga goja, nga veshët dhe nga poshtë, t’i zbrazet nga trupi gjithçka e lëngët dhe e butë; deri pika e fundit e gjakut, krejt ujërat, gjith’ bërllogjet e stomakut, tuli i trurit, lëngu i kockave. Hapësirat dhe zgavrat e mbetura të pastrohen duke i gërryer me acid nga ai që dentistët përdorin për djegien e nervave të dhëmbëve. Në qoftë se NATO nis e bën naze demek, sikur për këtë operacion nuk ka acid, aty për aty, me trimëri të pashoqe, t’i thuhet NATO-s se acid edhe mund të mos ketë, por ka dollarë për ta blerë acidin, dhe ai muhabet të mbyllet. Pas zbrazjes, djegies, pastrimit, gërryerjes, me përjashtim të gojës, tashmë shpellë e errët e frikshme pa gjuhë, e cila duhet të lihet paraprakisht e hapur për arsye të tjera si do bëhet e qartë më poshtë, t’i bllokohen të gjitha brimat e tjera të trupit. Bllokimi i brimave të hundës, syve, veshëve, dhe të poshtmes, të bëhet duke ngulur si tapë në secilën brimë nga një raketë ndërkontinentale me mbushje bërthamore nga ato që NATO i ka me bollëk stok. Me kaq ka vdekur. Por duhet bërë kujdes, duhen marrë masa, se vampiri ngjallet ! Gjithmonë me ndihmën e NATO-s e cila do kontribuojë me trena dhe kamiona, pas zbrazjes të nisi procesi deri diku i ndërlikuar dhe i vështirë i mbushjes. Brenda stomakut bosh t’i hidhen me mijëra tonelata barut kinez nakatosur me shula të ndryshkur topash. Baruti do mblidhet nga gëzhojat e artilerisë nëpër depot e rrezikut anembanë Shqipërisë. Shulat do t’i marri NATO në Mal të Zi ku shqiptarët i kanë shpënë për skrap. Do t’i kthejë Mali i Zi shulat. Sepse po s’i ktheu, kur të vijë koha, NATO nuk e pranon Malin e Zi në gjirin e vet. Gurmazi t’i mbushet plot e përplot me konserva të skaduara, të ndryshkura, si dhe mijëra këpucë diversantësh. Këpucët, ato numër 43 do jenë të gjitha të majta, ndërsa ato numër 45 të gjitha të djathta. Edhe konservat edhe këpucët, do gjinden në guvat shkëmbore të Maltës, mbetur nga koha kur NATO përgatiste dhe hidhte diversantë për në Shqipëri, aty kah vitet ’50, atëherë kur, për arsye që dihen e njihen, diversantët kapeshin si lepuj. Në qoftë se NATO ka harruar ku bien ato guva, të pyesë se ia tregon KGB-ja. Që mbushja e gurmazit të jetë sa më e plotë, pra që të shfrytëzohet sa më mirë volumi duke mbushur edhe boshllëqet më të vogla, në gurmaz të injektohet nitroglicerinë e lëngët. Hapësira bosh e trurit t’i mbushet me zinxhirët e përgjakur të birucave të burgjeve të Spaçit dhe Burrelit brenda të cilave kalon kohën e lirë, hidhnin valle, bënin qejf, ata të burgosurit për të cilët tash nuk flet më kurrkush. Ku ishte zemra të hidhen disa tonelata qelqesh të thyera. Tonelatat e qelqeve të merren në ish-fabrikën kineze të Kavajës. Me këtë rast u gjendet një far’ pune të papunëve tradicionalë kavajotë. Në këtë proces mund të ndihmojë ai hoxha i asaj xhamisë me atë minaren e bardhë e cila në kohën kur fabrika e qelqit punonte, ishte oxhak i zi. Brenda mushkërive ?! Kjo është pakëz e vështirë. Por e zgjidh NATO. Se NATO ka njohuri në shumë fusha. Brenda mushkërive t’i kallen qindra mijëra psherëtimat e nënave që prisnin të takonin bijtë e tyre në burgun e Spaçit. Psherëtimat, të cilat po të kesh vesh ende sot i dëgjon, të merren tek vendi ku nënat prisnin. Mu atje ku po ndërtohet ajo rruga patriotike. Në Reps. Atje ku nënat “armike” duke pritur, veç sfilitjes, duhej të përballonin edhe vështrimet vigjilente të banorëve lokalë. Në gojë t’i ngjishet tritol predhash. Diku mes tonelatave të tritolit të gojës t’i vendoset me kujdes microchipi i një detonatori në distancë. Së fundmi, gjithmonë nga goja e cila në këto rrethana mbetet e vetmja mundësi, për të hequr ç’do merak se mund të ketë mbetur ndonjë zgëq i zbrazur sado i vogël, NATO të gjejë një mënyrë për të injektuar në ato skuta mikeshën lezbike, naftën bruto, në të gjitha arteriet, venat, kapilarët, muskujt, dhjamërat. Pas kësaj goja të betonohet. Dy tonelata dinamit pas qafe. Nga dhjetë tonelata të tjera dinamiti brenda secilës sqetull. Dhjetëfishin e kësaj sasie dinamiti mbi kurriz dhe mbi bark. Për të gjitha këto zbrazje-mbushje, meqenëse NATO nuk mund t’i dijë të gjitha, natyrshëm, duhet të konsultohet edhe me ekspertë të gjithëdijshëm lokalë shqiptarë. Ekspertët do jenë të disa fushave. Nga politika, shoqëria civile, mediat etj. Mirë është gjatë këtyre konsultimeve t’u jepet përparësi dopio standardeve. Atyre që, nga jashtë, domethënë nëpër gazeta dhe banaqe televizive, duke ulëritur hiqen NATO-entuziastë të thekur. Ndërsa nga brenda, pra tek llafosen me veten para se t’i zërë gjumi, duke u gërryer nga krimbi i dyshimit, nisin e torturojnë veten me pyetje të thella si; A po hyjmë ne në NATO, apo po hyn NATO tek ne ?! Ose; Duke qenë të rrethuar me NATO, a mos vallë po i ngjajmë atij mërdhacakut, i cili pasi është shtrirë për të fjetur me katër a pesë jorganë mbi vete, për tu siguruar se mos mbërdhasi, vesh edhe xhup ?! Nejse. Pas konsultimeve dypalëshe mes NATO-s dhe dijetarëve shqiptarë, atyre hajdutëve me çizme NATO-je të cilët gjithë kohën mendjen e kanë vetëm me vjedh, të merret një helikopter gjigand nga ata që NATO i përdor për të transportuar tanke varur. Helikopteri t’ia nguli çengelin pas qafe vampirit. Dhe ta ngrejë e ta mbajë varur. Derisa të jepet urdhri që ngarkesa të transportohet diku. Në ndonjë luginë të zbrazur të Gollobordës s’do ishte keq. Por me një kusht ! Që ajo luginë të duket nga Dajti. Vendin për ta flakur pisin, NATO ta gjejë me Google-earth. Kalkulimin me përpikmëri të distancave ta realizojë në bashkëpunim me NASA-n. Nga maja e Dajtit, butonin e shpërthimit me anë të telekomandës, ta shkeli me dorën e vet një fëmijë jetim nga katundi Marqinet.
edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›