E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERAT/ Bombla e gazit rrezikoi familjen



BERAT- Shpërthimi i një bomble rrezikoi një familje në lagjen “Kodra e Sulmit”, në Berat. Ngjarja që alarmoi gjithë banorët e kësaj lagjeje ndodhi dje rreth orës 11:00 në banesën e Ilmi Dogrës. Si pasojë e shpërthimit të bombulës me gaz, shtëpia u përfshi në flakë. Familjarët njoftuan menjëherë zjarrfikësen. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati dëmtime në njerëz, por vetëm dëme materiale. Rruga e keqe dhe shumë malore ka bërë që zjarrfikësja të mos të arrijë në majë të kodrës për të fikur zjarrin. është dashur të shtrihen në një gjatësi të madhe tubacionesh dhe disa bombula dore, që përdoren në raste zjarri. Burime nga zjarrfikësit bënë të ditur se janë shpëtuar dhe 10 banesa të tjera, të cilat ishin ngjitur më çatinë e shtëpisë së përfshirë në flakë. d.xh

GJIROKASTëR Aksidenti, një fëmijë ende rëndë
GJIROKASTëR- Gjendja e të plagosurve që mbijetuan nga aksidenti i rëndë në Tepelenë është përmirësuar, me përjashtim të një fëmije që ndodhet ende në rrezik. Burime nga spitali i Gjirokastrës bënë të ditur se 6- vjeçari, F. Lila dhe nëna e tij Aurela Lila, 27- vjeçe, dje shkuan në banesën e tyre. Mjeku kirurg, Roland Karalli theksoi se gjendja e tyre ishte përmirësuar. Ndërsa fëmija tjetër i saj, u transportua fill pas aksidentit në Spitalin Ushtarak. Mjekët e Gjirokastrës u shprehën se fëmija ka pasur probleme të rënda në tru, të cilat i rrezikojnë edhe jetën. Së bashku me 2- vjeçarin, në Tiranë trajtohet edhe e shoqja e drejtuesit të mjetit, i cili humbi jetën në aksidentin e djeshëm, Yllka Tafilaj. Si pasojë e aksidentit që ndodhi në afërsi të fshati Dhëmblan humbën jetën 2 persona dhe 6 të tjerë u plagosën. p.n

ELBASAN Përurohet fabrika e demontimit
ELBASAN- Së shpejti do të nisë demontimi i predhave në Mjekës të Elbasanit. Në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës, u përurua dje fillimi i punimeve të linjës së demontimit të predhave të mortajave 120 mm. Në këtë linjë do të shkatërrohen 11.027 ton predha mortaje në dy faza deri në fund të vitit 2013, ndërsa së shpejti do të hyjë në funksion edhe linja për asgjësimin e minave prej bakeliti, që do të demontojë 2112 ton. Këto dy linja do të pasohen në muajin janar 2011 nga një linjë e re, që do të demontojë predhat unitare të artilerisë së kalibrit 75 deri 152 mm, me një sasi totale prej 7127 ton. Përfundimi i këtyre linjave e kthen Uzinën e Lëndëve Plasëse të Mjekësit në uzinën më të rëndësishme ushtarake, ku kryhet rreth 67 për qind e demontimit kombëtar në rrugë industriale. Në përurimin e uzinës ishte edhe zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›