Dy të rinj në pranga, i vunë gjobë biznesmenit
POGRADEC- Arrestohen për gjobëvënie ndaj një biznesmeni dy të rinj nga Pogradeci. Struktura speciale të Policisë së Shtetit, nëpërmjet një operacioni të kryer mbrëmjen e së enjtes prangosën 24- vjeçarin, Meardi Berberi dhe 26- vjeçarin, Aleks Hamzallari. Ata u akuzuan për veprën penale të “shtrëgimit dhe kanosjes për dhënien e pasurisë”. Mësohet se dy të rinjtë vendosnin gjoba për biznesin në qytet, por ata janë ndalur për rastin e biznesmenit Gj.L. Dy të rinjtë i kanë kërkuar këtij biznesmeni që ushtron aktivitet në një kompleks sportiv dhe në materiale ndërtimi, që t’u dorëzonte një shumë prej 4 mijë eurosh. Ata e kishin kërcënuar biznesmenin me shkatërrim të aktivitetit të tij, nëse nuk iu jepte paratë. Berberi dhe Hamzallari kishin precedentë të mëparshëm penalë për “vrasje të mbetura në tentativë” dhe “armëmbajtje”. Mësohet se arrestimi i tyre u krye në orët e vona të mbrëmjes, atëherë kur ishte lënë edhe takimi me biznesmenin, që t’u dorëzonte shumën e parave. Policia tha se ka qenë pikërisht biznesmeni Gj.L, 46- vjec, ai që ka denoncuar gjobëvënien. Sipas policisë, Berberi dhe Hamzallari kërcënonin biznesmenët se do ti vrisnin, shkatërronin dhe merrnin peng familjarët, nëse nuk u jepnin paratë. Biznesmeni Gj.L. ishte kërcënuar disa herë me vrasje. g.a