Vlorë, tri fshatra në protestë për ujin
VLORE- Banorët e tri fshatrave, Babicë, Alikok dhe Xhyerinë protestuan dje në qendër të Babicës për mungesën e ujit të pijshëm. Me bidona në duar ata bllokuan për rreth 30 minuta rrugën, që lidh fshatrat e lumit të Vlorës me qytetin. Sipas banorëve, ata nuk kanë ujë në banesat e tyre prej 4 muajsh. “Kemi kryer disa protesta, jemi ankuar nëpër institucione, por vetëm premtime kemi marrë”, - u shprehën banorët protestues. Pas situatës së krijuar, 12 mijë banorë të këtyre fshatrave e zgjidhin problemin duke blerë ujin tek personat, të cilët e çojnë atë në këto fshatra me bote. Ata shpenzojnë 300- 500 lekë në ditë për të përballuar nevojat për ujë të pijshëm, ndërsa për nevoja të tjera e mbushin atë në lumë, që është 20 minuta larg. Sipas banorëve, ata kanë hartuar edhe një peticion të cilën ia kanë dërguar institucioneve më të larta në vend. “Nëse nuk do të gjendet zgjidhja, ne do të marrim masa ekstreme, deri në grevë urie!”, - u shprehën ata. Përfaqësues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit bënë të ditur se shkak i mungesës së ujit në këto fshatra janë ndërhyrjet e shumta në rrjet, në zonën nga spitali deri në Babicë. Gjithashtu, shkak është bërë edhe humbja e presionit të ujit nga punimet që po kryhen nga firma, e cila po shtron tubacionet e ujësjellësit në të gjithë qytetin e Vlorës. Kryetari i komunës, Fredo Berberi, u shpreh se së shpejti do investohet në rrjetin e ujësjellësit, pasi do të merret uji nga zona e Selenicës dhe burimi i lumit. Por ai tha se duhen siguruar fondet e mjaftueshme për të çuar rrjetin e tubacioneve në të tre këto fshatra. q.b