Zbulohet kanabis, në pranga kryeplaku dhe 2 inspektorë
Nuk informuan mbjelljen e lëndëve narkotike, arrestohet kryeplaku i fshatit dhe dy inspektorë të Policisë Pyjore.
Policia e Shkodrës kreu arrestimin e tyre me akuzën e “moskallëzimit të krimit” pasi evidentuan 1550 rrënjë bimë, të dyshuara si kanabis sativa. Sipas burimeve, të arrestuarit janë Mëhill Demaj, 53 –vjeç, kryeplaku i fshatit Bruçaj, Komuna Pult, Gjergj Prozhmi, 52- vjeç dhe Gëzim Hagrepi, 41- vjeç, që të dy me detyrë inspektorë të Policisë Pyjore, në zonën e komunës Pult. “Ndalimi i këtyre shtetasve u bë, pasi në vendin e quajtur ‘Lugina e Qutit’, në fshatin Bruçaj, komuna Pult, konstatuam parcela të mbjella me rrënjë bimësh narkotike, që dyshohet se janë kanabis sativa”, - bëri të ditur policia e Shkodrës pas arrestimit të kryer mbrëmjen e së enjtes. Mësohet, se prangosja është kryer nëpër banesa, pa rezistencën e asnjërit prej tyre. Sipas burimeve, gjatë kontrollit të kryer nga efektivët e sektorit të luftës kundër drogës u zbuluan 1550 rrënjë bime narkotike, të cilat më pas u asgjësuan me anë të djegies.
“Ndalimi i dy inspektorëve të policisë pyjore, që mbulojnë këtë zonë si dhe kryeplakut të fshatit, Bruçaj, u krye pasi ata nuk kishin informuar në lidhje me kultivimin e këtyre bimëve”, - bënë të ditur burime të policisë. Mësohet, se blutë kryen një kontroll në fshatin e largët pas sinjalizimeve të siguruara në rrugë operative. Pas kontrollit të kryer konstatuan se informacioni ishte i saktë. Sipas policisë, pas asgjësimit të bimëve narkotike nisi puna për të identifikuar poseduesit e saj. Nga verifikimi i kryer rezultoi se toka ku ishte mbjellë lënda e kanabis-it nuk kishte pronar. Por hetimet janë zgjeruar, pasi janë marrë në pyetje disa banorë si dhe po kryhen edhe verifikime të tjera për të realizuar edhe arrestimin e kultivuesit. Burimet nuk bënë të ditur në lidhje me deponimet e tre të arrestuarve. “Tre të ndaluarit do të përballen me akuzat për veprat penale të ‘mos kallëzim të krimit’ dhe ‘kultivim të lëndëve narkotike’, - thuhej në njoftimin e dhënë nga policia e Shkodrës.