E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatat me leje, “triumfon” akuza me pezullimet e afateve



TIRANE – Nga sot, Gjykata për Krimet e Rënda, si edhe gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Dytë në rang vendi, fillojnë pushimet vjetore, që do të zgjasin gjatë gjithë muajit gusht. Të gjitha shqyrtimet gjyqësore do të rifillojnë në pikën që kanë mbetur në muajin shtator. Gjatë gushtit do të shqyrtohen vetëm masat e sigurisë ndaj personave të arrestuar. Por ndërsa gjykata do të rifillojë punë në shtator, duket se java që lamë pas ishte një “triumf” për organin e akuzës. Kjo për shkak se, të paktën në proceset më të bujshme të kohëve të fundit, prokuroria arriti të “fitonte” pezullimin e afatit të paraburgimit për të pandehurit e arrestuar. Pezullimi i afateve nuk është mirëpritur nga të pandehurit e arrestuar dhe as nga mbrojtsit e tyre ligjorë. Nga ana e tyre përfaqësuesit e akuzës kanë “vënë në vijë” proceset përkatëse duke “shpëtuar” afatin prej një muaji paraburgim për të pandehurit, e thënë ndryshe, një muaj me shumë kohë shqyrtim gjyqësor me të pandehurit në qeli. Kështu, duke filluar nga e hëna e kaluar Gjykata e Tiranës ndërpreu shqyrtimin e dosjes me 29 të pandehur të akuzuar për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec dhe caktoi datën e re në shtator. Shkak i ndërprerjes u bë mosparaqitja e disa prej avokatëve në proces, çka bëri që gjykata të vendoste pezullim të afateve të paraburgimit për katër të pandehurit e arrestuar. Të njëjtin fat kanë pasur edhe të pandehurit e arrestuar të akuzuar si pjestarë të bandave kriminale të “bandës së Durrësit”, që po gjykohen aktualisht në Gjykatën për Krime të Rënda. Për të njëjtat arsye, u shtynë dhe proceset gjyqësore mbi “masakrën e Qafë-Gjashtës” dhe të “Masakrës së Cërrikut”. Në seancën e fundit të të akuzuarve për “Masakrën e Cërrikut”, seanca u shty për shkak të mbetjes pa mbrojtje të të pandehurit Bujar Buzani, i cili gëzon statusin e të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë. Ndonëse për më shumë se 10 seanca paraardhëse ai ishte mbrojtur vetë, në seancën e së martës Buzani kërkoi mbrojtje. Dje Gjykata për Krimet e Rënda shtyu për në shtator me afate paraburgimi të pezulluara edhe gjyqin ndaj Dritan Dajtit dhe dy të bashkëpandehurve me të. Shkak u bë mungesa e avokatit mbrojtës të Dajtit. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›