E Diel, 1 Nëntor 2026

BERISHA PERBALLE RAMES

Sikundër ndodh sot kudo në botë, përballja elektorale është më së shumti përballje liderësh, të cilët, për shkak të aftësive të tyre, janë në gjendje (ose duhet të jenë në gjendje) të përçojnë në elektorat programin, të shfaqin aftësitë e tyre si lider, dhe mbi të gjitha, të përcjellin besimin. Elektorati, në rolin e një spektatori, ka në "dorë" të bëjë vetëm vlerësimin pas shfaqjes që shikon dhe sidomos, pas besimit që krijon ndaj liderit. Prandaj lufta elektorale, sot është më së shumti, luftë besimi.

Por ç‘po ndodh në realitetin shqiptar? Nëse një çast do të reflektonim ndaj karakteristikës së elektoratit tonë, do të vërejmë sjelljen e tij elektorale, të orientuar jo nga programet, madje deri në një farë mase, jo edhe nga besimi, por nga intuita populiste e "fituesit" të ardhshëm. Kjo do të thotë se "fryma", që krijohet muajt e fundit, e theksoj, jo muajin e fundit, por muajt e fundit, ndikojnë seriozisht në drejtimin e elektoratit shqiptar. Kjo është një karakteristikë që është gati e veçantë për shqiptarët, pasi në mjaft vende të tjera, lufta për të lëkundurit, bëhet deri në ditën e fundit. "Fryma" në Shqipëri ka qenë gjithnjë një tregues barometrik, i cili ka udhëhequr edhe opinionet dhe poll-et dhe të lëkundurit. Dhe frymën sigurisht e krijojnë, më së pari, liderët. Në këtë përballje, mund të dallojmë sot, një muaj para zgjedhjeve, se çfarë imputesh do të kemi.

Kryetari i Partisë Demokratike, me cilësinë e Kryeministrit, them ka ditur të ndërtojë një "frymë" mjaft të leverdishme për partinë e tij. Berisha ka treguar se është një politikan i strukturuar mirë, drejt qëllimit (personal-përfitimit pasuror dhe politik, mjetit për t‘ia vënë në pjatë këtë pasuri), duke vënë në krye moton: Qëllimi justifikon mjetin. Në zgjedhjet e vitit 2005 ishin të shumtë skeptikët, që dyshonin në një rikthim të mundshëm të Berishës, pas largimit me dhunë të tij në vitin ‘97. Dhe vetë Berisha dyshonte, por në atë kohë ai u ndihmua nga përçarja skandaloze e së majtës. Si politikan i vërtetë, pa kurrfarë skrupulli, ai kishte mësuar gjatë qëndrimit në opozitë, se cilat ishin pikat e dobëta të kundërshtarit politik dhe në fushatën e tij krijoi frymën e fitores, brenda forcës së tij politike, duke përdorur si slogan "luftën kundër korrupsionit". Pasi krijoi një frymë të tillë në partinë e tij, ai përdori më së miri diversionin, arrogancën politike, akuzën e tejskajshme, përdori emra të kundërshtarëve të tij politikë, duke i akuzuar deri në palcë e duke ia servirur elektoratit, si shkaqet e gjendjes së keqe, të Shqipërisë aspak evropiane.

Të gjitha këto krijuan gradualisht frymën që e majta nuk duhet të rrinte më në pushtet. Fatos Nano, me papërgjegjshmëri politike, kishte lëkundur besimin në të majtën shqiptare. Dalja e LSI-së në skenën politike, pasojë e lëvizjeve të tilla brenda së majtës, ishte dhe një faktor tjetër plus që lëkundi elektoratin. LSI, me entuziazmin e një lëvizjeje të re, me qëllime jo fort të strukturuara brenda së majtës, por me një energji dhe një shpirt luftarak, që bazohej në besimin te lideri, solli një rikonfigurim të ri të politikës, por edhe një shans më shumë për Berishën. Personalisht, them se Berisha është një politikan që di të bëjë politikë. Qëllimi i tij është tashmë jo vetëm i dukshëm, por dhe i bindshëm. Berisha nuk do të iki nga pushteti, si dikur Nano, por as nuk mund të ikë nga pushteti. Përlyerja e emrit të familjes së tij në afera kaq të forta, e ka detyruar Berishën të ulet në nivelin e banalitetit linguistik, në përdorimin e të gjitha mjeteve, të denja për një njeri të rëndomtë, por kurrsesi për një politikan. E aq më tepër për një Kryeministër. Kjo do të thotë se Berishës i duhet një mandat i dytë për të pastruar emrin e familjes së tij, por dhe për të ndihmuar harresën popullore, që edhe kështu është e dobët.

Berisha duhet të fitojë me çdo kusht, që të krijojë mundësinë e pastrimit të duarve të tij. Si ka vepruar ai? Padyshim si një politikan i dorës së parë. Dy vitet e para të mandatit, i shërbeu familjes, i krijoi të gjitha mundësitë e përfshirjes vetëm në një "dorë" të të gjitha fitimeve që mund të realizoheshin. Më pas, sidomos vitin e fundit, u përqendrua në investime, në takime ndërkombëtare që natyrisht krijojnë në elektoratin jo fort të formuar shqiptar, frymën e fituesit. NATO, aplikimi për statusin në BE, takimet me kryeministra fqinj ose dhe më tej, i mbuloi me një propagandë të paparë demagogjike dhe elektorale, të denja për të konkurruar me liderët totalitarë. Media, që është i vetmi faktor i rëndësishëm opozitar, u përpoq të tregojë se çfarë kishte poshtë kësaj magjie demagogjike, ç‘lëvizje të mbrapshta politike bën Berisha, por buritë e medias tingëllojnë fare të dobëta përballë tambureve të fuqishme të Berishës. Ai ka ndërtuar një fushatë, e cila duket se ka një strategji të përcaktuar mirë të mbështetur në parimin: mbrojtja më e mirë është sulmi, pa skrupuj dhe pa moral. Pra, Berisha ka punuar mjaft mirë për të krijuar frymë, e së fundi, si çdo lider shqiptar, ai ka ditur të vërë "në radhë" të gjitha strukturat e partisë, duke hyrë në këto zgjedhje, me një strukturë partie, që do ia kishte zili edhe Partia e Punës.

Në kampin tjetër, opozita duket e vakët, apatike, pa "frymë". Ka humbur me dhjetëra raste të "arta" që qeverisja "Berisha" u ka dhënë në dorë, me paaftësinë e saj menaxheriale. Por opozita është marrë më së shumti me veten sesa me faktin e të qenit në opozitë. Sigurisht, që kur një parti del në opozitë, detyra e parë është reformimi. Por reformimi i së majtës duket se akoma nuk ka zënë vend. Katër vjet nuk arritën të krijojnë një stabilitet të së majtës, e cila, për hir të së vërtetës, sipas meje, ka treguar dobësi të madhe organizimi dhe sidomos profili opozitar. Rama, si lider që do të përballet në elektorat me Berishën, ka treguar se është për një formatim tjetër të gjuhës politike. Ka treguar se kërkon të japë një imazh të ri të një paqeje dhe bashkimi të përgjithshëm social. Shumë ide e pëlqyer dhe mjaft civilizuese, por… "por"-i ka të bëjë me elektoratin shqiptar, që ende nuk ka kulturën e duhur politike, për ta përcjellë me shpejtësi dhe besim një gjuhë të re në marrëdhëniet tona politike.

Rama ka dy vjet që, në dialogun me Shqipërinë ka folur ka dëgjuar, ka pra informacionin e nevojshëm për të si individ. Kjo sigurisht është për t‘u vlerësuar, pasi siguron një program shumë më afër nevojave të popullit. Por sikundër thashë në fillim, populli nuk arrin dot të njohë programin. Populli shikon Berishën, shikon edhe Ramën. Ai bën vetë llogaritë e veta. Dhe ai është një elektorat mjaft fluid. Në këtë rast do të ketë të tillë që do të thonë: Modeli i Bashkisë së Tiranës është modeli i Shqipërisë së nesërme. Dhe unë do të doja të ishte. Por tre mandate janë të mjaftueshme për një konsum politik. Dhe këtë Rama duhet ta ketë parasysh, ndërkohë që Berisha në propagandën e tij, pikërisht ka gjetur ta sulmojë aty ku Rama gjen forcën (ose së paku ka gjetur forcën); Bashkinë e Tiranës. Shalsi, i përgjumur dhe pozali, gati në tetarizim, nuk përcjellë gjë tjetër, veçse keqardhje në mbrojtje të kryetarit.

Kur fushata elektorale duhet të kishte ndezur bateritë e veta, opozita vazhdon të tollovitet në takime të vakëta. Media vazhdon të bëjë opozitën e fuqishme përballë korrupsionit qeveritar. Por media me gjithë fuqinë e vet, nuk ka pushtet politik. Media mbështet politikën. Por kur nuk gjen mbështetje? Atëherë do të "detyrohet", për shkak të njëmijë "marrëdhënieve", të krijojë frymën për fituesin e mundshëm.

Rama ka treguar, deri më sot, se di të ngjitet në politikë. Madje, nëse fiton këtë radhë, ai bëhet i vetmi politikan shqiptar, që ka njohur vetëm rritje dhe ngjitje. Rama ka profilin e një administratori të denjë e të suksesshëm. Politika nuk do vetëm këtë. Politika kërkon besim dhe frymë. Nëse këto të dyja nuk arrijnë të paraprijnë njëra-tjetrën, dështimi nuk mund t‘i faturohet partisë. Daljeve publike të Ramës u mungon entuziazmi i nevojshëm, për të ngjallur besimin. Sigurisht entuziazëm, nuk do të thotë britma dhe brohoritje, por besim, frymë optimiste. Të jesh lider partie, duhet të kesh të qartë qëllimin dhe për të, të luftosh. Sot ka zëra që vijnë nga vetë e majta se Ramës "nuk ia ndien shumë", nëse fiton e majta apo jo, ai ka bashkinë. Të tjerë ithtarë të së majtës, madje dhe militantë të saj, kanë filluar të pëshpëritin me keqardhje: "Ehë, do ta marrë Berisha edhe këtë herë"! Dhe ky sigurisht, ky nuk mund të quhet entuziazëm e as optimizëm.

Nga ana tjetër, strukturat e PS-së, që dikur ishin faktorë fitoreje, sot janë kthyer në inekzistente. Dikush mund të thotë se roli i partive në demokracitë e sotme, është rol elektoral dhe aspak si dikur, në formacione partiake. Përvoja botërore na tregon se kushtet konkrete të çdo vendi, janë në fund të fundit përcaktuese për veten. Problemet zgjidhen aty ku lindin, duke na dhënë forma të ndryshme zgjidhjeje. Berisha ka një parti gati të rreshtuar në garnizon ushtarak. Pa tolerancë dhe pa demokraci. Por ç‘rëndësi ka? Ai u ka premtuar fitoren. Rama ka humbur strukturat e partisë, ose i ka lënë jashtë funksioneve të tyre. Kampi opozitar ka krijuar "frymën" e fjetur mes daljeve të Ramës, fjalëve të tërhequra zvarrë të Metës, batutave pa interes të Gjinushit, e mbi të gjitha, të një të majte të përçarë. Dhe të mendosh se realiteti i ofron së majtës fitoren, ndërsa e djathta, që nuk ka ditur realisht të qeverisë, bëhet sërish gati për një mandat të dytë. Ka mbetur edhe pak kohë. Mjaftueshëm për të bërë secili punën e vet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›