E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën Ari. Në finale shkojnë Bjordi, Adela, Adi dhe Sori

U zhvillua mbrëmë një puntatë e jashtëzakonshme e spektaklit "Big Brother Albania". Në vetvete, ky spektakël ishte një surprizë për vetë banorët, të cilët nuk ishin në dijeni të organizimit të kësaj mbrëmjeje ndryshe për ta. Të ulur në kopsht, në një bisedë të zakonshme të tyre, janë surprizuar teksa kanë dëgjuar zërin e Arbanës, e cila u tha se po u fliste nga studio e "Big Brother", drejtpërsëdrejti nga "Top Channel". Kanë kaluar disa çaste habie, para se banorët dhe nënat e tyre ta besonin se bëhej fjalë për një spektakël të vërtetë. Ndërsa i ka pyetur për prezencën e nënave në shtëpi, banorët janë shprehur se janë kënaqur nga prania e tyre në shtëpi e se do të dëshironin t‘i kishin aty deri në fund. Surpriza e emocione njëherazi kanë kaluar banorët të cilët do të shkojnë në mbrëmjen finale të këtij reality show të organizuar nga televizioni kombëtar "Top Channel". Një tjetër banor u largua spektaklin e mbrëmshëm.

Ari la përfundimisht garën nga një eliminim i papritur për të, atëherë kur kishte menduar se tashmë ishte pjesë e finales së spektaklit të madh. Asnjëri prej banorëve nuk ishte i përgatitur për këtë eliminim. Nënat janë bërë pjesë e emocionit dhe e ankthit. Duke diskutuar për surprizën e futjes së tyre në shtëpi, opinionisti Arjan Konomi ka qenë i mendimit se prania e nënave në shtëpinë e "Big Brother" i ka dhënë një fytyrë të re shtëpisë e madje edhe më shumë hijeshi. Mimoza, e larguar në spektaklin e së shtunës, është shprehur se do të kishte dashur edhe ajo ta përjetonte këtë eksperiencë me nënën e saj. Ndërkaq, sa i përket lidhjes me Polin ajo ka thënë se ende nuk ka folur gjatë e gjerë me të për spektaklin, por ka mohuar të jetë ndarë.

Anjëza rrëfen javën e parë jashtë shtëpisë

Anjëza, e cila gjendet në studio në panelin e konkurrentëve të eliminuar së bashku me Arjonin, thotë se javën jashtë shtëpisë e ka kaluar shumë mirë. "Ishte shumë bukur, jam ndier jashtëzakonisht mirë. Më kishte marrë malli për Arjonin", ka thënë ajo ndërsa ka treguar se një pjesë të mirë të kohës e ka kaluar me Arjonin. Pyetjes së Arbanës nëse kishte menduar për një strategji ajo është përgjigjur se nuk e kishte menduar se do të lidhej me Arjonin, dhe se linja që ajo kishte menduar të ndiqte ishte tërësisht ndryshe.

Nënat shpëtojnë Bjordin

Një tjetër e papritur është menduar gjatë spektaklit të mbrëmshëm për nënat dhe banorët. Arbana u ka komunikuar se do të ishin nënat ato që do të zgjidhnin njërin banor për të shkuar automatikisht në finale. Secila prej tyre ka shkuar në dhomën e rrëfimit për të thënë një emër, përveç fëmijës së tyre. Nga votimet e tyre është zgjedhur Bjordi, i cili shkon direkt në finale. Ai është zgjedhur nga mamaja e Qetsorit dhe e Adelës. Antoneta, mamaja e Bjordit ka zgjedhur Adelën, ndërsa në arsye shpjeguese ka thënë: "Zgjodha Adelajdën, sepse e pashë që zemra e Bjordit rreh atje. Nga jashtë më dukej ndonjëherë se ishte një lojë, kritikoja veten, Adelajdën, por shoh që është e vërtetë". Kunata e Adit ka zgjedhur Arin, ndërsa mamaja e Arit ka zgjedhur Adin. Katër banorët e tjerë kanë dalë në televotim.

Nënat dhe eksperienca në "Big brother"

Për nënat nuk ka qenë aspak e thjeshtë pjesëmarrja në shtëpinë e "Big Brother" e pikërisht për këtë arsye Vëllai i Madh i ka falënderuar ato duke u bërë edhe një surprizë të menduar veçanërisht për to. Të gjithëve u është kërkuar të dalin në oborrin e shtëpisë ku kanë ndjekur imazhet që shfaqeshin në projektorin e shtëpisë. Ato shikojnë Agron Llakaj, aktorin e humorit, moderatorin dhe drejtorin artistik të spektaklit të njohur "Portokalli", i cili gjendej në zonën e sallonit. Ai ka interpretuar për to rolin e nënë Anesë. Ka shkaktuar momente të vërteta humori, ka marrë pjesë në lojën e nënave që janë hedhur në litar, e më pas i ka marrë me vete, jashtë shtëpisë.

Banorët rrëfehen me copëza ditari

Para vendimit përfundimtar të televotimit, secili prej katër konkurrentëve ka treguar pak nga mendimet e tyre "sekrete". Adela ka lexuar pak pjesë të ditarit të saj, që Vëllai i Madh ua ka dhënë që me hyrjen e tyre. Këto fletë ditari ajo ia ka kushtuar të atit, një rrëfim emocionues. Nga akuariumi Adi ka shkruar vetëm dy fjalë dhe u ka dhënë një mesazh për ta votuar të qëndrojë në shtëpi. Nga dhoma e gjumit Qetsori po ashtu ka lexuar një pjesë emocionuese drejtuar bashkëshortes së tij, ndërsa Ari, i vendosur në tunel ka preferuar vetëm të japë një mesazh për ta mbështetur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›