E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Inflacioni do vazhdojë të rritet

Çmimet e ushqimeve do të vazhdojnë të rriten e për rrjedhojë edhe inflacioni. 

Sipas një lajmi të publikuar nga ‘Deutsche Welle’ në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe në ish-republikat Sovjetike ka rrezik të rritet inflacioni. Ky ka qenë përfundimi i dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), në mbledhjen vjetore në Kiev. Vendet e Azisë Qendrore, të ish-BS, të Ballkanit, të Evropës Qendrore dhe Lindore prej disa vjetësh raportojnë rritje të majme ekonomike; mesatarisht, rajoni u rrit ekonomikisht vitin e fundit me rreth shtatë për qind. Edhe këtë vit nuk pritet të jetë shumë më pak, beson BERZH-i. Ai parashikon një rritje prej 6 për qind të rajonit, thuajse të paprekur nga kriza e kreditit dhe dobësia ekonomike e disa vendeve Perëndimore. Erik Berglof, krye ekonomist i bankës ka thënë se: “Ne konstatojmë një ngadalësim, por vetëm një shumë të moderuar. Disi më fort ai prek vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, më pak shtetet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Ne mund të diskutojmë se me sa ka të bëjë kjo. Por kjo është diagnoza”. Bankat e vendeve reformatore gjithsesi, nuk janë të prekura nga kriza e kreditit: Bankat e këtyre vendeve zakonisht kanë qenë kaq fort të preokupuara me rritjen e vrullshme në biznesin vendas të parave, sa që nuk kanë pasur angazhime të rrezikshme në botën e jashtme, për shembull në tregun amerikan të Hipotekave. Rreziku më i madh tani kërcënon nga brenda: Bumi i vazhdueshëm shkarkohet pjesërisht në ngritje gjithnjë e më të shpeshta çmimesh. Kudo është rikthyer inflacioni, me përqindje dyshifrore në vendet e BE, si në shtetet Baltike, në shtetet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, si Ukraina ose Kaukazi. Ekonomisti Berglof tha se: “Ajo që na pret tani dhe na preokupon është inflacioni. Ai po rritet thuajse në të gjitha vendet tona. Shkaqet janë pjesërisht të natyrës kalimtare: Çmimet ushqimore dhe energjetike janë ato që mbizotërojnë. Ne shpresojmë se çmimet e ushqimeve nuk do të rriten përjetësisht, dhe që çmimet energjetike të stabilizohen”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›