E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerali i liruar padit Presidentin: Dekreti, i pavlefshëm

Dekreti i Presidentit Bamir Topi, i datës 9 maj, për lirimin nga detyra të dy gjeneralëve të Ushtrisë Shqiptare, shënjestrohet seriozisht nga juristët. Këtë radhë Vladimir Meçi, avokati i ish-komandantit të Forcës së Bashkuar, Gjeneral-Major, Shpëtim Spahiut, ka trokitur në derën e Gjykatës së Tiranës duke depozituar një kërkesë me të paditur pikërisht Presidentin e Republikës së Shqipërisë. 

Ferdinand Dervishi

Sipas avokatit Meçi, “padia që është depozituar mbrëmjen e së hënës, 19 maj, thotë se Presidenti është nxituar dhe gabuar në nxjerrjen e dekretit që njëkohësisht bënte shkarkimin nga detyra si dhe nxjerrjen në lirim të Komandantit të Forcës së Bashkuar, Gjeneral–Majorit, Shpëtim Spahiu”. Po sipas Meçit, për këtë shkak ai i ka kërkuar gjykatës që dekreti të shpallet i pavlefshëm. Në vazhdim të së njëjtit argumentim, avokati sqaroi se e gjithë procedura e ndjekur është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. “Jo vetëm që Presidenti ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese, por edhe ministri aktual i Mbrojtjes ka shkelur ligjin”, tha për “Panorama” avokati Meçi. 
Etapat
e ankimimit
Në fakt, të paktën Gjeneral-Major, Shpëtim Spahiu, ka konsumuar të gjitha etapat e ankimimit administrativ ndaj dekretit të Presidentit Topi për lirimin e tij nga detyra. Më saktë, ai ka ardhur në këtë etapë, pra te kërkesëpadia, pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje pas kërkesës së tij për të takuar zyrtarisht Presidentin, Kryeministrin si dhe ministrin e Mbrojtjes. Më tej, i njëjti më kot ka pritur që dikush t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës tjetër të tij për njohjen me aktet zyrtare të ministrit të Mbrojtjes dhe të Presidentit që konkluduan me dekretin e lirimit. Po kështu asnjë lëvizje nuk është vënë re edhe pas dërgimit të një kërkese ankimore Presidentit të Republikës për të revokuar dekretin si të papajtueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e ligjin. Në këto kushte, Gjenerali Spahiu përmes avokatit të tij Vladimir Meçi, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës që të japë një vlerësim për vlefshmërinë ose jo të dekretit të Presidentit për lirimin i tij nga detyra.       
Pse dekret i pavlefshëm
Sipas avokatit Meçi, më 9 maj, Presidenti Bamir Topi ka nënshkruar një dekret në bazë të një propozimi të ministrit të Mbrojtjes që mban të njëjtën datë, pra 9 maj. Presidenti me anë të së njëjtit dekret ka vendosur shkarkimin nga detyra dhe njëkohësisht lirimin e klientit të tij me gradë Gjeneral-Major dhe me detyrë Komandant i Forcës së Bashkuar. “Sipas ligjit, ministri mund t’i bëjë propozim Presidentit për shkarkimin e një gjenerali, por nxjerrja në lirim është kompetencë e tij, pra e ministrit dhe jo e Presidentit”, shpjegon avokati Meçi. Në këtë mënyrë sipas avokatit, Presidenti ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese në një kohë që edhe ministri i Mbrojtjes ka shkelur ligjin. Sipas avokatit, “referenca që i bëhet në dekretin objekt ankimi, pikës 8 të nenit 7, të ligjit nr 8671, datë 26.10.2000 ‘Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të FA të RSH’, çalon për nga pikëpamja e fuqisë juridike, pasi kemi të bëjmë me një dispozitë që nuk është në fuqi në momentin e nxjerrjes së dekretit. Kjo dispozitë, sipas së cilës Presidenti i Republikës ‘emëron, shkarkon dhe nxjerr në rezervë ose në lirim, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore’ është e shfuqizuar nga ligji nr. 9171, datë 22.01.2004 ‘Për gradat dhe karrierën ushtarake në FA të RSH’. Ky ligj ka përcaktuar në mënyrë të shprehur, në pikën 2 të nenit 25 të tij, se “Oficerët dalin në lirim me urdhër të ministrit të Mbrojtjes”. I njëjti shpjegon se në rastin e lirimit nga detyra, ministri i Mbrojtjes i ka deleguar kompetencat Presidentit, në një kohë që ligji nuk e parashikon delegimin e kompetencave nga poshtë-lart, por në drejtim të kundërt, nga lart-poshtë. Po kështu avokati argumenton se, eprorët e Gjeneral–Majorit, Shpëtim Spahiu, nuk kanë përmbushur detyrimet e komunikimit që vijnë nga Kodi i Procedurës Civile. Thënë ndryshe, klienti i tij nuk është thirrur nga ministri me qëllim që t’i komunikohej propozimi dërguar Presidentit për shkarkimin dhe lirimin e njëkohësisht të dëgjonte shpjegimet kundër. “Për më tepër që në deklaratën e tij për shtyp ministri tha se, masat kanë ardhur pas një analize të thellë për Gërdecin, në një kohë që në Ministrinë e Mbrojtjes ende nuk është bërë ndonjë analizë me këtë temë. Për të gjitha këto depozituam mbrëmjen e 19 majit në Gjykatën e Tiranës një kërkesëpadi për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të Presidentit të Republikës të datës 9 maj 2008. Hapi tjetër, në varësi të reagimit të institucionit të Presidentit, do të jetë një tjetër kërkesëpadi në gjykatë, këtë herë me objekt shfuqizimin e të njëjtit dekret”, përfundoi avokati Meçi.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›