E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemi nga uji, 40 persona në spital

Epidemi në qytetin e Urës Vajgurore. Plot 40 persona nga të cilët 30 fëmijë dhe 10 të moshave të mëdha janë shtruar ditët e fundit në repartin e infektivit në spitalin rajonal të Beratit. 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Sipas burimeve nga ky spital, të shtruarit, të gjithë nga qyteti fqinj, paraqesin simptoma të dhimbjeve të barkut, shoqëruar me të vjella. Nga të dhënat paraprake dyshohet se epidemia mund të jetë shkaktuar nga ndotja e ujit të pijshëm. Mjekët e spitalit kanë dhënë alarmin, duke sjellë ndër mend edhe vitin 1994, vit kur në këtë zonë u shfaq kolera, nga e cila gjetën vdekjen tre persona në qytet dhe dy në Komunën e Kutallisë. Mjeku specialist i pavijonit të infektivit, Petraq Ceca, tha për gazetën se, në personat e shtuar së fundmi mund të kemi të bëjmë me një sëmundje serioze, e cila duhet të identifikohet menjëherë. “Ne nuk kemi laborator të tillë, që të përcaktojë llojin e infeksionit, por këto analiza janë dërguar menjëherë në laboratorët e Tiranës për të përcaktuar diagnozën reale. Ne po kryejmë kurimet me të sëmurët duke e sulmuar infeksionin e krijuar”, ka pohuar ai. Sipas Cecës, mendohet se të sëmurët vuajnë aktualisht nga entaritisi, sëmundje e zorrëve, infeksion që mund të jetë krijuar nga ndotje të ndryshme. Qyteti i Urës Vajgurore “sulmohet” nga shumë faktorë të ndotjes, si shpërthimi i lëndëve plasëse, të cilat në përbërje të tyre kanë lëndë kimike shumë të rrezikshme, ndotja e ujit, si dhe kohët e fundit në lagjen e Gurit të Bardhë, lagje në të cilën banon numri më i madh i të sëmurëve, janë dhe gropat septike të ujërave të zeza. Përmbajtja e gropave septike depërton nëpërmjet boshllëqeve të pllakave të gurit në depon e ujit. Një pjesë e tubacioneve janë të dëmtuar nga shpërthimet e lëndëve plasëse që përdoren nga pronarët e minierave të gurit. Për pasojë ujërat e zeza dhe lëndët e tjera depërtojnë lirshëm në tubacione dhe përzihen më ujin e pijshëm. Sipas mjekut Ceca, 4 të sëmurë janë nga fshati Moravë, por dhe ky fshat furnizohet me ujë nga Ura Vajgurore. Ndërsa mësohet se fëmijët e infektuar janë shtruar në repartin e pediatrisë. Mjekja e këtij reparti, Flora Gjoni, u shpreh për gazetën se, në momentin e ardhjes në spital gjendja e fëmijëve ka qenë e rëndë, por pas trajtimit me mjekime intensive tashmë janë jashtë rrezikut. Gjoni thotë se e kanë bërë prezente gjendjen në Drejtorinë e Shëndetit Publik. Nga konsultimet e bëra, mjekë kanë hedhur dyshimet se dhe ushqimet e pakontrolluara mund të jenë bërë shkak për këtë epidemi. Drejtori i spitalit, Neritan Vito, përballë kësaj situate të krijuar është shprehur se, janë marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve. Vito ka theksuar për gazetën se, janë marrë të gjitha masat për furnizimin me medikamente, si edhe për përgatitjen e ambienteve të përshtatshme për të përballuar ndonjë fluks tjetër më të madh. “Të gjitha ambulancat janë në gatishmëri të plotë për transportimin e të sëmurëve. Personeli po punon në ‘non stop’ për të pasur situatën nën kontroll. Ne si drejtori e spitalit e kemi bërë prezente gjendjen e krijuar në ministrinë përkatëse”, u shpreh ai.

Në Korçë, masa mbi higjienën në prag sezoni

KORÇE – Drejtoria e Shëndetit Publik në Korçë në prag të sezonit turistit për këtë rajon merr masa për mbrojtjen e shëndetit të turistëve, nga çdo situatë epidemiologjike apo problem tjetër shëndetësor. Drejtori i këtij institucioni, Vladimir Shkoza, u shpreh se, “për sezonin turistik që fillon këtë muaj dhe mbaron në fund të muajit tetor ne kemi marrë këto masa: shërbim 24 orësh me mjek dhe infermiere të specializuar, pajisje të qendrave shëndetësore pranë qendrave turistike me medikamentet e nevojshme të rasteve urgjente dhe të serumeve, të cilat do të përdoren në çdo rast që mund të paraqitet”. Sipas tij, janë ushtruar kontrolle në pikat turistike, si edhe në mjediset e lokaleve dhe hoteleve më të frekuentuara në Qarkun e Korçës. Rëndësi në këto kontrolle i është dhënë nivelit të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së ushqimeve, si edhe kujdesit ndaj ujit të pijshëm.                                      j.gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›