Oketa emëron drejtor të MEICO-s, përfaqësuesin e oborrit mbretëror
TIRANE – Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, emëroi dje drejtorin e ri të ndërmarrjes MEICO, pas arrestimit të ish-drejtuesit Ylli Pinari i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, mësohet se drejtori i ri i ndërmarrjes së import-eksportit të armëve dhe municioneve, është Granit Leka. Prej ditës së djeshme, ai është emëruar në vendin që kishte mbetur bosh pas arrestimit të Ylli Pinarit, më 18 mars 2008 me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Burimet zyrtare thanë se Granit Leka është një inxhinier armatimi me përvojë të gjatë në këtë fushë. Ai mësohet se ka pasur edhe më parë detyra të tjera në Ministrinë e Mbrojtjes. Drejtori i ri i ndërmarrjes shtetërore MEICO njihet edhe si përfaqësues ligjor i ish-oborrit mbretëror. Granit Leka i emëruar tashmë si drejtor i MEICO-s njihet për angazhimin e tij ligjor në drejtim të sqarimit të çështjes së koleksionit të armëve, që solli me vete pas kthimit në Shqipëri, Mbreti Leka i Parë. Tashmë ndërmarrja MEICO do të ketë një drejtues të ri, ndërsa ish-titullari i saj akuzohet për “shkelje të rregullave të sigurimit teknik lidhur me lëndët luftarake dhe radioaktive në Gërdec”. Për këtë akuzë, Ylli Pinari mbahet në paraburgim bashkë me Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxollin. Prokuroria ka zhvilluar hetime ndaj ish-drejtorit të ndërmarrjes MEICO, i cili mësohet se ka favorizuar kompanitë private SAC-”Albademil” të angazhuara në çmontimin e municioneve. Pak ditë më pas, Prokuroria i sekuestroi Pinarit një numër të konsiderueshëm pronash e pasurish. t.s