E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojaxhi: Të rritet çmimi i dritave, ERE: S’do ketë

Çmimi i dritave nuk do të rritet më për këtë vit. Deri në fund të këtij viti do të vazhdojnë të jenë në fuqi tarifat aktuale të energjisë. 

Fabiola Çela

Një vendim i tillë është marrë pas vizitës së misionit të FMN-së në Shqipëri. Ekspertët e Fondit pasi kanë kaluar në ‘skanerin’ e tyre të gjithë treguesit financiarë të Korporatës kanë rënë dakord që çmimi i energjisë të mos rritet në verë, por KESH të përmirësojë nivelin e arkëtimeve dhe humbjeve. Rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte pika e debatit të djeshëm mes kreut të KESH-it Gjergj Bojaxhi dhe atij të Entit Rregullator të Energjisë Bujar Nepravishta.
Çmimi 
“Ne deklaruam se nuk shohim motive për vitin 2008, që të ketë një rritje të re çmimesh, nuk shikojmë ndonjë arsye, dhe përfaqësuesit e FMN-së ranë dakord me këtë konkluzion tonin dhe në këtë mënyrë do të ishte edhe përgjigjja për situatën energjetike që ne po kalojmë”, ka thënë dje në komision parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese kreu i ERE-s Bujar Nepravishta. Por nuk ka ndarë të njëjtin mendim me të drejtori i Përgjithshëm i korporatës Gjergj Bojaxhi. Sipas tij, që nga viti 2004 çmimi i gazit dhe naftës kanë pësuar një rritje të dyfishtë, ndërsa tarifat e energjisë kanë pësuar një rritje minimale.
treguesit
Edhe pse gjatë kësaj kohe KESH ka përmirësuar nivelin e dy treguesve themelorë të saj që janë humbjet dhe arkëtimet, përsëri ka ende shumë punë për të bërë. “Humbjet e energjisë janë problemi më themelor. Janë 2 miliardë kw/orë që humbasin, nga të cilat 1 miliard janë joteknike”, ka thënë Nepravishta. Sipas tij këto humbje, që janë vjedhjet nuk mund të përballohen vetëm nga KESH-i, pasi ato janë një problem i gjithë shoqërisë dhe i qeverisë. “KESH ka bërë mbi 400 kallëzime penale dhe nuk është penalizuar absolutisht asnjë ndonëse legjislacioni parashikon dënim penal për vjedhjen e energjisë”, tha ai. Sipas tij, çdo vit, humbet nga vjedhjet e energjisë elektrike 1 miliard kilovat-orë energji elektrike, janë e barabartë me 80 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›