E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Infrastruktura në Shqipëri poshtë standardeve

SHKRUAN: Sabina Veizaj 02-10-2011 12:40

Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive për suportimin e krizës globale, por standardet në lidhje me infrastrukturën janë ende poshtë nivelit të Europës Juglindore, thuhet në raportin e tranzicionit të BERZH-it për vitin 2010. Sipas analizës së BERZH-it, që përfshin zhvillimin e 29 vendeve në tranzicion, ekonomia shqiptare është kryesisht në duart e sipërmarrjeve private, por shteti ka kontrollin e vet ende mbi disa ndërmarrje të karburanteve, energjisë dhe sektorëve të sigurimit. Një nga kërkesat që dikton tregu, një nga standardet më madhore është përmbushja e privatizimeve në këto fusha në terma afatgjatë. “Autoritetet kanë shfaqur një bashkëpunim të fortë në modernizimin e infrastrukturës rrugore, por cilësia e përgjithshme dhe standardet e mirëmbajtjes janë ende mbrapa nivelit të kërkuar dhe vendeve të tjera të Europës Juglindore”, vlerëson raporti.

Banka rekomandon se duhet të krijohen hapësira të tilla që sektorit privat t’i hapet rruga jeshile për investime me energjinë dhe në infrastrukturë. BERZH vlerëson se ekonomia shqiptare rezulton se e ka menaxhuar më së miri krizën globale. Të dhënat e Standard & Poor për vitin 2010 janë një sinjal i rëndësishëm për sa i përket tregut financiar ndërkombëtar. Megjithatë, synimet për termat afatshkurtër është të vigjilohet mundësia e rrezikut të efekteve nga ekonomia tepër e dobët e eurozonës, veçanërisht ajo e fqinjit Greqi. “Shqipëria mbetet një nga të paktat ekonomi në tranzicion që e ka tejkaluar krizën globale me sukses deri më tani, pjesërisht sepse ekonomia shqiptare është më pak e integruar me tregun ndërkombëtar se vendet e tjera. PBB është rritur më 2009 me 3.3 për qind, relativisht më shumë se vitet paraardhëse, por më mirë se mesatarja rajonale”, vlerëson raporti. Investimet e huaja direkte kanë vazhduar të jenë në rritje më 2009-ën me 680 milionë euro, që i atribuohet projekteve private, por të dhënat kanë treguar se në gjysmën e dytë të 2009-ës ato filluan të bien dhe gjatë fillimit të 2010-ës gjithashtu. Besimi konsumator u rrit në mënyrë modeste më 2010 dhe inflacioni shkoi në nivelet e 3.4 për qind në shtator 2010. Por, deficiti mbetet i lartë rreth 15 për qind e PBB-së më 2009. “Autoritetet kanë paraqitur masa të rëndësishme për vitet paraardhëse, për të ndihmuar vendin në kohën e krizës. Banka e Shqipërisë e uli normën bazë të interesit nga 6.25 për qind në janar 2009 në 5.0 për qind në korrik 2010 dhe shpesh ka ndërhyrë në tregun valutor”, vlerëson raporti. Ndërsa qeveria e rishikoi buxhetin më 2009, duke çuar deficitin nga 4.2% në 6.9% të PBB-së, për shkak të rritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pakta. “Një kombinim i prodhimit të pakët industrial, kapitalit të ulët, rënies së transfertave private ka çuar në rënie të kërkesës konsumatore në fillimin e 2010-ës. Si rezultat i këtyre faktorëve, rritja e PBB-së këtë vit pritet të shkojë në 3.0%, me gjithë shpenzimet e qeverisë që rezultojnë një ekonomi në rënie”: cilëson ekspertiza e BERZH-it. Inflacioni qëndroi brenda normave 3.0 +/-1.0 për qind për 2010-n. Gjithashtu BEZRH ka theksuar se kriza greke ndikoi në termat makroekonomikë, duke sjellë rënien e investimeve, të remitancave, uljen e tregtisë. Borxhi relativisht i lartë publik dhe deficiti buxhetor vazhdojnë të mbeten faktorë risku. Shqipëria ka bërë progres përsa i përket reformave strukturore. BERZH rekomandon një modernizim më të madh në drejtim të sektorit fiskal, duke kërkuar shtrëngimin e rregullave konform dhe standardeve europiane.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›