Turizmi, 70% e shqiptarëve drejt rajonit për fundjavat e vjeshtës
Pas një vere të nxehtë, e cila ka shtrirë motin e saj edhe në ditët e vjeshtës, qytetarët shqiptarë kanë nisur udhëtimet e fundjavave jashtë kufijve. Raportimet e agjencive turistike në kryeqytet tregojnë se 70 % e qytetarëve që udhëtojnë jashtë shtetit për fundjavë, përzgjedhin destinacionet drejt vendeve të rajonit si: Maqedoninë, Malin e Zi, Jugosllavinë. Por sipas agjentëve turistikë në kryeqytet, këtë vjeshtë nuk mbeten më pak të preferuara Greqia, Turqia dhe Spanja. Kërkesat e vjeshtës 2011 pranë agjencive turistike në kryeqytet janë për në Dubrovnik, për në të cilin paketa kushton 119 euro për një fundjavë. Bëhet fjalë për datat 14-16 tetor, ku në këtë paketë përfshihen: udhëtimi vajtje-ardhje dhe shëtitjet me autobus, akomodimi në hotel për dy net qëndrimi, mëngjeset dhe darkat për të gjitha ditët e udhëtimit dhe shoqërues shqiptar gjatë qëndrimit jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, drejt Beogradit turistët shqiptarë kanë kërkuar paketa për datat 27-31 tetor, ku kanë mundësi të udhëtojnë me autobus për një euro-tour që nis nga Beogradi në Budapest dhe Vjenë për 329 euro për dhomë dyshe, ku përfshihen; udhëtimi me autobus vajtje-ardhje, transfertat dhe shëtitjet sipas programit, akomodimi në hotel me 3,4 yje për 4 net qëndrimi, mëngjeset për të gjitha ditët e qëndrimit, guidë profesionale gjatë tureve nëpër të tria qytetet, siguracioni shëndetësor. Për sa i përket vjeshtës greke dhe turke, turistët shqiptarë kanë kërkuar më së shumti në agjencitë e kryeqytetit udhëtim me autobus për datat 13-17 tetor, duke paguar për këtë paketë për një dhomë standard (Max: 2 të rritur + 1 fëmijë ose 3 të rritur) 219.00 euro. Ndërsa ata që preferojnë Spanjën, kanë vendosur të shkojnë në Barcelonë në datat 16 -19 tetor me një tarifë prej 540 euro/person, ku në çmim përfshihen: udhëtimi me avion vajtje – ardhje, 3 net akomodim në: Hotel Onix Fira me mëngjes, transfertat aeroport / hotel / aeroport, ekskursionet sipas programit me guidë, ekskursion me autobus në Montserat,
shoqërues dhe asistencë nga agjencia. Agjentët turistikë pohojnë për MAPO-n, se janë të shumtë qytetarët që kanë prenotuar për udhëtimet e sipërpërmendura. Vjeshta 2011, sipas tyre, me heqjen e vizave ka nxitur shqiptarët t’i kalojnë fundjavat jashtë kufijve.
Tabela
Dubrovnik 14-16 tetor – 119 euro
Beograd-Budapest-Vjenë- 27-31 tetor- 329 euro
Selanik- 13-17 tetor – 219 euro
Turqi- 13-17 tetor – 219 euro
Barcelonë- 16-19 tetor- 540 euro